Këshilli i Sigurimit në OKB shtyn debatin për Kosovën
Pas kundërshtimit të Prishtinës ndaj planit të OKB-së, Këshilli i Sigurimit e ka shtyrë për të premten debatin për Kosovën, i cili ishte parashikuar të mbahej sot dhe ku duhet të diskutohej për një raport të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon, me të cilin do të parashihej edhe miratimi i shtrirjes së EULEX-it në të gjithë Kosovën.
Autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar si të papranueshme disa nga elementet thelbësore të dokumentit gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.
Një një deklaratë të përbashkët të presidentit, Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit, Hashim Thaçi, thuhet se Prishtina zyrtare është e gatshme për vazhdimin e dialogut për të kontribuuar në shtrirjen sa më të shpejtë të EULEX-it në Kosovë, duke respektuar, siç thuhet, dhe zbatuar Projektin e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e saj.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë pranuar se kanë zhvilluar bisedime për dokumentin e paraqitur nga bashkësia ndërkombëtare, si rezultat siç thuhet i bisedimeve me Beogradin, për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë.
Deklarimi i udhëheqësve të Kosovës, pasoi një valë të re të bisedimeve me përfaqësuesit e pesë shteteve më të zhvilluara industrialisht, të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i ministrit të jashtëm francez, Eric Chevalier.
Bisedimet u futën në krizë, pasi autoritetet e Prishtinës kundërshtuan fuqishëm planin e paraqitur, të negociuar me Beogradin zyrtar, nga drejtues të misionit të OKB-së në Kosovë, i cili parasheh një ndarje në vija administrative të saj.
Plani gjashtë pikësh i zotit Ban përfshinë edhe policinë, doganat dhe sistemin e drejtësisë, fusha këto me të cilat do të merret edhe misioni i EULEX-it.
Bisedimet dyditëshe përfunduan pa ndonjë marrëveshje dhe zyrtarët e Kosovës kundërshtuan planin gjashtëpikësh, që do të çonte në rikonfigurimin e UNMIK-ut.
Mirëpo ata shfaqën gatishmërinë e tyre për të vazhduar dialogun me bashkësinë ndërkombëtare, për të siguruar, siç thanë, vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në të gjithë Kosovën, duke garantuar bashkëpunimin e plotë me to dhe me institucionet e tjera ndërkombëtare.
Presidenti dhe kryeministri i Kosovës thanë se me kundërshtimin e tyre nuk po e bllokojnë shtrirjen e EULEX-it, por theksuan se janë të interesuar të kenë marrëveshje edhe me Serbinë për interesat e përbashkëta të dy shteteve dhe popujve.
Ata thanë se Kosova është për një bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe edhe me Republikën e Serbisë.
Misioni Evropian për Drejtësi dhe Polici u kushtëzua nga Beogradi zyrtar me pranimin e planit gjashtë pikësh dhe që ai të jetë neutral sa i përket statusit si dhe të mos zbatojë planin Ahtisaari. (BBC)