E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bujqësia, ja mbështetja nga qeveria për 2022

Qeveria shqiptare ka hartuar dhe miratuar një skemë të plotë mbështetëse për bujqësinë shqiptare, për vitin 2022. Mbështetja ka të bëjë, jo vetëm me rritjen e produktivitetit, aksesit në tregje për fermerët, por edhe me zgjerimin e gamës së përfituesve të skemës aktuale të karburanteve, në kushtet e një tregu gjithnjë në rritje të çmimit të naftës.

Përveç këtyre sektorëve, autoriteti që mbikqyr bujqësinë shqiptare, ka hartuar dhe miratuar edhe skemën e mbështetjes së fermerëve nga institucione akademike në vend.

Sektori i bujqësisë në vend punëson rreth 40 për qind të numrit të përgjithshëm të punësuarve, por në gjashtë muajt e fundit kemi humbur 29.000 punëtorë.

Paga mesatare në këtë sektor, sipas INSTAT është vetëm 35. 580 lekë. Politikat lehtësuese të ndërmarra në këto vite si; nafta falas, TVSH zero për imputet bujqësore-plehra e pesticide, farëra e fidane, makineri e pajisje bujqësore; tatim mbi të ardhurat zero, për të ardhura të bujkut deri në 140 milionë lekë etj, nuk kanë mundur të ri ngrenë bujqësinë shqiptare.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2018 kemi humbur 100 mijë krerë bagëti, 54 mijë vetëm lopë, sepse skema aktuale nuk favorizon përpunimin e prodhimit vendas të prodhuesve të qumështit; kemi humbur 300 mijë krerë të leshta, 143 mijë krerë të dhirta, sepse skema nuk favorizon përpunimin e prodhimit vendas të prodhuesve të qumështit e të mishit prej tyre; kemi humbur 23mijw tonë qumësht, 7 mijë ton grurë për të njëjtën arsye: përpunuesit humbin para, nëse përpunojnë prodhimin vendas.

Sipas Eurostat, pesha e bujqësisë, në vlerën e shtuar bruto të ekonomisë në vend, në vitin 2020, ishte 21.8%, shumë më e lartë se Maqedonia e Veriut -e dyta pas nesh- dhe mesatarja e Bashkimit Europian prej 1.6%.

Në kontrast, mbështetja e buxhetit për bujqësinë është shumë e ulët. Të dhënat e OECD-së tregojnë se mbështetja për hektarë në Shqipëri është 30 euro, kundrejt 200 euro në Maqedoninë e Veriut, 100 euro në Serbi, 180 euro në Kosovë dhe 400 euro në Bashkimin Europian. Paketa mbështetëse e qeverisë pritet të ndikojë në ndryshimin e kësaj gjendjeje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›