Letrat e banorëve për tragjedinë
Shtabi i Emergjencave mblidhet për të vendosur nëse do të shembet apo jo pallati i tragjedisë
GJIROKASTËR- Kanë kaluar 27 orë pas ngjarjes së rëndë dhe operacionet e kërkim-shpëtimit janë finalizuar me nxjerrjen nga rrënojat të tri trupave të pajetë. Në këtë mënyrë janë shuar të gjitha shpresat që ekzistonin për banorë të mbijetuar nga tragjedia e dy ditëve më parë. Por, mendohet se të tjera banesa në këtë zonë janë të rrezikuara. Ndërkaq, hetimet e prokurorisë vijojnë, ndërsa policia ka arrestuar në flagrancë pesë persona, ndaluar tre të tjerë dhe në kërkim janë shpallur edhe dy shtetas. Nga ana tjetër, presidenti i Republikës, Bamir Topi nga Gjirokastra i ka bërë apel drejtësisë për hetim të shpejtë, profesional dhe me moral.
Kërkimet
Të zhvilluara pa ndërprerje përgjatë gjithë ditës së diel kërkimet janë ndërprerë në orën 01.00 të mëngjesit të së hënës për shkak të rrezikshmërisë së lartë, pasi pjesa e pa shembur e pallatit po lëkundej. Operacioni ka rinisur sërish rreth orës 07.00 të ditës së djeshme. Pasi u punua fillimisht me ndërhyrje me mjete të lehta nga efektivat zjarrfikës dhe ata të specializuar të mbërritur nga Janina, por pa rezultate për të zhdukurit, në mëngjes kërkimet kanë nisur me një mjet të rëndë (ekskavator). Fillimisht janë larguar rrënojat e pjesës së sipërme të pallatit, ku mendohej se gjendej njëra prej banoreve të zhdukura, 65-vjeçarja Parashqevi Zoko. Rreth orës 10.30 të paradites është gjetur, nxjerrë e më tej identifikuar trupi i pajetë i 65-vjeçares. Më tej kërkimet dhe gërmimet janë fokusuar në pjesën e poshtme të pallatit dhe pikërisht në vendin ku qeni i policisë një ditë më parë kishte shkuar tri herë. Ora 12.45 minuta ka shënuar edhe momentin në të cilin është gjetur viktima e dytë e tragjedisë, 35- vjeçarja Valbona Dalani. Pas nxjerrjes së dy trupave të parë të pajetë, kërkimet janë fokusuar sërish në të njëjtin vend, pasi sipas dëshmive të dhëna nga të mbijetuarit, dy anëtaret e familjes Dalani, nënë e bijë, kanë qenë së bashku në momentin e rrëzimit të pallatit. Dy orë pas gjetjes së kufomës së 35-vjeçares, është bërë e mundur edhe gjetja e trupit të tretë të pajetë, vogëlushes 12-vjeçare Anxhela. Në këtë mënyrë janë shuar të gjithë shpresat që ekzistonin për ndonjë të mbijetuar.
Trupat
Me nxjerrjen e viktimës së tretë të tragjedisë ka përfunduar edhe operacioni i kërkim- shpëtimit, i nisur fill pas shembjes së pallatit e që ka zgjatur rreth 27 orë, në të cilin janë angazhuar dhjetëra efektiva të zjarrfikëses, policisë, ushtrisë, forcave speciale RENEA, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, spitalit dhe ekipeve të specializuara të mbërritura nga shteti grek. Më tej, pritet që gjatë ditës së sotme (e martë) Shtabi i Emergjencave, në bazë edhe të mendimeve të specialistëve të vendosë se çfarë do të bëhet me pjesën e mbetur të pallatit, e cila për shkak të tronditjes së fortë është zhvendosur në një largësi prej 10 metrash nga vendi ku ishte ndërtuar 16 vjet më parë. Gjithsesi, mbetet një vendim i vështirë për dy arsye: së pari, ekziston rreziku i shkarjes së tokës që mund të vijë si pasojë e rrëzimit të seksionit të mbetur (rrëzim që mendohet të kryhet ndoshta me shpërthim) dhe së dyti në rast se nuk rrëzohet mund të shkaktojë probleme për të gjithë zonën përreth. Gjithsesi ky është një vendim që do të merret pas analizimit të të gjitha të dhënave, të mbledhura gjatë këtyre ditëve. Ndërkohë, vendi ku ndodhi ngjarja ruhet me policë, për të shmangur praninë e njerëzve në afërsi të pallatit për të shmangur problemet e mundshme që mund të kryhen.
01.00
Një orë pas mesnate policia ndërpreu kërkimet për shkak të rrezikshmërisë së lartë, pasi pjesa e pa shembur e pallatit po lëkundej
07.00
Rinis operacioni i kërkimit në të cilin angazhohen trupat e specializuar të mbërritur nga qyteti i Janinës dhe një ekskavator
10.30
Zbulohet trupi i parë nën rrënoja. Pak minuta më pas trupi identifikohet si njëra prej banoreve të zhdukura, Parashqevi Zokos
12.45
Gjendet edhe viktima e dytë e tragjedisë, gruaja 35- vjeçare Valbona Dalani. Dje qeni kishte shkuar tre herë në atë vend
14.45
Kërkimet nxjerrin në dritë trupin e tretë, atë të Anxhela Dalanit. Nënë e bijë kishin qenë së bashku në momentin e rrëzimit të pallatit
Arrestohet presidenti i firmës, ekskavatoristi si dhe tre inxhinierët. Nën hetim edhe punonjësit e bashkisë që dhanë lejen
Gjashtë në pranga për tragjedinë e Gjirokastrës
GJIROKASTËR- Hetimet e nisura fill pas tragjedisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, shkaqeve dhe autorëve që e shkaktuan kanë vijuar me intensitet të lartë. Në 20 ka shkuar numri i personave të shoqëruar nga policia e të marrë në pyetje rreth ngjarjes, pesë prej të cilëve të arrestuar në flagrancë, tre të ndaluar, ndërsa dy të tjerë të shpallur në kërkim. Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në versionin e saj zyrtar rreth ngjarjes ka nxjerrë si shkak pikërisht punimet që kryheshin për ndërtimin e një tjetër pallati, pak metër larg ndërtesës së shembur.
“Menjëherë pas ngjarjes, u krijua grupi hetimor me specialistë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shembja e pjesshme e pallatit ka ardhur si pasojë e punimeve për ndërtimin e një pallati tetëkatësh nga shoqëria e ndërtimit “ARTI” shpk me president dhe drejtues teknik Sotiraq Janora me seli në Gjirokastër si dhe po nga këto gërmime rrezikohen të dëmtohen edhe disa banesa të tjera në kufi me objektin në ndërtim. Nga ana jonëështë bërë sekuestrimi i dokumentacionit të subjektit për pallatin në ndërtim si dhe janë marrë dokumentet pranë Degës së Tatimeve dhe Qendrës së Regjistrimit të Biznesit pranë bashkisë Gjirokastër. U pyetën të gjithë personat e dëmtuar dhe dëshmitarë okularë si dhe u shoqëruan 20 persona të dyshuar, në lidhje me këtë ngjarje. Nga hetimet paraprake rezultoi se nga personat e dyshuar për këtë ngjarje, tetë prej tyre kanë konsumuar veprat penale të shkeljes së rregullave në punë”,- është shprehur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai.
Po sipas informacioneve zyrtare mësohet se pesë persona, inxhinierë e drejtues të firmës ndërtuese, janë arrestuar në flagrancë për veprën penale shkelje e rregullave në punë. Kështu në pranga për këtë akuzë janë vënë Jani Ndriço, 45 vjeç, lindur e banues në fshatin Dervician, ekskavatorist në firmën “Arti Sh.p.k”, inxhinieri gjeologThanas Llahana, 58 vjeç, Njazi Çobani, 45 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, arkitekt i shoqërisë së ndërtimit ARTI shpk, Luan Bufi, 58 vjeç, lindur në Delvinë dhe banues në Gjirokastër, inxhinier ndërtimi ishoqërisë së ndërtimit “ARTI” shpk si dhe drejtuesi ligjor i saj, njëkohësisht edhe president, Sotiraq Janora, 43 vjeç. Gjithashtu, tre drejtues të zyrës së urbanistikës, KRRT-së dhe inspektoratit të ndërtimit në bashkinë e Gjirokastrës janë ndaluar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. “Mbi bazën e provave të administruara u bë ndalimi i shtetasve: Alfred Mamani, 49 vjeç, me detyrë Shef i Urbanistikës në bashkinë e qytetit, Admir Shehaj,30 vjeç, me detyrë përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në bashkinë Gjirokastër dhe Afërdita Papamihali, 56 vjeç, me detyrë sekretare e K.RR.T-s pranë bashkisë”, është shprehur më tej zëdhënësi Mullai. Ndërsa dy persona të tjerë dhe përkatësisht Gjergji Meçe, inxhinier zbatues i shoqërisë së ndërtimit ARTI shpk dhe Aristotel Haxhi, bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit ARTI shpk, janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre. Hetimet janë fokusuar gjithashtu edhe nëzbardhjen e plotë të aktivitetit të kësaj shoqërie dhe marrëdhëniet e saj me Zyrën e Urbanistikës dhe Këshillin e Rregullimit të Territorit të bashkisë së Gjirokastrës.
TË ARRESTUAR
Jani Ndriço, 45 vjeç, lindur e banues në fshatin Dervician, ekskavatorist në firmën “Arti Sh.p.k”
Thanas Llahana, 58 vjeç, inxhinier gjeolog
Njazi Çobani, 45 vjeç, arkitekt i shoqërisë së ndërtimit ARTI shpk
Luan Bufi, 58 vjeç, inxhinier ndërtimi ishoqërisë së ndërtimit “ARTI” shpk
Sotiraq Janora, 43 vjeç, presidenti i shoqërisë së ndërtimit
Të shoqëruar
Alfred Mamani, 49 vjeç, me detyrë Shef i Urbanistikës në bashkinë e qytetit
Admir Shehaj, 30 vjeç, me detyrë përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit
Afërdita Papamihali, 56 vjeç, me detyrë sekretare e K.RR.T-s pranë bashkisë
Presidenti ka takuar dje familjarët e viktimave dhe ka kërkuar që të gjithë të ndihmojnë të mbijetuarit
Topi- Prokurorisë: Heto ngjarjen me profesionalizëm
GJIROKASTËR- Një ditë pas tragjedisë së ndodhur në lagjen “11 janari” të qytetit të Gjirokastrës nga rrëzimi i një pallati në vendngjarje ka mbërritur edhe presidenti i Republikës Bamir Topi. Pasi ka parë vendin dhe është njohur me përpjekjet për gjetjen e trupave dhe për të lehtësuar banorët e prekur, ai ka kontaktuar vetë me ta dhe u ka ofruar angazhim maksimal të shtetit shqiptar për përballimin e kësaj ngjarjeje, të cilën Topi e ka cilësuar “unikale”. Në deklaratën e tij për ngjarjen, me një gjuhë të ashpër presidenti ka kërkuar zbardhje, hetim dhe gjykim të shpejtë, profesional dhe me moral të kësaj ngjarjeje. “Jam këtu në radhë të parë me preokupacionin njerëzor, pastaj me detyrën zyrtare për të qenë afër njerëzve të prekur dhe u shpreh atyre ngushëllimet. Në këto çaste të rënda që po kalojnë, dëshiroj t’i inkurajoj për ruajtjen e qetësisë dhe dëshiroj të inkurajojtë gjitha strukturat që t’u japin ndihmë morale e materiale familjeve që kanë humbur të dashurit dhe kanë pësuar dëme materiale të parikuperueshme. Në të njëjtën kohë, dëshiroj të përgëzoj shtabin e emergjencës civile, të gjithë njerëzit që u angazhuan në këtë rast unikal, policinë, zjarrfikëset dhe forcat speciale nga Janina që u gjetën në vendin e ngjarjes. Të gjithë këta njerëz kanë bërë një punë të admirueshme, aty ku rreziku ishte shumë i lartë. Si president i Republikës dua të vë theksin në faktin se ngjarje të tilla kanë nevojë për hetim të plotë, të qartë e profesional dhe gjykim të drejtë. I bëj apel Prokurorisë dhe Gjykatës së Gjirokastrës që me këtë çështje të merren seriozisht, me moral dhe profesionalizëm, duke i siguruar se do të kenë monitorim shumë të rreptë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Apeli kryesor këtej nga Gjirokastra është mbështetja e familjeve të prekura me të gjitha mënyrat nga shteti, ndërsa apeli më i fortë shkon sërish për drejtësinë që duhet të bëjnë zbardhjen, hetimin dhe gjykimin në një kohë sa më të shkurtër, pasi kjo ngjarje tepër e rëndë është e dukshme”,- është shprehur presidenti Topi. Më tej ai ka kërkuar edhe bashkëpunim të të gjitha strukturave lokale në mënyrë që të ushtrohen kontrolle në të gjitha ndërtimet dhe të mos u japin leje ndërtimi personave të papërgjegjshëm. SITUATA
Bizneset japin ndihma për të mbijetuarit
Banorët e pallatit të shkatërruar vazhdojnë ende të jenë të traumatizuar e të tmerruar nga ajo që u ka ndodhur. Madje mëngjesi i djeshëm i ka gjetur më të varfër se kurrë; e vetmja pasuri e tyre janë rrobat që mbajnë veshur. Kanë vendosur të strehohen në hotelet e qytetit, ndërsa të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga shteti. Kërkojnë rroba, të holla për të ngrënë në ditët e para dhe libra për fëmijët që të rifillojnë sërish jetën. Pasditen e djeshme ka nisur shpërndarja e ndihmave të para materiale. Shtatë biznese të mëdha që ushtrojnë aktivitetin e tyre në qarkun e Gjirokastrës kanë dhuruar një milionë lekë të rinj për familjet e prekura. Nga kjo shumë 11 prej familjeve kanë përfituar nga 50 mijë lekë të rinj, familja Zoko që humbi një person një shumë prej 800 eurosh, ndërsa familja Dalani që humbi dy anëtarë 1500 euro. Më tej, me vendim të posaçëm, çdo anëtar i dëmtuar nga fondet e emergjencës së bashkisë ka përfituar nga 20 mijë lekë të rinj. Në ndihmë të tyre është çelur edhe një numër llogarie në mënyrë që të gjithë personat që dëshirojnë të kontribuojnë, në mënyrë që të prekurit ta kalojnë sa më lehtë këtë situatë të vështirë. Po kështu komuna Qendër Libohovë ka akorduar një shumë prej 150 mijë lekësh të rinj për familjen Zoko. Ndërkaq, dy grupe të posaçme pune nga Këshilli i Qarkut dhe Prefektura janë duke evidentuar në terren të gjithë dëmet e shkaktuara nga rrëzimi i pallatit, në mënyrë që dosja të dërgohet sa më shpejt në Ministrinë e Brendshme dhe familjet të zhdëmtohen në një kohë të shkurtër. Në dispozicion të banorëve, është vënë edhe një psikolog, për të kaluar sa më lehtë traumën.
Reagimet
Dje kanë ardhur edhe reagimet e para politike për ngjarjen. Dega lokale e Partisë Demokratike në Gjirokastër në një konferencë për shtyp, pasi ka shprehur ngushëllimet për ngjarjen dhe humbjet në njerëz, ka kërkuar largimin e menjëhershëm të kryetarit të bashkisë Flamur Bime, si shkaktarin kryesor të kësaj tragjedie. Sipas demokratëve, kryebashkiaku është kupola e industrisë së ndërtimit në Gjirokastër dhe duhet të japë në mënyrë të menjëhershme dorëheqjen. Kjo forcë politike ka ftuar ditën e martë të gjithë qytetarët në një tubim për të dënuar përgjegjësit e ngjarjes.
Leja e ndërtimit
Leja e ndërtimit për pallatin, gërmimet për ndërtimin e të cilit sollën rrëzimin e pallatit, është miratuar në Këshillin e Rregullimit të Territorit të bashkisë Gjirokastër në muajin qershor të këtij viti. Por, anëtari i këtij organizmi, njëkohësisht drejtor i hipotekës në Këshillin e Qarkut, Bexhet Çobani, ka deklaruar se leja është dhënë në mënyrë abuzive. “Gjatë mbledhjes së mbajtur për miratimin e kësaj lejes së ndërtimit, mungonte studimi gjeologjik. Ne kemi kërkuar që ky studim, tepër i nevojshëm t’i bashkëngjitej projektit, në mënyrë që ta miratonim më pas. Por, nuk e morëm vesh se në çfarë mënyre e mori miratimin”, është shprehur Çobani. Ndërsa kryetari i bashkisë, Flamur Bime, nuk ka pranuar të prononcohet për këtë mënyrën e dhënies së lejes së ndërtimit. Sipas tij, kjo çështje është duke u hetuar nga prokuroria dhe në këto kushte nuk ka arsye për t’u prononcuar.
Kryebashkiaku pohon se prokuroria ka shkuar në zyrën e tij dhe ka sekuestruar dosjen e pallatit të rrëzuar
Flamur Bime: Po mendoj të jap dorëheqjen
GJIROKASTËR - Kryetari i Bashkisë së qytetit të Gjirokastrës, Flamur Bime, deklaroi pasditen e djeshme se është duke menduar të marrë vendimin për dorëheqje nga detyra që mori si i zgjedhur nga populli. Në një prononcim, Bime ka komentuar kërkesat e politikës në Tiranë për largimin e tij.“Unë jam duke menduar shumë seriozisht marrjen e një vendimi të mundshëm për të dhënë dorëheqjen, por dua t’ju siguroj se dorëheqja ime do të ishte vetëm morale pasi unë nuk kam përgjegjësi të tjera”, - deklaroi Bime. Ai shtoi se “mua më duket e turpshme kërkesa e bërë për largimin tim nga detyra, për vetë faktin se unë sikurse dihet, në pozicionin që kam si kryetar bashkie, nuk kam imunitet”, - theksoi Bime. “Duke mos pasur imunitet, unë nuk i pengoj organet e drejtësisë që të hetojnë mbi ngjarjen dhe mbi akuzat që më atribuohen”, - u shpreh ai. Më tej, kryebashkiaku i qytetit që gjendet në qendër të vëmendjes kombëtare për shkak të shembjes së pallatit, ka folur edhe për ngjarjen e ndodhur dje në mesditë.“Unë jam vetëm një ndër 15 anëtarët e KKRT-së së Gjirokastrës dhe në pozicionin e kryetarit të saj, dihet që ky rol është si i një spikeri. Në rastin konkret, unë kam kërkuar që të respektohet ana konstruktive e objektit për ndërtim. Kur u miratua leja e ndërtimit për këtë godinë, unë e bllokova zbardhjen e kësaj lejeje, duke kërkuar që më parë të dalë një leje gjeologjike për objektin dhe vendndodhjen e saj. Vetëm pasi kjo leje gjeologjike m’u paraqit nga specialisti përkatës, unë lejova zbardhjen e lejes së ndërtimit”, - ka detajuar Bime. Duke folur për tragjedinë me tre të vdekur të konfirmuar, Bime tha edhe se “pothuajse gjatë gjithë natës kam qenë në vendngjarje, duke kontribuuar për përballimin e situatës dhe marrjen e masave përkatëse”. Ndërkohë Bime është ndalur edhe në hetimet e ngjarjes. Ai konfirmoi se Prokuroria i ka nisur hetimet dhe shtoi: “Punonjës të prokurorisë mbërritën në zyrën time dhe unë i dorëzova atyre dosjen për rastin në fjalë”. Në këtë pikë, Bime tha se “unë jam dhe mbetem në dispozicion të Prokurorisë”. Ai shtoi se pret që të merret në pyetje lidhur me ngjarjen dhe dyshimet e hedhura. Marrë nga NOA