E Diel, 1 Nëntor 2026

Bujqësia, 6.6 miliardë lekë buxheti për vitin 2010



Sektori i bujqërisë ka më shumë mundësi zhvillimi për vitin që vjen, pasi dhe fondet e vëna në dispozicion për këtë sektor janë më të larta. Projektbuxheti i miratuar në qeveri për sektorin bujqësor parashikon një rritje prej 11 për qind, ose nga 60 milionë dollarë që ishte në vitin 2009, arrin në 66.7 milionë dollarë për vitin 2010, duke u bërë sektori me rritjen më të lartë të financimit buxhetor. Për vitin 2010, buxheti i bujqësisë është 6.6 miliardë lekë. Në zërat e buxhetit 2010, rritje të ndjeshme kanë investimet për infrastrukturën e kullimit dhe ujitjes. Nga 2 miliardë lekë që kanë qenë në vitin 2009, kanë shkuar në 2.6 miliardë lekë për 2010. Por brenda këtij buxheti ka ndryshuar dhe komponenti - investim i përcaktuar për vaditje–kullim - që është përcaktuar 1.7 miliard lekë, pra është rritur me 70%. Përparësi do t’i jepet ndërhyrjes në rrjetin kullues dhe ujitjes në zonat bujqësore si në Ultësirën Perëndimore, në rajonin e Korçës etj. Buxheti i vitit 2010 ka një përmirësim të ndjeshëm të strukturës, pasi fondet që në vitet e mëparshme përdoreshin për shpenzime operative, tanimë janë orientuar drejt investimeve në infrastrukturën e tregjeve bujqësore. Rritje do të ketë dhe në skemat e mbështetjes për bujqësinë: nga 10 milionë dollarë që kanë qenë në vitin 2009 do të shkojë në 13 milionë dollarë për vitin 2010. Kjo skemë do të orientohet në disa aktivitete të reja, si dhe do të diferencohet sipas rajoneve të vendit, në përputhje me potencialet prodhuese dhe kushtet klimatiko–tokësore të secilit rajon.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›