Sot Shqipëri- Portugali, policia masa për sigurinë
TIRANE- Policia e kryeqytetit , ka marrë të gjitha masat për të garantuar zhvillimin normal të ndeshjes së futbollit, që do të zhvillohet në mbrëmjen e ditës së sotme, në stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa" në kryeqytet, ndërmjet kombëtare së Shqipërisë dhe asaj të Portugalisë, e vlefshme për Kampionatin Botëror të Futbollit.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, duke kërkuar edhe mirëkuptimin e qytetarëve, në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë para, gjatë dhe pas përfundimit të këtij aktiviteti sportiv, njofton se ,"do të ndalohet parkimi i të gjitha automjeteve përreth stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa", Sheshi "Italia", Sheshi "Nënë Tereza" duke filluar nga 08.00 e ditës së shtunë, deri në përfundim të këtij aktiviteti.
Gjithashtu, do të ndërpritet qarkullimi i automjeteve në rrugët që të çojnë në stadium dhe përreth tij. Gjatë hyrjes së sportëdashësve në stadium, nga ana e policisë do të ushtrohet kontroll i imtësishëm në drejtim të parandalimit të futjes në stadium nga tifozët, të sendeve të ndaluara si; mjete e sende të forta, fishëkzjarre, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parrulla me mbishkrime jo të përshtatshme.
(s.g/BalkanWeb)