Qeveria, zgjidhja e pronave, deri më 30 qershor 2010
Qeveria “Berisha 2” i jep zgjidhje përfundimtare çështjes së pronave brenda datës 30 qershor 2010. Këshilli i Ministrave vendosi dje të ndryshonte me ligj afatin e shqyrtimit të ankesave për kthimin e pronave, rreth 8 mijë të tilla, deri në 30 qershorin e ardhshëm. Ky konsiderohet edhe afati maksimal që, sipas kreut të qeverisë, Sali Berisha, do t’u japë zgjidhje ankesave për pronat, duke çuar më pas në shkrirjen e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Berisha premtoi shqyrtimin e secilës prej dosjeve të ish-pronarëve. Një tjetër ndryshim është edhe shkrirja e AKKP-ve në rrethe, ndërkohë që pas mbylljes së shqyrtimit të volumit të madh të dosjeve, do të pushojë së ekzistuari edhe agjencia qendrore. Kryeministri Berisha njoftoi në mbledhjen e djeshme të qeverisë se nuk do të ketë më shtyrje afati për dorëzimin e ankesave të tjera dhe se AKKP-së i nevojitet akoma më tepër kohë për të trajtuar edhe 8 mijë kërkesa që kanë mbetur pa shqyrtuar të cilat janë dorëzuar deri në 30 qershor. Sipas kreut të qeverisë, po përgatitet një ligj i veçantë për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ndërkohë janë rreth 8 mijë ankesa, të cilat do të marrin përgjigje brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm. "Nuk do të ketë zgjatje afati për paraqitje ankesash pranë AKKP-së, por ligjvënësit duhet të autorizojnë agjencinë që të shqyrtojë të gjitha ankesat e paraqitura para datës 30 qershor, të cilat janë jo të pakta, po rreth 8 mijë dosje që nuk u shqyrtuan dot në afat. Atëherë ne duhet të autorizojmë me ligj agjencinë që ankesat e ardhura para datës 30 qershor dhe që kanë mbetur pa shqyrtuar, të marrin përgjigje, në mënyrë që agjencia të shkojë drejt shuarjes së saj natyrale", - theksoi Kryeministri Sali Berisha. Çështja e pronave është një ndër kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në familjen evropiane. Qeveria shqiptare është e angazhuar seriozisht për të përmbushur edhe ketë kriter të rëndësishëm duke i dhënë zgjidhje konkrete problematikës së pronave në Shqipëri.