E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradimet, Ina Rama përplaset me Ministrinë e Drejtësisë



Prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, kërkoi dje që institucioni i saj të ketë çdo dosje që ka të bëjë me ekstradimet apo me letër-porositë që vijnë nga autoritetet e huaja, ndërsa kjo ka shkaktuar një përplasje mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë. Kjo u bë e ditur dje gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve për shqyrtimin e projektligjit “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”. Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Arben Braçe, tha në komision: “Kemi pasur një përplasje me Prokurorinë e Përgjithshme për këtë çështje. Shqetësimi i Prokurorisë është se autoritetet e huaja në kuadër të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë, jo vetëm për njoftimet, por edhe më gjerë si ekzekutimet e ndryshme që kanë të bëjnë me krimet e rënda, kërkojnë të ketë informacion të drejtpërdrejtë. Në shumë raste Prokuroria e Përgjithshme nuk ka informacion mbi letër-porositë e ndryshme që vijnë nga autoritetet e huaja. Për shembull, në rast se Ministria e Drejtësisë ia çon direkt Prokurorisë së Sarandës nga Ministria italiane, prokurori i përgjithshëm i kërkon Prokurorisë së Sarandës dosjen e plotë për ta parë. Shqetësimi i Prokurorisë ka qenë që ajo t’i mbledhë të gjitha këto kërkesa dhe pastaj ajo t’i shpërndajë. Pavarësisht se nuk ka shumë efiçencë, por ka informacion”, - deklaroi Arben Braçe. Njëkohësisht, ai tha më tej se ka një debat me Prokurorinë edhe për njoftimin e shtetasve. Sipas tij, Prokuroria ka bërë ndonjëherë edhe punën e gjykatës pasi ka lajmëruar shtetasit. “Në pikën 2 dhe 3 ne kemi debat me Pprokurorinë e Përgjithshme që ka të bëjë me njoftimin e shtetasve. Debati qëndron në çështjen se cili do të jetë organi kompetent që do të bëjë njoftimin, prokuroria apo gjykata. Ligji shprehet që e ka gjykata. Prokuroria në shumë raste e quan të përfunduar njoftimin e shtetasve”, - tha më tej ai. Pas ndërhyrjes së tij, deputeti Enkelejd Alibeaj pohoi se në këtë pikë e ka të zgjidhur qartë Kodi i Procedurës Penale, që njoftimet i bën gjykata.

Projektligji

Problemet në ekzekutimin e letër-porosive dhe ekstradimeve janë bërë shkak për hartimin e këtij projektligjit të ri. Ndryshimet parashikojnë zhdërvjelltësim të procedurave për të pasur ekstradime të shpejta. Nevoja e hartimit të këtij projektligji lind nga problemet e hasura në praktikë në marrëdhëniet me autoritetet e huaja dhe nga vështirësitë në lidhje me aplikimin e konventave të ratifikuara nga Shqipëria në fushën penale, veçanërisht për sa u përket raporteve të ligjit të brendshëm me atë ndërkombëtar. Hartimi i këtij ligji i shërben përmirësimit të marrëdhënieve me autoritetet gjyqësore të huaja dhe shmang shumë probleme, si të karakterit procedural, ashtu edhe të mospërputhjes midis ligjit vendas dhe atij të huaj. Nëpërmjet këtij projektligji synohet të rritet efiçenca e zbatimit të ligjit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm në fushën penale. Në transferimin për vuajtjen e dënimit normohet transferimi i shtetasve shqiptarë të dënuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për qëllime të vazhdimit të vuajtjes së dënimit në Republikën e Shqipërisë dhe transferimi i shtetasve të huaj të dënuar në Republikën e Shqipërisë për qëllime të vazhdimit të vuajtjes së dënimit në shtetin e shtetësisë. Dispozitat mbi pranimin e ndjekjes penale përcaktojnë procedurat në lidhje me pranimin e ndjekjes penale nga një shtet i huaj si dhe trajtimin e kërkesave të një shteti të huaj për pranimin e ndjekjes penale, çfarë duhet të përmbajnë këto kërkesa, procedurat që ndiqen mbi kërkesën e një shteti të huaj për pranimin e ndjekjes penale dhe rastet e refuzimit të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›