E Diel, 1 Nëntor 2026

Bujar Nishani: Sekuestrim pasurie për personat që ndiqen penalisht



Ditët e fundit qeveria shqiptare ka miratuar një projektligj të ri kundër krimit të organizuar. Sipas tij, pasuria e cila dyshohet se është vënë nëpërmjet veprimtarive kriminale, mund të sekuestrohet edhe nëse personi që e zotëron nuk ka një procedim penal. Në një intervistë për BBC-në, ministri i ri i Drejtësisë, Bujar Nishani, është shprehur për nevojën e thellimit të reformave në fushën e drejtësisë për të arritur standardet evropiane.

Fryma dhe gërma e ligjit në fakt bën fjalë për ngrirjen dhe më pas sekuestrimin e të gjitha atyre aseteve financiare të personave që hetohen për një vepër kriminale...

Iniciativa erdhi për shkak të një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë, e cila në njëfarë mënyrë bllokoi sekuestrimin e aseteve ekonomike dhe financiare të personave që hetoheshin për veprimtari kriminale në gjykatë. Ky është një shqetësim i cili në njëfarë mënyrë ka ndikimin e vet edhe në procesin e hetimit dhe gjykimit të grupeve kriminale. Nëse një grup kriminal apo individ i cili hetohet për një vepër të caktuar kriminale, vazhdon të përfitojë apo vjelë asetet e tij ekonomike, të ketë burime të mjaftueshme financiare, rezulton që shpeshherë këto i përdor në interes të devijimit të gjykimit apo të ndërhyrjes në procesin e gjykimit nëpërmjet formave të ndryshme të korrupsionit.

Pra, fryma dhe gërma e ligjit në fakt bën fjalë për ngrirjen dhe më pas sekuestrimin e të gjitha atyre aseteve financiare të personave që hetohen për një vepër kriminale, por që nuk e justifikojnë pasurinë që kanë, ndaj dhe procesi i ngrirjes dhe sekuestrimit të tyre mbështetet kryesisht në Kodin e Procedurës Civile, duke e shmangur pjesën tjetër që ka të bëjë më veprën penale për të cilën akuzohet dhe hetohet i akuzuari.

Zoti ministër, duke iu referuar gjithmonë relacionit të ministrisë suaj në projektligj thuhet se ndonëse procedimi penal ndaj një personi mund të pushojë, kjo nuk duhet të konsiderohet si pengesë për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë. A nuk bie kjo ndesh me ligjin shqiptar që nëse nuk pranohet fajësia e një personi, si mund ai të ndëshkohet duke i sekuestruar pasurinë?

Pikërisht, këtu qëndron dhe ndryshimi dhe thelbi i tij, sepse nëse hetohet për një vepër të caktuar penale, le të themi trafik i qenieve njerëzore apo drogës, rrëmbime, sekuestrime apo vrasje, natyrisht kjo nuk ka të bëjë me pjesën tjetër që lidhet me mënyrën se si e ka vënë këtë pasuri personi që akuzohet.

Nëse gjykata e gjen personin të pafajshëm për veprën penale për të cilën ai akuzohet, si p.sh. për trafikun e drogës, kjo nuk do të thotë që pjesa e pasurisë që ai ka vënë gjatë kohës që ai ka ushtruar veprimtarinë, ndoshta të paligjshme, por që nuk ka mundur të vërtetohet nga pikëpamja procedurale dhe e provave nga ana e gjykatës dhe ai nuk e justifikon pikërisht këtë pasuri që ka vënë apo këtë standard jetese që ai ka. Natyrisht kjo është një çështje tjetër që nuk i takon veprës për të cilën ai akuzohet, por veprimtarisë së paligjshme mbi bazën e të cilës ai ka përfituar këtë pasuri, e cila gjithsesi është e paligjshme dhe në të gjitha standardet dhe të gjitha përcaktimet qoftë të Kodit Civil, qoftë të Kodit Penal konsiderohet e paligjshme dhe duhet të sekuestrohet.

Zoti ministër, pak më parë përmendët termin standard i pajustifikuar i jetesës. A nuk rrezikon rënien në subjektivizëm dhe siç mund të kuptohet sot subjektivizëm do të thotë dhe korrupsion?

Ndoshta, por fundi i përgjigjes sime është që gjykata përmes një procesi të plotë hetimor do të vendosë nëse është i drejtë ky akt i marrë për ngrirjen e këtyre aseteve për t’i kaluar në sekuestrim apo jo. Pra, do të kemi një proces të rregullt gjyqësor, për këtë çështje nuk do të bëhet aprori me një institucion që nuk ka autoritetin e gjykatës. Nga ana tjetër bëhet fjalë pikërisht për të marrë një vendim mbi bazën e provave ku individë me veprimtarinë e tyre të përditshme ekonomike që kanë, nuk e justifikojnë atë pasuri.

Sot ne kemi një ligj për kontrollin e pasurive të gjyqtarëve të lartë, i cili pavarësisht që një gjyqtar nuk ka kryer një vepër penale, ai duhet të justifikojë pasurinë të cilën disponon dhe nëse këtë pasuri që ka nuk e justifikon, atëherë ajo bllokohet dhe hapi i dytë është mbajtja e përgjegjësisë penale.

Aq më tepër për individë që janë të përfshirë në veprimtari kriminale apo hetohen si të tillë unë mendoj që ky standard i marrë nga eksperienca evropiane duhet të aplikohet dhe në Shqipëri, aq më tepër me problemet që ka Shqipëria me luftën ndaj krimit të organizuar, e cila duhet të vijë dhe të konsolidohet.

Zoti ministër, sikurse është vënë re në disa raporte të fundit të ndërkombëtarëve, drejtësia shqiptare është mjaft e kritikuar dhe si shkak për këtë përmendet ndërhyrja e politikës. Ju sapo jeni emëruar ministri i ri i Drejtësisë. Çfarë reformash standarde priten të ndërmerren për të kthyer drejtësinë shqiptare në rrugën e duhur?

Unë besoj që drejtësia shqiptare është në rrugën e duhur, ka problemet e veta pa diskutim ashtu siç ka në të gjitha fushat e tjera të jetës. Unë e konceptoj pozicionin e ministrit në lidhje me relacionet që ai ka me gjyqësorin në dy shtylla.

Së pari, ministri duhet të jetë mburoja kryesore e pavarësisë së gjyqtarit, pra gjyqtari duhet të shikojë tek ministri i Drejtësisë mburojën kryesore të pavarësisë së tij, ashtu siç nga ana tjetër ministri duhet të jetë mbrojtës pa dyshim dhe i ekzekutimit dhe i vlerësimit dhe respektimit të së drejtës për një gjykim të barabartë dhe të ndershëm të qytetarit përballë trupit gjykues. Unë mendoj që ne do të fillojmë të lëvizim më shumë në fushën e nivelit të profesionalizmit ndaj gjyqtarit. Natyrisht, pjesa tjetër e reformës në drejtësi është shumë e gjerë, së pari, ka nevojë për dy elemente bazë: një që përfshin politikën që kërkon pjesën konsensuale të politikës në vend, si aktorë që kanë përgjegjësi për zhvillimin dhe evolucionin e mentalitetit të shoqërisë në të cilën ne jetojmë dhe nga ana tjetër ka të bëjë pikërisht me çështjet e bashkëpunimit dhe partneritetit në arritjen e një legjislacioni të një standardi evropian mes të gjithë aktorëve që janë të përfshirë në fushën e drejtësisë.

Zoti ministër, le të ndalemi pak tek çështja e avokatisë. Disa çështje gjyqësore vazhdojnë prej vitesh në Shqipëri dhe shumë herë është thënë se shkak për këtë janë vonesat që shkaktojnë avokatët e palëve. Së fundi, ju jeni shprehur se do të nxirrni një ligj të ri për avokatët që ata mos të mund t’i shtyjnë pafundësisht proceset gjyqësore. Do të donim pak më shumë për këtë iniciativë tuajën.

Ju falënderoj që ma jepni këtë mundësi dhe për të qartësuar. Nuk është folur në mënyrë konkrete se do të ndërhyhet në ligjin e avokatisë apo në një ligj specifik. Ideja që unë kam shprehur, ka qenë një ide që ka buruar pas disa konsultimeve që unë në pozicionin e ministrit kam realizuar me drejtues të institucioneve të zbatimit të ligjit dhe me drejtues e përfaqësues të dhomës së avokatisë, tek të cilët kam gjetur të njëjtin shqetësim, për hir të së vërtetës. Kjo natyrisht ka nevojë për një konsultë të gjerë, ka nevojë së pari realisht se ku duhet bërë ndërhyrja, cila procedurë do saktësuar dhe duhet bërë më strikte. Së dyti, duke pasur parasysh respektimin maksimal të të drejtave fondamentale të njeriut dhe së treti për ta pasur tërësisht të përafruar me jurisprudencën e Strasburgut atë pjesë të legjislacionit ku do të ndërhyhet. Në momentin që arrihen të tria këto çështje dhe konvergohen në një konkluzion të pjekur, besoj se ai do të jetë pastaj momenti i ndërhyrjes dhe i drejtimit të ligjvënësit për ta mbështetur këtë iniciativë.

Së fundmi, zoti Nishani, nën juridiksionin e ministrisë tuaj janë edhe zyrat e Përmbarimit, për të cilat dihet që vërejtjet janë të shumta. Disa shifra bëjnë të ditur se rreth 3500 vendime gjyqësore të formës së prerë nuk janë zbatuar, ndonëse u ka kaluar mjaft afati. Puna shkon deri atje sa punonjës të Përmbarimit e lënë zbatimin e vendimeve në dorë të postierëve, por që është e qartë se mbas tyre fshihen dhe afera korruptive. Çfarë pritet të ndryshojë në këtë drejtim?

Është e vërtetë që ekzekutimi i vendimeve të gjykatave ende është një shqetësim dhe përbën një problem. Unë besoj që me hapin e fundit që ka ndërmarrë qeveria shqiptare dhe Parlamenti me dhënien e mundësisë së krijimit të një alternative tjetër, siç është shërbimi përmbarimor privat, do të vërë në funksionim dhe do të gjejë një zgjidhje tjetër. Pra, persona të licencuar, të trajnuar do të kenë mundësinë që jashtë ndikimit të pjesës publike, të ekzekutojnë dhe realizojnë këto vendime të gjykatave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›