E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia fiton Kupën pas 21 vitesh, mund Tiranën 2 me 0

Pas 21 vjetësh, Vllaznia është përsëri fituese e Kupës së Shqipërisë. Ekipi shkodran ka mundur 2-0 Tiranën në finalen e edicionit të 56-të, duke siguruar trofeun e saj të 6-të në këtë turne, sukses të cilin nuk e shijonte që nga viti i largët 1987. Kuqeblutë kanë arritur të thyejnë tabunë e finaleve me ekipin kryeqytetas, i cili e kishte mundur katër herë në finalet e mëparshme. Këtë radhë, fitorja ka pasur vlerë të dyfishtë, pasi, përveç trofeut, Vllaznia ka siguruar edhe pjesëmarrjen në Kupën UEFA, ndërsa Tirana duket se do të qëndrojë një sezon larg Kupave të Evropës.

Gjithçka ka folur në favor të skuadrës shkodrane që në fillimin e ndeshjes, ku brenda dy minutash Lika shënon golin e avantazhit. Pas një harkimi të Kaçit nga krahu i djathtë dhe pavëmendjes së mbrojtjes bardheblu, mesfushori ul me gjoks topin që përfundon në rrjetë. Vetëm dy minuta më vonë është Sukaj që ka mundësinë të dyfishojë shifrat, por gjuajtja e tij ndalet nga traversa. Tirana përpiqet të reagojë dhe Hyka gjen të lirë në zonë Fortuzin, por edhe gjuajtja me kokë e sulmuesit ndalet nga traversa e portës së mbrojtur nga Grima. Furia e kryeqytetasve vazhdon dhe në minutën e 9-të është Xhafaj që tenton të gjejë golin e barazimit, por gjuajtja e tij devijohet nga portieri i Vllaznisë. Dy skuadrat thuajse e harrojnë fazën mbrojtëse dhe rastet për të shënuar zhvendosen nga njëra anë në tjetrën. Sukaj ka një mundësi të artë për të gjetur rrugën e rrjetës, pas një kundërsulmi, por gjuajtja e tij para Osmanit është e gabuar. Më pas është Tirana që krijon disa raste radhazi para portës shkodrane me Hykën, Deliallisin e Xhafajn, por bardheblutë nuk duken në një ditë të mirë në fazën finalizuese. Ndërsa Tirana ka epërsi në raste, Vllaznia tregohet më cinike dhe në minutën e 39-të dyfishon shifrat me Sukajn. Kapaj nis një top të gjatë nga mbrojtja, ndërsa sulmuesi kalon në shpejtësi Vrapin, ndalon topin me gjoks dhe gjuan me të majtën, duke mposhtur portierin Osmani. Me këtë avantazh të dyfishtë të Vllaznisë mbyllet pjesa e parë, ndërsa në fillimin e 45 minutave të dyta, Mema bën çudinë, duke bërë tre zëvendësime të menjëhershme ku Duro, Vrapi dhe Sina i bëjnë vend Gjorevksit, Hajdarit dhe Arapit. Taktika duket e suksesshme, pasi Tirana hidhet e tëra në sulm, duke mbyllur Vllazninë në gjysmëfushën e saj. Por, bardheblutë nuk janë në gjendje të konkretizojnë epërsinë territoriale dhe gjuajtjet në portë thuajse mungojnë. Për ta komplikuar më shumë situatën, francezi Mohelebi ndëshkohet me karton të kuq në minutën e 80-të, duke lënë skuadrën në inferioritet numerik dhe duke shuar çdo shpresë të Tiranës për një barazim. Me vërshëllimën e gjermanit Rafati, mijëra tifozë shkodranë nisën festën e fitores bashkë me skuadrën. Ndërsa hidhërimi i tifozëve të Tiranës për pak sa nuk ka sjellë një tragjedi, pasi kryetifozi Alban Berisha është shtrirë para rrotave të autobusit të bardhebluve, duke tentuar të vetëvritet. Fatmirësisht, veprimi i tij është ndaluar në kohë nga persona të pranishëm, të cilët e kanë larguar atë në kohë, para se të nisej autobusi, që do të kthente lojtarët bardheblu në kryeqytet.

Deklarata

Mema: Jam gati të jap dorëheqjen

Humbja në sfidën me Vllazninë duket se do të sjellë ndryshimin e radhës në pankinën e Tiranës për këtë sezon. Pas përfundimit të takimit, trajneri Sulejman Mema ka deklaruar se është gati të japë dorëheqjen, në mënyrë që të fillojë revolucioni në skuadrën bardheblu. "Do të takohem me drejtuesit e Tiranës për t‘u komunikuar se jam gati të heq dorë nga drejtimi i skuadrës. Kjo Tiranë ka nevojë të rindërtohet dhe mund të bëjë edhe pa mua. Ndryshimet në pushimin e ndeshjes? Duro ka qenë i sëmurë dhe nuk ishte në ditën e tij më të mirë, ndërsa Vrapi bëri dy gabime në pjesën e parë, ndaj nuk e pashë të arsyeshme të qëndronte më në fushë", deklaroi Mema, pas përfundimit të takimit. Pritet që dorëheqja e Memës të konfirmohet brenda ditës së nesërme nga drejtuesit e klubit, të cilët e kishin vlerësuar Kupën e Shqipërisë si objektivin e vetëm që i kishte mbetur skuadrës dhe do të kërkojnë "fajtorë" për këtë disfatë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›