Sepse shteti prapë nuk ishte
Përpara disa kohësh, kur u protestua për mungesën e sigurisë së jetës së qytetarëve në këtë vend, shumë diletantë të politikës nxituan të vjellin vrer mbi atë manifestim. Madje, edhe kohë më pas, ajo protestë merrej si shembull i mungesës së alternativave, si gafë e madhe, si një përpjekje “për të përfituar nga vdekja” e marrëzi të tjera këso. Problemi i pasigurisë - për jetën, për pronën, për të ardhmen - mbase nuk ka pse të ngjyroset politikisht. Por, në të njëjtën kohë, mund të mos penalizohesh politikisht pse merr mundimin t’ia kujtosh këtë gjë shtetit, administratës, liderëve qeverisës që e shohin vendin tonë modest si “të parin në rajon”, pse jo dhe më gjerë.
Një vend që është i pari në rajon, në daçi edhe për reformat më elementare, nuk vuan kësisoj nga dita në ditë, nga java në javë, nga muaji në muaj, nga tragjedia në tragjedi. Më tej, të heshtësh, të mos protestosh, përkundrazi, të duartrokasësh për çdo metër rrugë që asfaltohet e për çdo kanal që hapet, kjo nuk ka pse të jetë e pëlqyeshme për një qeveri a forcë politike në pushtet. Ka një masë e një sens; jo çdo fatkeqësi mund të quhet e evitueshme dhe pa precedent. Por, tragjedi pas tragjedie, duket sikur ky vend dhe ne, qytetarët e tij, jemi mësuar tashmë me të keqen. Ne mund ta presim dhe ta përtypim atë në çdo çast. Nga çdo anë. Kjo ndodh për shkak se ky shtet nuk vigjëlon mbi sigurinë e jetës së qytetarëve të tij.
Nuk ke çfarë të thuash tjetër, kur në një qytet aq të njohur për ndërtimet e tij karakteristike e të çuditshme, tashmë nën mbrojtjen e UNESCO-s, një pallat i tërë shëmbet si lodër dhe llahtaris e zë brenda banorët e tij. A thua nuk jemi një vend evropian, që pothuaj është anëtarësuar në NATO dhe që pret ftesën për kandidat i BE-së, por një krahinë e humbur, kushedi ku, në skajet e botës së prapambetur.
Ngado që t’i vërtisësh argumentet, nuk janë dhe nuk mund të jenë këto kushtet e jetesës dhe standardet e sigurisë të një vendi që aspiron t’i bashkohet pjesës më të qytetëruar të botës. Dhe kjo ka një arsye të thjeshtë, që tashmë e dinë të gjithë qytetarët shqiptarë. Shteti i tyre është i dobët. Shteti i tyre vlerësohet si një nga më të korruptuarit e rajonit. Shteti i tyre karakterizohet nga institucione të brishta dhe nga një luftë politike e paprinciptë. Shteti i tyre nuk e kontrollon dot territorin e vet; dhe kjo është faktuar shumë herë.
Shteti nuk ishte në Gjirokastër. Më parë, ai nuk ka qenë as në Lundër, kur një varkë amatorësh, e palicensuar, në një lokal të palicensuar dhe të pakontrolluar nga shteti, shkaktoi një tragjedi nga më të pabesueshmet. Shteti nuk ishte kur vdiq Kosta Trebicka. Është e lehtë të sulmosh të tjerët pse dyshuan (madje edhe pse dyshojnë ende) për aksidentin e tij. Por nuk është e lehtë të kapërdish mosmbrojtjen dhe pastaj vdekjen e njeriut që guxoi e demaskoi trafikun e armëve dhe përfshirjen e shtetit në atë trafik. Shteti nuk ishte as në Butrint, ku gjithashtu humbën jetën tragjikisht njerëz të pafajshëm, të shpërfytyruar për shkak të varfërisë dhe standardeve të paqarta në lidhje me mbrojtjen e jetës së tyre. Nuk ishte as në atë më të rëndën tragjedi të këtij tranzicioni pas vitit ’97, në Gërdec.
Shteti ka munguar edhe më parë, në tragjedinë e Otrantos, bie fjala. Por po të kesh një fije kohë të lirë e të ndjekësh emisionet e shumta televizive, që mbajnë pak a shumë okeliot “Ku je?”, “Njerëz të humbur”, etj., trishtohesh edhe më; pasi të kesh konstatuar se numri i madh i të zhdukurve, në rrethana të ndryshme, është më shumë se i dhimbshëm. Dhe në të gjitha këto zhdukje, shteti nuk ka qenë. Mbase nuk është ende. Me një bilanc sa më serioz, gjithëpërfshirës, më në fund edhe me ndonjë ide a mekanizëm sadopak parandalues.
Shteti nuk ishte në Gjirokastër, sepse atë rëndom nuk e komandojnë interesat e qytetarëve. Janë grupe e klane të babëziturish për para, ata që vendosin për gjithçka. Edhe për jetën e qytetarëve. Tharmi i babëzisë e ka helmuar, e ka mpirë këtë vend; administratën e tij, por edhe qytetarin që flirton vend e pa vend me iniciativa të rrezikshme. Ndjenja e thyerjes së rregullave, e përfitimeve të paligjshme, e të qenit individ pa fre, zotëron mbi çdo skemë tjetër të shëndetshme. Në vend të zbatimit të ligjeve, ashtu si ato janë, preferohet shkelja e tyre. Vendi është mjerisht i çoroditur;ashtu sikur një trupi t’i jetë prishur gjaku. Vetëm pasi ndodh një fatkeqësi, gjenden aty pastaj sakaq: politikanë, pushtetarë, ligjvënëns. Të gjithë të përlotur, të gjithë duke bërë skena e duke u qarë hallin të dëmtuarve. Sa të tilla ndërtime, me dhe pa leje, me dhe pa logjikë, janë konstatuar dhe konstatohen çdo ditë në Shqipëri? Sa kate pa leje janë hedhur e hidhen përditë nëpër lloj-lloj ngrehinash, anekënd vendit?
Në bregdet (Durrës, Shëngjin e gjetkë), në rërë, po ndërtohen pallate me nga 12 e 15 kate. Dhe shteti nuk është që t’i shikojë. Shtetit dhe nëpunësve të tij, u ka hyrë keq tahmaja e pasurimit. Dhe bashkë me të, një tangërllik që herët a vonë do të prodhonte mungesë sigurie e qetësie për shumicën e qytetarëve. Vështroni sesi edhe në komunat e humbura, kryetarët dhe kryetaret shëtisin me makinat më të shtrenjta të mundshme, a thua buxheti i tyre është një format përrallor. Por, kur KLSH-ja bën publike miliardat e abuzimeve, të gjithë bëjnë shurdhin e memecin. Në cilin shtet e kini parë këtë? Asnjë tragjedi, ciladoqoftë ajo, nuk arrin të zbusë këtë krizë tangërlliku e vetëbesimi mediokër. Kjo ndodh për shkak se të parët e pushtetit e të politikës dhe zyrat e tyre, çlirojnë shumë mendjemadhësi, egoizëm të pafre, etje për fitime të padrejta; (për vete, për familjarët, për militantët e verbër).
Për ta mbyllur në një mënyrë disi më optimiste, po kujtoj rrëfimin e një mësuesi të vjetër të Liceut të Korçës: Në vitet ’30, një i afërt i mbretit Zog, nip nëse nuk gabohem, mbeti në klasë në këtë lice me famë. Personi në fjalë, iku e s’u kthye më. Dhe askush nuk u fut mik për të... Të bësh shtet, të jesh në politikë, të lypësh mandat nga qytetarët, kjo kërkon njëfarë burrërie. Njëfarë. Më e pakta.