E Shtunë, 31 Tetor 2026

Predha që vrau Aleksin, e deformuar

25/05/2011  Dëmtimi i majës së plumbit në masën prej 80%, nuk dihet shkaku i deformimit të predhës

Ekspertët ngrenë dyshimet e para, verifikohen raportet e Spitalit Ushtarak dhe turk

TIRANE-Zbulimi i autorëve të katër vrasjeve në demonstratën e 21 janarit vazhdon të rrethohet nga misteri. Kjo për shkak se dhe provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit, nuk përcaktojnë implikimin direkt të ndonjërit prej efektivave të Gardës së Republikës që ditën e 21 janarit kanë shërbyer pranë godinës së Kryeministrisë. Ky mister ka vijuar dhe gjatë kryerjes së ekspertizës së predhës që i mori jetën demonstruesit nga Lezha, Aleks Nikaj. Ekspertë pranë Institutit të Policisë Shkencore thonë se sapo kanë marrë në dorëzim nga Prokuroria predhën e sjellë nga Turqia, kanë konstatuar se plumbi kishte deformime. Burimet shtojnë se dëmtimi i tij është në masën 80 për qind dhe se mund të dallohet fare lehtë dhe me sy të lirë. Një fakt i tillë është konfirmuar dhe nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, e cila prej pesë muaj është duke kryer hetime lidhur me zbardhjen e 4 vrasjeve në demonstratën e 21 janarit. Momentalisht hetuesit e çështjes dhe ekspertët e Ministrisë së Brendshme kanë ngritur dy dyshime, mbi të cilat po punohet gjatë ekzaminimeve dhe krahasimeve të predhës me armët e gardës e gëzhojat e sekuestruara në vendin e krimit. I pari dyshim dhe më i besueshmi për hetuesit lidhet me mundësinë e deformimit të majës së predhës në shtresën kockore të kafkës. Këtë argument jo zyrtar, ata e mbrojnë duke pohuar se kafka përbëhet nga një shtresë shumë e fortë kockore, dhe se në shumë raste të ngjashme plumbi është gjendur me deformime. Ndërkohë që dyshimi tjetër i ngritur nga ekspertët e hetimit lidhet me mundësinë një rikosheti, gjë që tregon se predha fillimisht ka marrë kontakt me një trup të fortë, i cili më pas i ka devijuar dhe trajektoren. Duke lënë mënjane dyshimet e ngritura aktualisht ekspertët e institutit shkencor po analizojnë mundësitë nëse ekzistojnë elementët e mjaftueshëm për kryerjen e krahasimeve të mëtejshme. Për sa i përket kësaj çështje janë duke u verifikuar dhe raportet mjekësore të Spitalit Ushtarak dhe atij të hartuar nga mjekët turq, ku viktima Aleks Nikaj u kurua. Të gjitha këto veprime hetimore, do kryhen me qëllimin e vetëm, për të mësuar më shumë mbi plagën e shkaktuar nga plumbi. Nga pamjet filmike tregohet qartë se Aleks Nikaj është goditur nga një plumb i vetëm në kokë. Predha ka depërtuar në pjesën ballore të kokës dhe se plaga nuk është tejshkuese. Në momentin e goditjes shtetasi Aleks Nikaj ishte quke qëndruar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke mos kryer asnjë veprim kundër forcave të policisë dhe efektivave të Gardës së Republikës që ishin dislokuar në oborrin e Kryeministrisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›