Bujqësia, nga përmbytjet është shkatërruar 10 % e prodhimit vendas
Toka e përmbytur në rreth 10 mijë hektarë për banorët e zonës së Nën-Shkodrës është burimi kryesor i të ardhurave. Ky fakt sipas ekspertëve e rrit potecialisht dëmin që mund të ketë pësuar ekonomia e kësaj zone, pasi zona e përmbytur përfaqëson rreth 5 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të tokës në zonën e Shkodrës ose 30 për qind e tokës bujqësore në këtë zonë. Ismail Beka, thotë se ndërhyrja e qeverisë për rikuperimin e këtyre zonave duhet të bëhet me perspektivë afatgjatë dhe jo vetëm për të kompensuar dëmet aktuale fizike. Sipas Bekës mënyra më e shpejtë dhe eficiente për kompensimin e dëmeve të këtyre banorëve është që këta të dëmshpërblehen financiarisht nga qeveria. Qeveria pretendon se vlerësimin e dëmit do ta kryejë pas tharjes së tokës dhe largimit të ujërave. Potencialisht dëmi bujqësor në këtë zonë përllogaritet i lartë, pasi Shkodra zë rreth 6.8 % të prodhimit kombëtar të drithërave, 9% të perimeve, 2.3% të patateve, 6% e frutave, 5,2% e rrushit. I vështirë do të jetë furnizimi i blegtorisë me ushqime pasi në Shkodër prodhohet 8.8% e foragjereve në shkallë vendi. Për sa i përket prodhimeve blegtorale kjo zonë jep, 8.1 % të prodhimit kombëtar të mishit, 8% të qumështit, 3,7% të leshit dhe 6% të prodhimit të vezëve. Përmbytjet do të kenë efekt edhe tek biznesi pasi Shkodra ka numrin më të madh të fermave bujqësore që blejnë farën në treg, me rreth 15% të fermave në rang vendi dhe renditet e dyta për nga numri i fermave që blejnë sasinë më të madhe të plehrave kimike.
Ekspertet: Fatura e përmbytjeve, jo nga buxheti
Ekspertët e financave janë të mendimit se efektet në buxhetin e shtetit, pas përmbytjeve në Shkodër, do të jenë të mëdha, ndaj është e nevojshme gjetja e burimeve të reja për të minimizuar kostot. Në një kohë që viti 2010 sipas parashikimeve do të jetë i vështirë për ekonominë tonë, sipas ekspertëve i takon qeverisë të jetë e besueshme në hartimin e projekteve, në mënyrë që ajo të thithë fonde nga ndërkombëtarët. Por jo vetëm kaq. I nevojshëm është edhe rishikimi i buxhetit. Me situata të tilla me të cilat do të përballet buxheti, sjellin sërish në vëmendje debatin për prezencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ka edhe nga ata ekonomistë të cilët thonë se, në rast se qeveria do të pranonte krizën dhe do të kishte marrëveshje me FMN-në, ajo mund të kishte përfituar mbështetje buxhetore, në formën e kredieve të buta. Institucionet e linjës janë duke hartuar faturat financiare, për të krijuar shifrën reale të dëmeve nga përmbytjet. Pas 3 mijë shtëpive të dëmtuara, si dhe mbi 10 mijë ha tokë të përmbytur, dëmi duket se do të kalojë shifrën prej 20 milionë eurosh, që u përdor për dëmshpërblimin e familjeve të Gërdecit.
18 Janar 2010