Transët përgënjeshtrojnë: Nuk bëmë seks, as drogë
Me Ronaldon nuk bëmë seks dhe as nuk përdorëm drogë në motelin "Papillon". Dy prej tre transvestitëve të përfshirë në skandalin që kishte si protagonist sulmuesin e Milanit, Andreia dhe Karla, kanë tërhequr të gjitha akuzat. Sipas lajmit të publikuar nga gazeta braziliane "O Dia", pas katër orë qëndrimi në polici, ata pranuan se kishin gënjyer dhe e kishin akuzuar lojtarin, pasi u ndjenë të mashtruar, duke qenë se Ronaldo i përzuri nga dhoma në momentin kur mësoi se nuk ishin femra. Andreia, që ishte protagonisti kryesor në të gjithë këtë histori, pohoi se patentën e ish-lojtarit të kombëtares braziliane e kishte marrë gabimisht, pasi në ato momente dokumenti ndodhej pranë çantës. Ndër të tjera, transi mohoi se ishte përpjekur që të zhvaste 50 mijë real (afro 20 mijë euro) nga sulmuesi, për të mos e bërë ngjarjen publike në media. Gjithsesi, ky version nuk u konfirmua nga transi tjetër, Karla. Tashmë, inspektori përgjegjës në këtë hetim, Karlos Augusto Nogueira Pinto, pret të marrë në pyetje edhe transvestitin tjetër të përfshirë, Veida Ganzaroli.