Bujqësia, 23 milionë USD investime në 2009
TIRANE- Rreth 23 milion USD është fondi i parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2009 për investimet në sektorin e bujqësisë. Burime nga MBUMK bënë të ditur se në programin e investimeve prioritet i është kushtuar kryesisht programeve "Infrastruktura e Kullimit dhe Ujitjes" me 37,0% të investimeve dhe "Zhvillimi Rural" me 24,7%.
Banka Botërore në një studim të fundit ka vërejtur se Shqipëria ka produktivitet të ulët bujqësor të krahasuar me Bashkimin Evropian dhe vendet me ekonomi të ngjashme në tranzicion. Sipas Bankës Botërore eficenca e fermerëve shqiptarë luhatet nga 24 deri në 31 përqind, në varësi të sipërfaqes së tyre. Ajo ka vërejtur se nëse sipërfaqja e fermave në Shqipëri rritet me 10 përqind, prodhimi total bujqësor në vend do të rritej me 5 përqind dhe do të nxiste fermerët të modernizonin teknologjinë. Por ferma mund të rritet nëse stimulohet tregu, i cili është i bllokuar për shkak të problemeve të pronësisë.
Pa asnjë lloj mbështetjeje, përjashtuar nga të gjitha skemat shtetërore, tokat kanë mbetur djerrë, ndërsa në shifra, sipas raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar kemi një rënie në prodhimit real në këtë sektor me 1.9 për qind. Duke vlerësuar këtë faktor të rëndësishëm në ofertë për ekonominë, disa herë Guvernatori i BSH-së ka kërkuar që të merren politika mbështetëse në këtë sektor. Por bujqësia shqiptare nuk ka patur asnjë mundësi që të shmangë krizën, pasi çmimet rekord të naftës e kthejnë këtë sektor në kohën e parmendës. Me një çmim nafte që ka mbërritur në 150 lekë për litër, askush nuk mund të mbjellë dhe të korrë. Një gjë e tillë mund të thuhet me siguri në rastin e drithërave, ku pavarësisht çmimit të lartë të prodhimit përfundimtar, kostoja e mekanikës bujqësore nuk lejon që t'i shkohet procesit deri në fund. Edhe eksperimenti për subvencionim të bujqësisë me anë të një skeme, që mbetet tërësisht i pa-aplikueshëm, nuk solli asgjë të re. Varfëria ka mbërthyer gjithë popullsinë që jeton në këto zona, të cilat kanë mbetur tërësisht jashtë vëmendjes shtetërore. Në gjithë raportet e vlerësimit të varfërisë në vend, të varfrit identifikohen me fjalën "fshat".
Rënia e ndjeshme e prodhimit bujqësor ka bërë që pesha e tij të bjerë ndjeshëm, ndërsa specialistët e ekonomisë kërkojnë me forcë që ai të rritet në kushtet e krizës botërore të ushqimeve. Por kur në Europë dhe në shumë vende të tjera çdo produkt bujqësor është 50 për qind i subvencionuar, në Shqipëri, si në asnjë vend të rajonit, nuk ka asnjë subvencion për bujqësinë, kur 50 për qind e popullsisë jeton në zonat rurale.
(O.Zhupa, BalkanWeb)