E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Alimani: E verteta mbi audicionet e fshehta

25/05/2011   Regjisori Bujar Alimani, një rrëfim për filmin, kinemanë shqiptare dhe teatrin. Lidhja me pikturën dhe ndikimi në realizimet filmike

“Amnistia”, premierë në kinemanë shqiptare

Do të donte që filmi i tij jo thjesht të pëlqehej. Por përtej kësaj të ngjallte debat dhe reaksion. Për regjisorin Bujar Alimani ky është në fakt qëllimi i vërtetë i artit: ngacmimi. Pohon se qëllimi i artit nuk është vetëm zbavitja, por “arti është ai që zgjon gjërat”.

Një zgjim të tillë deshi të bënte edhe me “Amnistinë”, filmin që rrëfen për një histori dashurie të paligjshme dhe që këtë të premte, më 27 maj do të fillojë të shfaqet premierë në kinemanë shqiptare.

I xhiruar për një kohë të shkurtër mes Pogradecit dhe Tiranës, filmi sjellë në ekran një sërë aktorësh, me dhe pa përvojë. Një bashkëprodhim shqiptaro-greko-francez, “Amnistia” është i pari film shqiptar që hyri zyrtarisht në “Berlinale” dhe projekti i parë shqiptar që fitoi ndihmën financiare të “Eurimage”.

Buxheti fillestar i “Amnistisë” është rreth 700 mijë euro. Filmi është xhiruar në 35 mm, në formën më të shtrenjtë dhe më të plotë sot dhe është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Eurimage, Qendra Greke e Filmit dhe disa televizione private.

Në qendër të filmit tuaj është një histori e paligjshme dashurie mes një burri dhe një gruaje. Pse ju ngacmoi të trajtonit diçka të tillë?

Më duket interesante që historitë e paligjshme të vihen ndonjëherë në qendër, sepse e ligjshmja dhe e paligjshmja, e moralshmja dhe e pamoralshmja është diçka e diskutueshme për mua dhe për shumë të tjerë. Sepse nuk e di sesa ndjenjat kanë një ligj, që pranon apo hedh poshtë gjëra. Ne jemi një arkë e madhe, një kasafortë ku mbajmë shumë gjëra. Gëlltisim në thelb çdo gjë, nxjerrim ato që shkojnë konform me shoqërinë. Por të gjitha gjërat i kemi brenda. Këta njerëz janë ata që në këtë moment vendosin kamerën dhe shohin jetët e tyre, të cilat nuk kanë ndonjë interes të veçantë, përkundrazi janë bosh. Dhe pikërisht sepse janë bosh, këta të dy lidhen me njëri-tjetrin, pasi duan të mbushin jetën e tyre. Nuk ka rëndësi sesi, nuk është e rëndësishme të dish formën dhe rrugën e saktë për të mbushur ndonjë gjë në jetë. Ndodh pak a shumë si me një piktor, i cili nuk e di saktë se çfarë pikture do të krijojë. Ka një telajo bosh përpara dhe fillon dalëngadalë sikur luan me ngjyrat. E di dhe nuk e di çfarë do të sjellë. Hiq viza, shton ngjyra, korrigjon, ndryshon forma pak nga pak etj. Është një rrugë me pro dhe kundra, ku je ti dhe puna, ti dhe krijimi dhe këto gjëra ekzistojnë dhe te “Amnistia”. Që në fillim doja të tregoja një histori, të pazakontën e vendit tim, për të paligjshmen dhe “të pamoralshmen” e vendit tim, por që është shumë e bukur, sepse njerëzit e vendit tim janë njerëz shumë të bukur, me jetë apo jetë jo të bukura, si të gjithë njerëzit në botë. Unë nuk mendoj vetëm që të trajtoj njerëzit që janë në një klasë, në një shtresë dhe pak më të ngritur se të tjerët. Shpesh kam theksuar diçka, që kam mbaruar për pikturë të mesmen, Liceun Artistik. Atë që mësuesit e pikturës ngulmonin shpesh të na thoshin ishte: shikoni dritën brenda hijes, reflekset brena hijes, sidomos kur vizaton bardh e zi. “Amnistia” është përkatësisht kështu, refleks, një dritë brenda hijes, një pjesë e shoqërisë shqiptare. Unë jam munduar të shoh. Migjeni ka një frazë shumë të madhe të tij: Du pash më pash ti bij ferrit! Jam përpjekur të zbres pikërisht në këta rrathë të ferrit, në këto skuta shpesh të pashkelura të vendit tim, te këta njerëz me të cilët shihem përditë, sepse nuk është gjeografik problem, por shpirtëror. Nuk flas aspak për gjeografinë. E kam tek thellësia dhe tek skutat e pavërejtura.

Përmendet pikturën dhe lidhjen tuaj me të. Në fakt sa ka ndikuar kjo pjesë në film dhe atë që keni krijuar dhe konceptuar?

Pikturën dikush në filmin tim do ta shohë vetëm përmes kuadrit. Duhet dikush për mendimin tim të kuptojë më tepër se kushdo dhe më tepër se kurdo në këtë film sesa ka ndikuar piktura tek unë. Unë do të përmend një kritike shumë të madhe të filmit në Berlin, Anna Hoffman, e cila shkruan që Alimani është i ndikuar jashtëzakonisht nga piktura e Eduard Hopper. Kjo është e vërtetë se unë në një moment ristudiova Hopper dhe pashë që Luli Bitri në një skenë ku pi kafe vetëm është ekzaktësisht e njëjtë me një pikturë të një femre të Hopperit diku me një kapele në errësirë, e vetme në një kafe ku nuk di se çtë bëjë dhe është në udhëkryq. Piktura shfaqet shpejt si oksigjen, si shpëtim, kur dua të ndërtoj një kuadër. Çështë kuadri filmik tek e fundit?! Është një kuadër piktoresk, një kuadër i pikturës, një telajo në të cilën ne vendosim kompozimin, ngjyrat etj. Që nga Liceu Artistik jam mësuar ti shoh gjërat në një kuadër arti që nga piktura derisa vazhdova më tej në teatër, në të cilin edhe skena është një kuadrat ku ndodhin gjëra, një telajo e madhe, gjigande në lëvizje. Gjithashtu filmi, kinematografia është një kuadër i madh ku gjërat lëvizin. Më ka ndihmuar jashtëzakonisht piktura.

Në çmënyrë i përzgjodhët aktorët për personazhet e filmit. Arritën të sillnin atë që ju kërkonit?

Unë nuk bëj asnjëherë audicion. Madje një pjesë e aktorëve në Tiranë habiten. Mendojnë se bëj audicione të fshehura. Por kjo gjë nuk ekziston. Unë kërkoj shumë. Shoh shumë fotografi aktorësh. Rrallë ndikohem nga të tjerë, kolegë aktorë, por asaj që i besoj vërtet shumë është kur ulem dhe bisedoj me një aktor. Sepse më intereson në radhë të parë bota e tij e brendshme, diapazoni psikik që ka dhe jo aq ai fizik. U besoj shumë syve të aktorëve. Unë nuk kam shumë dialogë në filmat e mi. Aktori arrin të flasë me vështrimin. Përzgjedhja është ajo që i shkon shumë profilit tim, është një përzgjedhje e gjërave të thjeshta, e aktorëve të thjeshtë që kanë shumë potencial brenda, e gjërave të panjohura. Mua më pëlqejnë shumë surprizat. Më pëlqen ta shohim një aktor ashtu siç nuk e kemi parë ndonjëherë. Prova më e mirë këtë është te “Amnistia”. Nëse ka ndonjë surprizë në këtë film nuk është as Luli Bitri as Karafil Shena, apo Mirela Naska por Todi Llupi, aktor i Estradës së Fierit, jo fort i njohur ose i njohur më tepër për paroditë. Madje ndonjëherë ndodh që me qëllim të keq parodizohet e gjithë kjo histori e pjesëmarrjes së Todit tek “Amnistia”. Ai ka një rol të vogël, por shumë të rëndësishëm dhe realizoi atë që unë doja në film. Është një rol shumë dramatik që i dha zgjidhjen finales. Unë i kam besuar sepse kam punuar me këtë aktor. Unë nuk shoh tek aktorët vetëm me atë shohim në televizor, ajo që i është dhënë të luajë. Për mua aktori është njeri, unë ulem dhe diskutoj me të. Madje dikur në një moment Todi nuk e besonte që do ti ofroja rol dhe më pyeti përse e zgjodha atë dhe i thashë: në jetën tënde ti nuk luan vetëm parodi dhe humor, por në jetën tënde ke dhe probleme. Mund të kesh sëmundje, edhe vdekje në disa raste, je njeri mbi të gjitha. Mua nuk më duhet vetëm Todi aktor, mua më duhet Todi njeri, që të sjellë atë lëngun njeri-aktor dhe ta çojë në atë hulli që dua unë, ta përziej dhe ta ndërtoj një figurë, që ai të mundet me eksperiencën skenike ta bënte. Ka pothuajse 40 vjet përvojë. Më vjen mirë të flas për aktorët, sepse punoj shumë me ta, flas shumë me ta, më dëgjojnë shumë dhe i dëgjoj shumë, e ndërtojmë bashkë të gjithën. Më sugjerojnë edhe gjëra. Iu them: unë ju sjell eksperiencat e mia, ju më sillni tuajat. Unë nuk kam barrierë me aktorët. Them edhe gjëra jashtë limiteve shpesh dhe edhe më thonë gjëra jashtë limiteve. Është një gërshet, një gjë ndërmjet. Nuk jam regjisori që i kam gjërat gati dhe që them: do të bëhet kështu se unë i di gjërat. Gjërat janë relative në këtë jetë. Si mund të jetë arti jorelativ?! Është i ndryshueshëm siç mund të ndodhë edhe me vendet e xhirimit.

Përmendët vendet e xhirimit. Në çmënyrë i keni përcaktuar këto vende në filmin tuaj?

Vendi i xhirimit përcaktohet në bazë të skenarit. Kërkoja një shtypshkronjë, një burg, një kafe përballë burgut, kërkoja një mensë spitali. Pastaj mësova që në Tiranë nuk ekzistonin të tilla, por në Pogradec ekzistonte dhe aty bëmë edhe xhirimet. Vendet e xhirimit janë shpesh ndryshe nga ato që ke menduar. Kur kam shkruar “Amnistinë” nuk kisha shkelur asnjëherë në Pogradec. E kisha parë Pogradecin, por nuk kisha shkelur asnjëherë. Shkova në dhjetor 2008 kur për herë të parë pashë dy-tre vende xhirimi. Pyeta për peshkatarët nëse kishte varka personale, më të mëdhaja etj. dhe këto detaje ia shtova skenarit. Vendet e xhirimit pra vazhdojnë të japin një shtysë më të madhe për ta bërë më real skenarin. Kështu shkruan për gjëra, vende që i ke parë, i ke prekur. Ka të bëjë shumë se sa e ke parë dhe shkelur vendin. Unë fatmirësisht i shkel. Në fillim me filmat e shkurtër isha më i organizuar. Shkoja dhe bëja histori “bored”, bëja atë që i themi dekupazh. Vendosim ekzaktësisht ku do të jetë kamera, sa plane do të ketë, si do të jetë plani afër, pastaj i gjerë, më i përgjithshëm etj. Me kalimin e kohës këto i lashë, pasi ajo që të inspironte vendi i xhirimit ishte krejt tjetër nga ajo që unë kisha në letër. Më tepër unë ndoshta doja të bindja veten që isha i përgatitur. Shumë gjëra shpesh nuk qëndronin në ato që kisha në letër. Ajo që më inspiron në një shesh xhirimi është edhe vendi. Për herë të parë ndodhesh aty. Fillon e ndërton planin duku iu bindur dhe duke kuptuar që arti është aq i bukur sepse ndërton akoma edhe tani. Nuk realizoj në mënyrë të vdekur atë që kam në letër.

Ndërkohë filmi u xhirua në një kohë rekord për kinemanë shqiptare, vetëm tre muaj, ndërkohë që xhirimet e filmave në Shqipëri zgjasin me vite…

Këtu flitet për filma që bëhen legjendë e vazhdojnë xhirimet me vite. Është shumë qesharake, sepse është logjike kërkesa jetike e regjisorit, e artistëve që të jetojnë, por nuk mendoj që me “Amnistinë” do të blej një apartament, prandaj e bëra filmin. Është shumë e thjeshtë. Nuk e di si mendojnë të tjerët. As që më intereson fare. Unë do të vazhdoj të punoj me këto ritme, nuk punoj dot ndryshe. Shpresoj që me “Amnistinë” të kenë një pikë referimi të paktën brezi i ri i kineastëve shqiptarë që gjërat bëhen edhe kështu, nuk bëhen vetëm ashtu: në mënyrë legjendare dhe përrallore. Pastaj filmi është një shtatazani, është një lindje. Provoni që një fëmijë të rrijë 14 muaj në barkun e nënës. Por gjithçka është një risk.

Unë vendosa që 20 shtatori do të ishte dita e parë e xhirimeve dhe nuk e ktheva kurrë mbrapsht. Gjërat që nisen duhet të bëhen. Kjo është motoja ime.

Tani që filmi ka përfunduar do të donit të ndryshonit diçka?

Kam dashur të shtoj vetëm një plan. E kam parë filmin dhe kam menduar se duhet të ishte një plan i tillë. Në atë kohë që e realizoja nuk e ndieja. Nuk e shkrova në skenar, por duke montuar mendova që këtu duhet të ketë dhe një plan, që e di vetëm montazhieri. Ndoshta te mensa e spitalit duhej një plan i tillë, kur aktorja Luli Bitri qëndron jashtë me makinë, ndërsa fëmijët flenë. Por, në rregull. Për këtë është i bukur arti, që të lë edhe pengje, edhe brenga ndonjëherë.

Për të folur përtej “Amnistisë”, cilët janë ata persona që drejtpërdrejt ose jo kanë ndikuar në formimin artistik dhe regjisorial tuajin?

isa pedagogë të mi. Mund të përmend Drita Pelinkun që më ka dhënë aktrim. Është një pedagoge imja shumë e dashur dhe i detyrohem shumë. Po ashtu edhe Arben Kumbaros, prej të cilit kam mësuar shumë gjëra dhe e adhuroj akoma, njeri dhe artist kontemporan. Një pedagog i cili më ka mësuar shumë mirë regji ka qenë Arben Imami, i cili sot merret me politikë, por mua më pëlqen ta kujtoj si pedagog. Edhe shumë pedagogë të tjerë, si i ndjeri Vangjush Furrxhi. Por nuk janë vetëm këta mësues. Njeriu ka dhe të tjerë me të cilët nuk është takuar kurrë, regjisorë në botë që me filmat e tyre më kanë bërë të ndjehem shumë familjar, siç janë anglezët Ken Loach, Mike Leigh, Michael Winterbottomz, e gjithë kinemaja iraniane, kinemaja e Koresë, e Azisë së largët, neorealizmi italian. Të gjitha këto përbëjnë një akademi më vete. Kinemaja e mirë amerikane, sidomos ajo independente: Scorsese e Coppola e kështu me radhë.

Nëse flasim për kinemanë shqiptare, sipas jush nga se vuan ajo sot?

Si kudo është problem skenari. Ky nuk është vetëm problem i kinemasë shqiptare, por është problem evropian. Ajo që mendoj është se kinemaja shqiptare ka pasur tendencë për tu dukur në botë se sa për të qenë një pasqyrë për të parë veten, shoqërinë. Është problem shumë thelbësor ky, se si ne do të dukemi në botë apo se si ne do të na dhembin problemet tona, të bëjmë një kinematografi që ta shohin shqiptarët. Këtë mendim kam. Filmat shqiptarë vuajnë edhe se kanë shumë dialogë dhe ne nuk jemi të aftë të bëjmë dialogë të mirë. Kemi shumë tekst, flasim shumë. Pa përmendur pastaj standardizimin e aktorëve, që duket te aktorët e rinj ose në rastin më të keq edhe në përdorimin e aktorëve të këqij. Edhe rolet nuk janë të shumta. Të njëjtët aktorë në të njëjtën peshë dhe portret në të gjithë rolet dhe nuk sjellin asgjë të re. Regjisorëve u mungojnë forma dhe stilet. Në kinematografinë shqiptare mungon stili individual i regjisorëve, që ta dallojë njërin regjisor nga një tjetër. Sikurse pas viteve 90 përgjithësisht e gjithë kinematografia shqiptare vuajti nga një shabllonizëm absolut. Të gjithë filmat ishin pothuaj njëlloj. Pra, mund të themi se kinemaja vuante dhe vazhdon të vuajë nga mossinqeriteti i krijueseve shqiptarë. Ata dolën disidentë, por nuk pati asnjë film të ndaluar nga sistemi përveç filmit për Mehmet Shehun që u ndalua për arsye jo artistike. Edhe sot vazhdon të krijojë me pak përjashtime po ajo kastë artistësh.

Po nëse do të flisnit për teatrin çfarë do të thoshit? Pse jeni fokusuar më tepër te filmi?

Në jetën time kam vënë një shfaqje teatrore, një monodramë me Drita Pelinkun, “Rouze”, në janar 2009.

Teatrin e dua shumë, e përkufizoj tempull. Është gjini shumë e vështirë. Edhe më e vështirë se kinematografia. Dua të merrem me teatër herë pas herë. Kur nuk bëj film të merrem me shfaqje teatri. Më ekzalton shumë skena. Është vërtet magji. Shpesh në duar marr drama. Qëllon që i përkthej, qëllon edhe që i braktis dhe merrem përsëri me kinematografi. Është pak a shumë një marrëdhënie joshëse, tunduese, por që gjithmonë më ka fituar filmi, kinematografia. Ndoshta nuk jam aq i talentuar në teatër, nuk e di.

Vlerësime

Amnistia nuk do të harrohet, sikur edhe vetëm për arsyen e portreteve në film. Luli Bitri ulur në autobus me kokën mbështetur në anë i ngjan një Shën Mërie. Përkundër në fytyrën/pamjen e frikësuar të Karafil Shenës si Shpëtim, dallohen shenjat e pashlyeshme që ka lënë zhgënjimi, derisa takimi me Elsën fshin shumë thjesht melankolinë dhe zemëratën.

Hans-Joerg Rothe (Frankfurter Allgemeine)

Përdorimi i ngjyrave i realizuar nga Alimani, sidomos në skenat e burgut, të kujtojnë pikturat e Edwart Hopper. Pikturon në mënyrë unike realizmin dhe vetminë e personazheve të tij.

Regjisori nuk krijon vetëm një panoramë të shoqërisë shqiptare, por rrëfen një histori erotike e ndërthurur me elemente tragjedie.

Anna Hoffmann (Berlinale)

Seksi në burg nuk është asgjë. Amnistia ofron pamje të rralla nga e përditshmja shqiptare.

Fhilipp Buerler (Frankfurter Rundshau)

Regjisori Bujar Alimani, edhe pse në filmin e tij të parë me metrazh të gjatë, tregon se disponon eksperiencë, pasi realizon me saktësi të madhe të gjitha skenat duke i dhënë filmit një ton lirik.

Nga piktura te regjia

Vazhdon të pikturojë edhe sot. Kryesisht akuarele, të cilat i cilëson si dashurinë e tij të vjetër. Por kësaj dashurie më pas do ti bashkëngjiste dashurinë e tij mbase edhe më të madhe, regjinë. Pikërisht në kohën kur studionte në Liceun Artistik të Fierit për pikturë do të merrte shtysën e parë për tu marrë me regji. Ishte mësuesja e letërsisë Keti Bego, për të cilën Alimani shprehet se i është shumë borxhli dhe i detyrohet shumë, ajo që i dha ngacmimin në këtë drejtim. “Kur në një moment ajo lexoi disa nga hartimet e mia u bind që shkruaja shumë mirë. Mendoni ato vite në një provincë si Fieri, një qytet relativisht i vogël dhe shumë i ngurtë. Unë studioja në Liceun Artistik ku shumica e nxënësve ishin fëmijë të sekretarëve të Partisë, doktorësh, profesorësh etj., ndërsa unë vija nga një familje punëtorësh të varfër. Për herë të parë ky njeri më krijoi mundësinë të njoh veten, të mendoj që jam i aftë, që kam diçka dhe unë, ndoshta një talent brenda. Dhe kjo kaloi më pas në një fazë tjetër. Kur fillova të marrë veten dhe të ecë me një ritëm tjetër të gjërave, të vendosë se çfarë do të bëj në jetë, të kem tek e fundit besim te vetja ime. Kjo është gjëja më e rëndësishme që ka bërë tek unë mësuesja ime e letërsisë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›