E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Mjete të posacme votimi për votuesit e verbër

Qendrat e Votimit (KQV) do të pajisen me mjete të posaçme që do të lejonin zgjedhësit e verbër të lexojnë ose të kuptojnë fletën e votimit dhe të votojnë në mënyrë të pavarur. 

TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi përdorimin e një mjeti të posaçëm votimi, që do të mundësojë zgjedhësit e verbër të lexojnë fletën e votimit në procesin zgjedhor të 28 qershorit.

Nisur nga praktika e zgjedhjeve të vitit 2005 KQZ mjeti ka formën dhe përmbajtjen e fletës së votimit, por me alfabetin e përshtatshëm për personat e verbër. Me qëllim realizimin e këtij procesi çdo QV duhet të pajiset me një mjet të tillë.

Vendimi i sotëm i KQZ -së parashikon blerjen e rreth 5000 mjeteve të posaçme, që do të përdoren nga votuesit e verbër.
Kodi zgjedhor në nenin 108, pika 8 parashikon detyrimin e KQZ-së për të pajisur Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV) me mjete të posaçme votimi që do të lejonin zgjedhësit e verbër që të lexojnë ose të kuptojnë fletën e votimit dhe të votojnë në mënyrë të pavarur.
(s.g/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›