E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujqësia në drejtim të paditur

Realiteti i turbullt në bujqësinë shqiptare nuk ngjan fare me fletët e bardha të librave me grafikët me ngjyra. Terreni ka probleme nga më të ndryshmet, të cilat konvergojnë në shtrëngesën kosto-çmim. Pra, produktet vendase dalin me kosto të lartë, për shkak të çmimeve të larta të inputeve bujqësorore, kështu ato nuk janë konkurruese në treg. Përveç kësaj, në kushtet e mungesës së plotë të sistemit të marketingut, produktet mbeten brenda portës së fermës, pra ato nuk mund të shkojnë në treg.

Në fshatrat e Qarkut të Kukësit, një sasi e madhe patatesh, e cila përbën edhe produktin kryesor që përshtatet me kushtet agroekologjike të këtij qarku, ka mbetur pa destinacion dhe fshatarët kanë qenë të detyruar ta groposin.

Reagimi i nxituar nga Ministria e Bujqësisë e Ushqimit dhe e Mbrojtjes së Konsumatorit se, groposja e produkteve është traditë e bujqve për të ruajtur produktet të freskëta, bie ndesh me konceptin e teorisë së ekonomisë së tregut.

Të gjithë ata që kanë pasur kontakte me fshatin e dinë se fshatarët që banojnë, kryesisht në zonat e ftohta, dhe janë të izoluar për shkak të mungesës së infrastrukturës, ruajnë produkte për t’i konsumuar gjatë dimrit, por në këtë rast mijëra kv patate janë ca si shumë për t’u vetëkonsumuar. Nga ankesat e vetë fshatarëve, por edhe nga logjika e thjeshtë e kujtdo, pavarësisht nga njohuritë bujqësore që ai ka, duket se është një produkt i mbetur pa shitur, i cili ka tronditur jashtëzakonisht shumë financat e familjeve të varfra fermere.

Po ashtu, nëse shkon në Patok të Laçit, aty dëgjon se një familje fermere tepricën e qumështit ua hedh derrave për ta pirë. Apo nëse shkon 12 km larg Tiranës, në fshatin Gjylyskana, do të shtangesh tek sheh se është kaq i izoluar. Rruga fare e shkurtër që e lidh fshatin me rrugën kryesore e thith kafshën e punës në baltën në formë bataku dhe fshatari, tek rreket për ta nxjerrë, shfryn gjithë inatin e tij ndaj qeverisë.

Pyetja që të mundon tek dëgjon ankesat pa fund të tyre është: Këta fermerë prodhojnë për të shitur apo shesin tepricat? Përgjigjja është, as njërën e as tjetrën. Po përse ndodh kështu?

Shembulli më i thjeshtë shërben për të shpjeguar parimin bazë.

Çdo mëngjes, fermeri, tek pi kafenë me bashkëshorten e tij, bisedon në lidhje me mbjelljet e reja. Pyetja e tyre është: Çfarë do të mbjellim, sa do të mbjellim, si do ta mbjellim, për kë do të mbjellim?

Të gjitha këto pyetje janë shumë të vështira, për t’iu përgjigjur. Në një zonë rurale të harruar nga qeveria, një fshatar, i cili përdor gjithë intuitën e tij bazuar në eksperiencën e etërve të tij e ka të vështirë, e gati të pamundur, të menaxhojë atë copë fermë në mënyrë eficiente.

Ajo që në fakt ai dëshiron është, që të prodhojë ato sasi dhe vetëm ato, nga shitja e të cilave do të marrë fitimin maksimal.

Për të arritur këtë objektiv, fermerit i duhet: 1) Informacioni, ky mall kaq i rrallë, që ia vlen ta blesh me çdo çmim. Informacioni nga Ministria e Bujqësisë e Ushqimit e Mbrojtjes së Konsumatorit nuk sigurohet. 2) I duhet subvencion për materialin mbjellës e inputet e tjera. Kjo gjë nuk i sigurohet, madje ndonjëherë mbjell e korr misër pa kokrra. 3) I duhen qendra grumbullimi, të cilat nuk ekzistojnë. 4) I duhen rrugë që ndihmojnë nxjerrjen e produktit nga fshati e jo rrugë që lehtësojnë importin.

Nëse bujqësia shqiptare do të kishte nevojë për financim, ai me siguri do të drejtohej në marketing dhe marketingu fillon që në mbjellje. Pra, ta kesh shitur prodhimin që në momentin që e mbjell. Po për këtë nuk mjafton vetëm të vësh syzet e ekonomisë së tregut.

Mbi të gjitha nevojitet një vullnet politik për të ndihmuar fshatin. Jetojmë në epokën e menaxhimit, ku politika është vështirë, apo asfare nuk kuptohet pa një lider-menaxher. Që të ketë të tri karakteristikat e një lideri të suksesshëm: 1. kreativ, 2. të marrë riskun, 3. të udhëheqë.

Të gjitha përpjekjet për të reklamuar “suksese” në sferën e bujqësisë janë thjesht një retorikë boshe. Ora e saj ka kaluar, ka ardhur ora e një qeverisjeje të re, me objektiva e politika të përcaktuara qartë, mbi bazën e analizave e vlerësimeve të qarta, krejtësisht e kundërt me politikat militantiste, që synojnë jetëgjatësinë e pushtetit personal, në dëm të interesave të zhvillimit të qëndrueshëm e të harmonizuar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›