E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë me risk, zgjidhja me procedurë civile

Një grup deputetësh kanë propozuar disa ndryshime në projektligjin "Për një shtesë në Kodin e Procedurës Civile", me synim forcimin e ekzekutimit të titullit të garancisë nga zyra e Përmbarimit. Neni 510 i Kodit të Procedurës Civile (KPC), zgjidh çështje mes huamarrësit dhe huadhënësit për bankat e nivelit të dytë, në rastet e moskthimit të kredisë, ndërsa për shoqëritë e kursim-kreditit (pra, institucione financiare jo banka), funksioni i tyre rregullohet me ligjet e Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Grupi i deputetëve ka propozuar që, pas germës "d" të nenit 510 të Kodit të Procedurës Civile propozohet të shtohet germa "d/1" me përmbajtje, "Aktet për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare, që ushtrojnë veprimtaritë e tyre në fushën e dhënies së kredive dhe që janë themeluar si persona juridikë në përputhje me legjislacionin në fuqi". Ndryshimet propozohet për faktin, se për sistemin bankar, marrja e titullit ekzekutiv është e qartë më KPC-në, nëpërmjet nenit 510 germa "d", ndërsa për institucionet mikrofinanciare si shoqëri kursim-krediti, fondacione krediti dhe institucionet financiare jobankare, shpesh nga disa gjyqtarë dhe gjykatat të rretheve ky titull nuk jepet për ekzekutim, duke arsyetuar se ky nen është vetëm për bankat dhe jo institucionet jo banka. Për këtë, gjykatësit kanë sugjeruar ngritjen e një çështje civili me padi themeli në rrugë të zakonshme, midis një huadhënësi dhe një huamarrësi, duke iu referuar një vendimi të vitit 2000 të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë. Sipas kolegjit, kontratat e shitjes dhe kontratat e njëanshme të huas, nuk mund të jenë titull ekzekutiv", duke ngatërruar kështu kontratat e njëanshme të huas me kontratat e kredisë të institucioneve mikrofinanciare, të cilat nuk kanë asnjë ndryshim me kontratat e huas të bankave të nivelit të dytë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›