Bujqësia, përtej syzeve të opozitës
Duket se kompleksi i barit, nën sloganin “bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim”, e turbullon rëndë vështrimin e opozitës së sotme ndaj bujqësisë. Në deklaratën e tij më të fundit, kreu i opozitës socialiste bie në kontradiktë si rrjedhojë e “kompleksit të barit”, kur deklaron se “edhe barin e thatë e sjellim nga importi” dhe vetëm dy rreshta më poshtë, bie vetë në kurth duke thënë tekstualisht se “bujqit dhe fermerët shqiptarë po i hedhin prodhimet në rrugë dhe në lumë”. Kushdo e di se të dyja këto janë dukuri negative, por nuk mund të jenë të vërteta të dyja në të njëjtën kohë. Opozita, e përfshirë nga negativizmi dhe nihilizmi, mjaftohet duke rreshtuar akuza pa i bërë analizë logjike asaj çfarë deklaron.
Duket vlerësimet i ngatërrojnë me kohën e qeverisjes së tyre. Është e vërtetë se gjatë “mbretërimit të tyre”, si rezultat i situatës monopoliste të ministrave dhe qeveritarëve që sundonin në importe, nga jashtë sillej edhe bari i thatë, edhe turshitë. Sot është krejt ndryshe. Faktet janë kokëforta dhe janë të verifikueshme. Bujqësia shqiptare në dy vitet e fundit i ka rritur me nga 25 për qind për secilin vit eksportet e saj. Tregu i ushqimeve, e dimë të gjithë se nuk njeh mungesa. Shifrat vërtetojnë se shumica e ushqimeve që vijnë nga bujqësia dhe blegtoria prodhohen në vend. Ja vetëm disa prej tyre, sipas të dhënave zyrtare të publikuara për vitin 2007. Në të gjitha llojet e perimeve së bashku, prodhimi i brendshëm është 671 mijë tonë, importi vetëm 17 mijë tonë. Prodhimi i gjithë llojeve të frutave së bashku është 148 mijë tonë ose dy herë më i madh se pesë vite më parë, ndërsa importi 90 mijë tonë. Prodhimi i patateve 155 mijë tonë, ndërsa importi vetëm 19 mijë tonë. Prodhimi i rrushit ka arritur në 146 mijë tonë, ndërsa importi është vetëm rreth 7 mijë tonë. Fasule janë prodhuar 21 mijë tonë, ndërkohë që janë importuar vetëm 286 tonë. Djathë janë prodhuar në vend 13 mijë tonë dhe janë sjellë nga importi vetëm 1.5 mijë tonë, sallame e proshuta të prodhuara në vend janë 9 mijë tonë dhe të importuara 4 mijë tonë. Në vend janë prodhuar 2071 tonë mjaltë dhe nga importi janë sjellë vetëm 18 tonë. Edhe pse në një vit jo të mbarë për ullirin, prodhimi në vend i vajit të ullirit ka qenë 3871 tonë, ndërsa importi 719 tonë. Këto raporte mes prodhimit vendas dhe importit janë për shumicën e produkteve, përjashtuar orizin, sheqerin dhe vajin vegjetal. Këta tregues vërtetojnë se shumicën dërmuese të produkteve bujqësore dhe blegtorale, rreth 80 për qind të tyre, konsumatorët tanë e marrin nga prodhimi vendas. Se nga e marrin barin e njomë apo të thatë, ata që hartojnë dhe lexojnë deklaratat e opozitës, mbetet vetëm pjesë e lojës së tyre politiko-mediatike.
Viti 2008 është një vit shumë i mbarë për bujqësinë shqiptare. Prodhimi i grurit për këtë vit është rritur me 20 për qind ose 50 mijë tonë më shumë se një vit më parë. Sipërfaqja e mbjellë me misër në pranverën e këtij viti është më e lartë nga viti i kaluar. Sipërfaqet e mbjella me foragjere janë rritur me 14 për qind. Eksporti i shalqirit këtë vit ka qenë një bum i vërtetë, 50 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Eksporti ka kapur një gamë të madhe vendesh si Italia, Greqia, Serbia e shumë të tjera. Prodhimi i patateve të hershme ka arritur në 55 237 tonë me rendimente tërësisht të niveleve më të mira evropiane. Prodhimi i rritur ndjeshëm në perime solli një rënie të çmimeve të sezonit në treg, dhe këtë e shohin të gjithë.
Vetëm në pranverën e këtij viti janë mbjellë 860 663 rrënjë pemë të reja frutore, 25 për qind më shumë se një vit më parë, 332 067 rrënjë ullinj, 31 për qind më shumë se viti i kaluar, 56 435 rrënjë agrume ose 21 për qind më shumë se një vit më parë dhe 505 ha me vreshta të reja.
Ndërsa në dy vite së bashku, 2007 dhe 2008, fondit të pemëve frutore u janë shtuar mbi 1.5 milionë rrënjë pemë të reja, e barabartë kjo me numrin e pemëve të reja të mbjella në 5 vite së bashku të qeverisjes së majtë, nga viti 2001 deri në 2005-ën. Mbi gjysmë milioni rrënjë ullinj të mbjella rishtas ose baras me 90 për qind të ullinjve të shtuar në 5 vitet së bashku nën qeverisjen e opozitarëve të sotëm. U mbollën mbi gjysmë milioni rrënjë pjergulla dhe 1116 ha vreshta të reja. Këta tregues janë tashmë të konfirmuar zyrtarisht dhe të botuar në buletinet statistikore të bujqësisë.
Janë këto dy vite të fundit kur për herë të parë në bujqësinë shqiptare, me fonde buxhetore në masën mbi 15 milionë dollarë, u praktikua një politikë e re për bujqësinë, programi i skemave mbështetëse financiare për fermerët, praktikë kjo tashmë e konsoliduar në bujqësinë e vendeve të BE-së. Disa milionë dollarë janë investuar në ngritjen hap pas hapi të rrjetit të tregjeve dhe thertoreve në vend. Standardet e sigurisë ushqimore kanë njohur përmirësime të ndjeshme.
Investimet në infrastrukturën rrugore që vetëm për këtë vit, bashkë me buxhetin shtesë, kapin vlerën e rreth 1 miliard dollarëve, janë mbështetje direkte edhe për bujqësinë. Shqipëria tashmë është një kantier i ndërtimit të rrugëve. Kësaj do t’i shtohen dhe 400 milionë euro për ndërtim rrugësh rurale. Të gjitha të dhënat tregojnë se rrugët në ndërtim kanë shtuar e shumëfishuar vlerën e tokës bujqësore në këto zona, vlerën e aseteve bujqësore, kanë lehtësuar transportin e produkteve dhe kanë nxitur rritjen e prodhimit. Me ndërtimin e rrugëve bujqësia është sektori që përfiton më shumë vlera në rritje. Shihni vetëm si ndryshojnë çmimet e tokës për metër katror.
Në tri vite të qeverisjes së mazhorancës së sotme, në ujitje dhe kullim janë bërë investime të rëndësishme. Janë rindërtuar 479 km kanale ujitëse me 490 ura, 2320 porta lëshuese, 863 tombino etj., duke vënë nën ujë rreth 30 mijë ha tokë. Janë riparuar digat e 35 rezervuarve të bujqësisë dhe 5 të tjera janë në proces. Janë bërë investime të rëndësishme në kullim dhe në hidrovore dhe në këto tri vite vendi nuk ka përjetuar situata të përsëritura përmbytjesh.
Ne e dimë se të gjitha këto nuk janë mjaft për degën e rëndësishme ekonomike të bujqësisë. I njohim në detaje dhe problemet e mëdha me të cilat përballet bujqësia, fermeri vendas, por ne kemi treguar me vepra se nuk jemi mjaftuar vetëm me konstatime. Mbështetja për bujqësinë është shumë më tepër dhe shumë më mirë, me të dhëna konkrete, se 8 vitet e sundimit socialist. Fermeri shqiptar sot prodhon më shumë, e shet gjithë produktin e tij dhe me çmime më të mira, nuk mbytet nga vërshimi i importeve, ka më shumë besim dhe shpresë se bujqësia ka marrë një tjetër vlerësim e mbështetje në këto tri vite. Realiteti preket dhe vërteton se bujqësia në vend nuk po rrënohet, përkundrazi, po bën hapa përpara. Fermeri shqiptar nuk mund të barazohet me atë evropian, për shumë arsye, por fermeri ynë nuk mund të krahasohet me fermerët e uritur të Afrikës apo rajoneve të tjera problematike të botës.
Nxirja e realitetit në bujqësi është bërë një kalë beteje i opozitës për arsye të potencialit elektoral që ka ende sot zona rurale. Kjo është loja e tyre politike, por e ngritur thjesht mbi akuza e trillime, pa ide dhe propozime për përmirësime të mëtejme dhe pa përmendur kurrë qoftë dhe një prej hapave pozitivë, e bën këtë një agjitprop majtist jashtë çdo realiteti. Deklaratat e sotme mashtruese të sjellin ndërmend pararendësit e krerëve të sotëm majtistë, që me propagandë e renditën Shqipërinë në çmimin e parë në botë për ushqimin, teksa vendi vuante krizën e triskave dhe të tollonave. Me akuza mediatike opozitarët e sotëm nuk mund të shlyejnë nga kujtesa e fermerëve edhe tetë vitet e sundimit të tyre shkatërrues, por nuk mund të mbulojnë as shterpësinë e ideve dhe projekteve reale.
Për vitin e fundit të mandatit të parë të kësaj mazhorance është duke u punuar intensivisht për të bërë realitet dhe tre objektiva shumë të rëndësishme për bujqësinë. Do të ngrihet Agjencia e Pagesave të Bujqësisë si një mekanizëm për të grumbulluar e menaxhuar më shumë fonde për mbështetjen e bujqësisë. Dy vjet para afatit do të fillojë nga puna Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si një garanci në rritje për standardet e prodhimeve tona. Po punohet për një projekt të rëndësishëm me BB-në, në përmasat e rreth 100 milionë dollarëve, duke dhënë kështu mundësinë për një ndërhyrje vendimtare në përmirësimin e skemave të ujitjes dhe kullimit.
*Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit