E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet: Pushojnë shirat dhe shkarkimet nga HEC-et, por uji mbetet

Ervin KOÇI

Situata në zonat e përmbytura në qarqet Shkodër dhe Lezhë po shkon gradualisht drejt një normalizimi të pjesshëm. Edhe pse shirat dhe prurjet e furishme të lumenjve Drin dhe Bunë kanë rënë ndjeshëm, përsëri për banorët e këtyre zonave problem mbetet prania e ujit. Largimi i këtij të fundit po bëhet mjaftë ngadalë si pasojë e mungesës apo bllokimit të kanaleve dhe kolektorëve të shkarkimit. Kjo gjë ka bërë që në shumë zona qarkullimi i njerëzve dhe furnizimi i tyre me ushqime të bëhet akoma me lundrat dhe barkat e ushtrisë. Por çdo ditë lajme pozitive vijnë nga METE e cila njofton për uljen e prurjeve në kaskadën e Drinit, dhe funksionimin e HEC-eve brenda parametrave normalë të punës. Të dhënat e ditës së djeshme për kaskadën e Drinit tregojnë se, atje nuk po kryhet më shkarkimi i ujërave nga Fierza, Komani dhe Vau i Dejës. Të raportuara nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare në kuadrin e publikimit periodik të situatës në kaskadat e hidrocentraleve kryesore në vend, ato tregojnë edhe faktin se shënohet një ulje e nivelit të ujit në to. Sipas tyre, prurjet në Fierzë llogariten 350 metër kub për sekondë, ndërsa derdhjet janë në nivelin prek 600 metër kub në sekondë. Në HEC-in e Fierzës thuhet se lartësia e ujit ka arritur në nivelin prej 289.91 metrash nga 296 metra që është kapaciteti i saj maksimal. Ndërsa për hidrocentralin e Komanit, Korporata njoftoi dje se ai ndodhej në kuotën e 170.69 metrave, ndërsa kapaciteti i tij maksimal kap kuotën e 175 metrave. Po nga të dhënat zyrtare mësohet se në Vaun e Dejës niveli dje ishte 74.64 metra, nga 76 metra që është maksimumi i lejuar.

Përmbytjet në Shkodër

Situata e përmbytjeve është përmirësuar dhe në komunën e Dajçit e më konkretisht në fshatin Shirgj. Banorët tashmë shprehen të shqetësuar për dëmet e shumta midis të cilave dhe ushqimi për bagëtinë që është prishur komplet. Në Dajç janë hapur edhe rrugët të cilat ishin të pakalueshme. Tashmë me qetësimin e situatës banorët kanë filluar të rikthejnë bagëtitë e evakuuara dhe pritet që pas disa ditësh të filloj edhe rikthimi i banorëve. Ulja e nivelit të ujit ka filluar të duket dhe në zonën e Velipojës dhe për këtë ujësjellësi nuk do të jetë më në rrezik. Drejtori i Ujësjellësit, Frrok Sera, u shpreh se gjendja para pak ditësh ka qenë kritike dhe të gjithë kanë qenë në gatishmëri për çdo rast. Ujësjellësi i Velipojës është një investim i sapo përfunduar dhe furnizon me ujë të pijshëm të gjithë zonën e plazhit të Velipojës. Në përballimin e situatës emergjente ndihmuan brigada e mbrojtjes rajonale, si dhe vetë punëtorët e ujësjellësit.

Dëmet materiale

Zona e quajtur Harku i Bërdicës ishte e mbuluar tërësisht nga uji dhe pothuaj e pakalueshme për mjetet dhe personat, pak ditë më parë. Tani prej andej uji është larguar duke lënë pas pasojat e përmbytjes, mbeturina dhe zhavorr që ka mbuluar rrugën. Në Bërdicë banoret i janë kthyer shtëpive të tyre të dëmtuara rëndë dhe po mundohen të vënë pak rregull, por gjithandej ka shkatërrim dhe dëmet janë shumë të mëdha. Orenditë shtëpiake janë të papërdorshme, serat e fermerëve u shkatërruan, e po ashtu edhe të mbjellat. Por për banorët një nga problemet më të mëdha është rreziku i epidemive nga mijëra shpendë dhe kafshë të ngordhura që ndodhen rrugëve, në tokat e banorëve. Largimi i kafshëve dhe shpendëve të ngordhura ka qenë një nga punët e para që kanë bërë fermerët. Por jo në të gjitha zonat uji është tërhequr plotësisht dhe fshatra të shumtë janë ende të izoluar. Banorët e tyre po mundohen t’i kthehen normalitetit, por duket se kjo është shumë e vështirë. Baza ushqimore për blegtorinë dhe shpendët është kalbur e gjitha, ndërsa shtëpitë janë pothuajse të pabanueshme.

18 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›