E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli dhe Leskaj: Të ndëshkohen përgjegjësit e tragjedisë

Tragjedia e Gjirokastrës ka qenë kryefjala e seancës plenare të pasdites së sotme. Deputeti i zonës Genc Ruli, njëkohësisht Ministri i Energjetikës kërkoi ndëshkimin më të ashpër të përgjegjësve të tragjedisë. Ndërsa, kryetarja e grupit kuvendor socialist, Valentina Leskaj tha se “ne mbështesim prokurorinë në punën e saj dhe njëherësh e nxisim atë që hetimet të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundshme.

Me ftesë të Rulit, deputetët kanë mbajtur një minutë heshtje për tre viktimat e ditës së djeshme që mbetën nën rrënojat e pallatit 5-katësh që u shemb ngaqë në themelet e tij ndërtohej një pallat tjetër.

“Banorët ishin ankuar disa herë dhe kishin protestuar për të mos lejuar ndërtimin e pallatit në themelet e pallatit të tyre , por protesta e tyre u neglizhua dhe ndërtimet vazhduan derisa ngjarja u kthye në një tragjedi”, tha Ruli.

Pas tragjedisë së djeshme kanë qenë me dhjetra qytetarë të tjerë të Gjirokastrës që kanë ngritur shqetësimin lidhur me ndërtimet pa kriter në themelet e banesave të tyre.

“Lejet e ndërtimit të dhëna pa kriter me qëllim shfrytëzimin e çdo centimetri tokë, po lejojnë ndodhjen e tragjedive” – tha Ruli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›