Skema për rimbursim, vështirësi në zbatim
Prodhimi bujqësor ka pasur nivele në rënie duke u shoqëruar me një rritje çmimesh në treg
TIRANË- Në dallim nga modeli i deritanishëm i zbatimit të Tatimit të Vlerës së Shtuar në sektorë të tjerë, rimbursimi për fermerët mbetet i vështirë. Së pari në këtë skemë nuk do të përfshihen pjesa më e madhe e ekonomive fermere, rreth 70% e produktit të prodhuar nuk del fare në treg, por është për vetëkonsum. Por edhe për këto prodhime fermeri ka paguar TVSH-në e imputeve. Kjo është pjesa e parë që përjashtohet. Por edhe në rastin e 30% të mbetur që pritet të përfitojë rimbursimin problemet mbeten serioze, pasi blerësi i prodhimit duhet të jetë person i tatueshëm, duke përjashtuar në këtë mënyrë të gjitha shitjet nga fermeri tek konsumatori. Kjo nuk është skema e parë në sektorin bujqësor e cila ka pasur një fat të keq. Me ardhjen në pushtet të qeverisë së djathtë filloi skema e naftës pa akcizë për fermerin, e cila kishte një çmim prej rreth 40 lekë për litër. Por skema u kritikua shpesh herë për abuzime dhe u ndërpre. E njëjta situatë ishte edhe në sektorin e peshkimit ku u ndalua dhënia e naftës pa akcizë. Për vitin 2008 TVSH-ja prej 6% është edhe projekti kryesor për financimin e sektorit bujqësor. Rritja e fundit e çmimeve në treg është vlerësuar sipas Bankës së Shqipërisë si një krizë që ka ardhur kryesisht prej prodhimit të pakët bujqësor. Ka qenë vetë Guvernatori Fullani që ka kërkuar nga ana e qeverisë që të ndërmarrë një politikë më aktive në drejtim të financimit të sektorit bujqësor, pasi edhe në tregjet ndërkombëtare rritja e çmimeve të produkteve bujqësore është një fenomen i pritshëm. Nga ana tjetër në kuadër të marrëveshjeve të tregtisë së lirë, sektori bujqësor mbetet më i diskriminuari pasi në shumë vende japin subvencione në shifra të mëdha në drejtim të bujqësisë, duke konkurruar në mënyrë të padrejtë edhe në tregun vendës. Në zonat rurale numërohen rreth 360 mijë ekonomi bujqësore ku pjesa më e madhe e tyre jetojnë në kushte të vështira, pasi edhe toka që kanë disponim është në sipërfaqe të ulëta.