E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK-LDK, koalicion i brishtë

Autori i Lajmit: red.
Lidhja Demokratike kërkon rishikimin e marrëveshjes së koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës. LDK-ja gjendet përpara një procesi të vështirë ristrukturimi, është shprehur drejtuesi Ekzekutiv i LDK-së Blerim Kuqi, duke shtuar se priten ndryshime të mëdha edhe në drejtimin e partisë.
"Ka elemente të tilla, por në fakt ne nuk kemi një marrëveshje shumë strikte për bashkëqeverisje. Ka mundësi që në të ardhmen t i rishikojmë disa elemente të vogla të marrëveshjes. Ne jemi duke përpunuar një platformë të bashkëqeverisjes me disa elemente", tha Blerim Kuqi, Drejtues Ekzekutiv i LDK-së.
Kuqi thotë se i ka vënë vetes detyrë që ta kthejë LDK-në në partinë më të votuar të Kosovës pas humbjes në zgjedhjet e fundit dhe per këtë ai nuk përjashton mundësinë e ribashkimit me Lidhjen Demokratike të Dardanisë.
"LDK do ta ketë primatin në Kosovë. Do të jetë partia më e madhe. Krejt ky ristrukturim ka të bëjë me këtë çështje. Ne kemi filluar një proces dhe në këtë do të futen edhe subjekte tjera, jo vetëm LDD-ja. Ka disa iniciativa, por janë të niveleve jo të larta, por të niveleve të degëve", vijoi Kuqi.
Në zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit të kaluar, LDK pësoi një rënie të ndjeshme në mbështetjen e elektoratit, duke marrë vetëm 25 deputetë në parlament nga 47 që kishte në legjislaturën e kaluar. Në qeverinë Thaçi, LDK përfaqësohet me 6 ministra dhe një zëvendëskryeministër.
Ky lajm është publikuar: 29/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›