Bujar Hoxha: Po tetëfishohen investimet, Berati po çlirohet nga pasojat e keqqeverisjes korruptive të socialistëve

Ura e Gorricës drejt fshatit Sinjë, do të jetë tashmë e re, falë një investimi prej 2 milion euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ajo do të jetë me gjatësi prej 7.7 km dhe me dy korsi që arrijnë së bashku në 7 metër. Afati i përfundimit të saj është 8 muaj dhe nga ndërtimi i saj përfitojnë 16 mijë banorë.
“Me këtë investim më të fundit, arrin në 40 milionë euro në total, investimi i qeverisë në këtë qark këto katër vite, ndërkohë që vetëm 5 milionë euro kanë qenë ato gjatë viteve 2001-2005, kur edhe drejtonin socialistët”, u shpreh Lefter Maliqi, kandidati i këtij qarku.
Të pranishëm në përurimin e fillimit të punimeve të kësaj rruge, ishin dhe kandidatët për deputetë të koalicionit të djathtë për qarkun e Beratit, Genc Pollo, Mehmet Xheka, Lefter Maliqi, Thoma Rrumniçi, si edhe Bujar Hoxha, i cili ishte edhe iniciatori i përshpejtimit të realizimit të këtij projekti aq të dobishëm për këto fshatra.
Pas prerjes së shiritit të inaugurimit, Genc Pollo u shpreh në fjalën e tij se, “Berati i lashtësisë dhe i historisë, do të jetë padyshim edhe Berati i demokracisë, pasi e majta, pas rebelimit të 97-s, e ka zhgënjyer elektoratin e saj, duke e konsideruar atë si xhep të vogël rezervë e të sigurt, por në fakt ka qenë i fundit për nga investimet gjatë qeverisjes së majtë. Ndërsa sot, për Beratin e UNESCO-s, kemi një projekt gjigant në hyrje të qytetit, rruga 2.4 km me vlerë 6 milionë euro, ura mbi Osum pranë Velabishtit 2 milionë euro, është oguri më i mirë dhe shenja e pamohueshme se boshti i Jugut e ka tashmë origjinën”, u shpreh Pollo.
Duke shprehur sigurinë në fitoren e PD-së, Pollo ftoi edhe zgjedhësit e kësaj zone, të japin votën e tyre për përfundimin e aksionit kombëtar, prej të cilit do të përfitojë edhe Berati.
“Presim verdiktin real dhe objektiv të popullit për të na ribesuar pas premtimeve të mbajtura për të përfunduar aksin kombëtar, i cili do të jetë edhe mjaft ekonomik për zonën e Beratit, me një vlerë prej rreth 500 milionë euro dhe që do të ndikojë dukshëm në rritjen e nivelit të jetës dhe të zhvillimit të turizmit në qytetin 2400 vjeçar. Hapja e fushatës elektorale do të jetë një ristartim për qarkun e Beratit, kjo për faktin se bandat tashmë janë në ‘folenë’ e kërkuar, ndërsa rrugët gëlojnë nga makinat e dyfishuara si qytet në 14 mijë, ndërsa uji dhe dritat ndrisin qytetin e lashtë, i cili kërkon vetveten në këto zgjedhje vendimtarë për të djathtën. Me një brez të ri të pa indoktrinuar nga e kaluara, me deputetë majtistë që kanë bërë rokadad e rrahës nga zhgënjimi që kanë lënë pas, pritet që slogani Shqipëria po ndryshon të startojë pikërisht aty ku edhe ka lindur qytetërimi ynë”, u shpreh më tej Pollo.
Nga ana e tij, biznesmeni i suksesshëm Bujar Hoxha, kandidati i PD-së në Qarkun e Beratit dhe inisiatori i përshpejtimit të realizimit të këtij projekti, u shpreh se “Berati është persekutuar nga qeverisja disavjeçare e drejtuesve lokalë e qendrorë socialistë. Tashmë Berati, ka filluar të shpëtojë nga ky persekutim. Investimet që vijnë duke u rritur, janë treguesi më i mirë i çlirimit nga ky persekutim”, u shpreh Hoxha.
...