E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bujqësia, qeveria të bëhet garant për kreditimin"

Fermeri shqiptar ka përfituar çdo vit rritje të kreditimit nga sektori financiar jo bankar, duke ndikuar ndjeshëm në prodhimin e kulturave të ndryshme. Nga kjo pikëpamje, fermerët kanë nevojë më tepër për blerës të sigurt të prodhimeve të tyre, garanci, e cila do të krijonte impakt pozitiv në çmimet e artikujve bujqësorë. Zana Konini, një ndër specialistet e sektorit të bujqësisë, në fushën e kreditimit dhe njëherësh drejtoreshë e shoqërisë të Unionit të Kursim Kreditit, ka shpjeguar për "Shqip", situatën ku ndodhet sektori më delikat në vend dhe arsyet e kësaj krize me çmimet e larta. Konini shprehet e sigurt, se "fermerit nuk i mungon financimi, por një skemë që i garanton mbledhjen e prodhimit". Sipas saj, kriza e shtrenjtimit të artikujve bujqësorë ka ardhur si rrjedhojë e shkaqeve që varen nga faktorë të jashtëm, por pavarësisht kësaj, ekzistojnë të gjitha mundësitë për të dalë nga kriza. Shoqëritë e kursim kreditit në vend, ballafaqohen nga afër me çdo problem që has sektori i bujqësisë, pasi janë institucionet kryesore që financojnë më tepër fermerin. "Qeveria mund të bëhet garant për riskun e këmbimit, sepse kreditë i gjejmë në euro. Ne na duhet të bëjmë manovra, të detyruar nga Banka e Shqipërisë për qëllim të kursit të këmbimit. Kjo rrit koston e burimeve financiare që marrim, detyrimisht dhe koston e fermerit", thotë Konini. Këto shoqëri financimi nuk kërkojnë nga qeveria grante ose subvencione, por mbulimin e riskut nga kursi i këmbimit. "Qeveria në këtë rast mund të ishte ndërmjetësi për të dhënë kredi të buta, në mënyrë që ne t‘ua japim fermerëve me kushtet më minimale", thotë drejtoresha, e cila për vite me radhë është marrë me problemet që has bujqësia lidhur me kreditimin. Konini kujton skemat që aplikoheshin vite më parë, kur këto institucione merrnin kredi me terma të buta, duke ua kaluar fermerëve me interesa tepër të ulëta. Kjo falë mbështetjes që jepte dhe Banka Botërore, por sot gjërat kanë ndryshuar. "Aktualisht nga qeveria nuk kemi marrë mbështetje në kredi të reja, por jemi duke operuar me kreditë e mëparshme. Kjo për faktin se Banka Botërore nuk aplikon më dhënie kredish, por vetëm financime për projekte të ndryshme". Zyrtarë të BB-së, sqarojnë për gazetën se, "skema e financimit të fermerëve me kredi të buta rezultoi me sukses, por edhe kjo, si gjithë projektet e tjera, kishte një afat". Lidhur me bashkëpunimin me Ministrinë e Bujqësisë, Konini shprehet se, mungon koordinimi i projekteve, kurse për Agjencinë e Pagesave, do të ishte më mirë që vënia në funksion të bëhej në bashkëpunim me shoqëritë e kursim kreditit. "Ne propozuam disa skema shumë efikase, por që nuk u morën në konsideratë nga ministria ose më saktë nuk arritën të viheshin në zbatim", përfundon Konini në lidhje me fondin 10 milionë dollarë të Agjencisë së Pagesave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›