Bujqësi me paratë e qeverisë, ja kriteret

Skema e plotë mbështetëse për bujqësinë shqiptare për vitin 2022 është shoqëruar edhe me kriteret që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar paratë publike. Mbështetja ka të bëjë, jo vetëm me rritjen e produktivitetit, aksesit në tregje për fermerët, por edhe me sektorët e ndërtimit të serave, të blegtorisë dhe të peshkimit, zgjerimin e gamës së përfituesve të skemës aktuale të karburanteve, në kushtet e një tregu gjithnjë në rritje të çmimit të naftës.
Në skemat e subvencionimit, parashikohet mbështetje për fara/fidanë dyqind mijë lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe luleshtrydhe për fermerë individualë ose grup-fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se një ha. Qeveria ofron jo më shumë se një milion e pesëqind mijë lekë për aplikant. Për ndërtimin e serrave diellore të reja nga një deri pesë ha për subjekt, masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se trembëdhjetë milionë lekë për ha. Qeveria mbështet edhe mbështet edhe kultivimin e bimëve mjekësore e romantike në vlerën gjashtëdhjetë mijë lekë/ha, për fermerë individualë ose grup-fermerësh, por jo më shumë se një milion lekë për aplikant.
Edhe blegtoria përfiton , për fermat me jo më pak se njëqind krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën një mijë e dyqind lekë/krerë, por jo më shumë se treqind e gjashtëdhjetë mijë lekë për subjekt
Ne sektorin e peshkimit për blerjen e anijeve të peshkimit tregtar profesional, që zëvendësojnë anijet ekzistuese subvencioni është sa 50% e vlerës totale të faturave tatimore të blerjes, por jo më shumë se njëzet milionë lekë për subjekt peshkimi.
Edhe rinovimi i infrastrukturës së anijes së peshkimit është pjesë e subvencionimit, por jo më shumë se 7,2milionë lekë për anije peshkimi
I ndjeshëm është subvencioni i naftës për bujqësinë. Qeveria subvencionin naftën për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, në vlerën deri në 950 milionë lekë. Subjektet përfituese mbështeten me sasi nafte falas në barasvlerë të lehtësimit fiskal të naftës që përdoret për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, sipas kritereve dhe masës së përfitimit, të përcaktuara në këtë vendim.
Ndërtimi i tregjeve të produkteve bujqësore ose tregjeve të kafshëve të gjalla për shoqëritë aksionare me kapital 100% shtetëror, mbështetet në vlerën jo më shumë se 30 milionë lekë, nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural , që ekzekuton transferimin e fondit përkatës te bashkia përkatëse, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e këtij fondi.
Një skeme kombëtare trajnimi në bujqësi dhe ngritja e Qendrës së Ekselencës dhe Inovacionit të Sistemeve Prodhuese, në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), do të financohet në vlerën deri në 50 milionë lekë.
Sektori i bujqësisë në vend punëson rreth 40 për qind të numrit të përgjithshëm të punësuarve. Sipas Eurostat, pesha e bujqësisë, në vlerën e shtuar bruto të ekonomisë në vend, në vitin 2020, ishte 21.8%, shumë më e lartë se Maqedonia e Veriut -e dyta pas nesh- dhe mesatarja e Bashkimit Evropian prej 1.6%.
/rtsh/