E Diel, 1 Nëntor 2026

Stefanoviç “inspektoi” Jarinjen para djegies

Nga Express më 28 korrik 2011 në ora 09:24

Shefi i ekipit negociator serb, Borislav Stefanovic, ka kryer një “inspektim” në pikën kufitare 1 në Jarinje, së bashku me ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, ku janë bindur se aty ishin vendosur edhe policë e doganierë kosovarë.

Disa orë më pas, turmat e serbëve ia kanë mësyrë kësaj pike dhe e kanë djegur.

Në disa fotografi të publikuara nga agjencia serbe e lajmeve Tanjug, Stefanovic shihet se si, pasi e kryen një telefonatë, hyn në kabinën e Policisë Kufitare të Kosovës.

Stefanovic e Bodganovic, bashkë me përfaqësues të strukturave paralele në veri, të mërkurën pasdite e kanë vizituar edhe pikën kufitare 31 në Brnjak, ku janë bindur se aty ishin vendosur edhe policë e doganierë shqiptarë.

Sipas njoftimeve, në atë pikë kanë qenë 11 pjesëtarë të Policisë Kufitare dhe katër doganierë.

Stefanovic e Bodganovic janë zyrtarët e vetëm nga Qeveria e Serbisë, të cilët kanë qëndruar në Veri të Kosovës që nga ora 3 e mëngjesit të së martës dhe vazhdimisht kanë qenë në kontakt me përfaqësues të strukturave paralele dhe me zyrtarë ndërkombëtarë në vend.

Stefanovic disa herë iu është drejtuar serbëve të revoltuar, duke u bërë thirrje të qëndrojnë të barrikaduar “në pozicione” dhe të mos tërhiqen.

Pas djegies së pikës 31 në Jarinje, ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, është shprehur të jetë i shokuar me veprimin, sikur i ka quajtur ai, të huliganëve. Sipas tij, veprimet e tilla vetëm sa i vështirësojnë bisedimet me Prishtinën.

Ndërkaq, sekretari shtetëror në këtë ministri, Oliver Ivanovic, ka thënë se ngjarja në Jarinje ka qenë e pritur, pasi që serbët nuk lejojnë që t’i poshtërojë askush.

E Borislav Stefanovic, shef i ekipit negociator serb, ka thënë se pas kësaj që ka ndodhur, Prishtina ka fituar atë që pikërisht e ka dashur.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë mbrëmë se veprimet e dhunshme në veri janë urdhëruar dhe organizuar nga strukturat më të larta të Qeverisë së Serbisë. “Pas kësaj djegie qëndron Beogradi”, ka deklaruar ai, pavarësisht deklarimeve publike të zyrtarëve serbë, të cilët kinse janë distancuar nga veprimet e të rinjve serbë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›