E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bugajski: Njohja e Kosovësjo pjesë e paktit VMRO-BDI

Autori i Lajmit: red.
Analisti i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington, Janush Bugajski vlerëson se Washingtoni dhe Brukseli nuk duan një trysni të shtuar të kërkesave të shqiptarëve, në kohën kur Shkupi ballafaqohet me aspiratat e tij euroatlantike dhe është bllokuar nga mungesa e përparimit drejt NATO-s dhe BE-së.
“Megjithatë, një qasje e tillë mund të dëshmohet si shkurtpamëse, pasi ka gjasa të mëdha që BDI ta shohë se përkrahja më e madhe po i zhduket, nëse nuk është e aftë t i përmbushë kërkesat e shqiptarëve për njohjen e Kosovës, lëvizjet e shpejta drejt hyrjes në NATO, si dhe amendamentet për ligje të ndryshme vendore për rritjen e të drejtave grupore të shqiptarëve”, nënvizon Bugajski.
Ai në një analizë të tij për zhvillimet në Kosovën dhe njohjen e saj nga Maqedonia, vlerëson edhe qasjen e re të Qeverisë maqedonase. “Siç raportohet, njohja formale e Kosovës nga Shkupi nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së arritur me VMRO dhe udhëheqja e BDI-së ka vendosur ta ulë zërin në kërkesat e saj për më shumë të drejta për shqiptarët. Kryeministri Nikola Gruevski dhe udhëheqësi i BDI-së, Ali Ahmeti, kanë deklaruar se prioritetet e qeverisë së re do të jenë NATO dhe integrimi në BE, por pikërisht kjo është hapësira, ku gjasat janë shumë të mëdha që ata të dështojnë”, shkruan Bugajski.
Lidhur me çështjen e emrit, analisti amerikan thekson se gjasat janë të mëdha që marrëdhëniet maqedonase-greke të përkeqësohen edhe më tej, pasi VMRO nuk është e gatshme ta ndërrojë Kushtetutën dhe ta ndërrojë emrin e Maqedonisë me një mbiemër gjeografik apo të përkohshëm.
“BDI ka vendosur të pajtohet me pozicionin e VMRO sa i përket çështjes së emrit, që do të thotë se nuk mund të pritet ndonjë iniciativë kreative nga ana shqiptare në qeverinë e re dhe kurrfarë progresi ndërkombëtar. Kjo do të mund të armiqësonte komunitetin shqiptar me qeverinë në Shkup, që do të mund të dëshmohej destabilizuese për Maqedoninë. Koalicioni ndërmjet VMRO dhe BDI mund të jetë i përkohshëm dhe disa besojnë se BDI mund të ketë presione që të largohet nga koalicioni brenda disa muajsh, në mënyrë që ta ruajë kredibilitetin te votuesit”, vlerëson Bugajski.
Sipas tij, në këto rrethana, Prishtina duhet të jetë e vendosur e jo provokative.
“Në një kohë kur Shkupi ka presione nga të gjitha anët, Kosova duhet t i zgjasë dorën fqinjit jugor, duke nënvizuar së njohja e statusit të pavarur do t i heqë presionet nga komuniteti shqiptar në Maqedoni dhe kjo do ta ndihmojë stabilizimin e rajonit. Përveç angazhimit në demarkacionin e kufirit dhe gatishmërisë që të nënshkruajë traktatin ndërshtetëror, Prishtina mund të jetë një aleat i vlefshëm, duke theksuar rëndësinë e integritetit dhe stabilitetit të Maqedonisë për të gjitha vendet fqinje, duke përfshirë këtu edhe vetë Kosovën”, nënvizon Bugajski në analizën e tij “Kosova dhe fqinjët e saj”. Bugajski gjatë zgjedhjeve të fundit në Maqedoni ka qenë edhe këshilltar bartës i fushatës së PDSH-së.
Ky lajm është publikuar: 29/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›