Buhler: Të zbulohen vrasësit dhe aktorët e dhunës

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler, pas takimit me përfaqësuesit e Serbisë, ka deklaruar se KFOR-i do të qëndrojë në pikat 1 dhe 31 derisa të jetë e nevojshme, dhe se aktorët e dhunës duhet të përgjigjen.
Pas gati katër orë bisedimesh të enjten kanë përfunduar bisedimet ndërmjet kreut të KFOR-it me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë në Zubin Potok.
“Situata në Kosovë pas dy incidenteve është e tensionuar”, ka thënë Buhler, duke shtuar se aktorët e incidenteve, vrasjes së pjesëtarit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës dhe djegies së vendkalimit kufitar Jarinje duhet të përgjigjen.
Buhler ka theksuar se nuk kanë pjesëtarë të njësive speciale të Kosovës në asnjërën nga pikat kufitare në veri.
Mediat serbe shkruajnë se bisedimet ishin të rënda dhe se kanë përfunduar pa marrëveshje.
Në bisedime kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesi i BE-së për Kosovën Fernando Gjentilini, shefi i ekipit negociator serb Borisllav Stefanoviq dhe ministri për Kosovë Goran Bogdanoviq. /kp/