E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Municione në Kosovë për shërbime civile!"

Në këmbim të lejimit të procedurave për importin dhe eksportin e municioneve për qëllime shërbimi nga civilët, zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes përfitonin 2 mijë euro për çdo leje. Prokuroria e Tiranës tha dje se ka thelluar hetimet për skandalet e ripërsëritura në dikasterin e Mbrojtjes, duke faktuar shkelje në Drejtorinë e Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve. Konkretisht, drejtori i Menaxhimit, Shkëlzen Madani, i cili ishte dyshuar edhe për dosjen "Gërdeci" ka përfituar mijëra euro në këmbim të lejimit të disa subjekteve private në eksportin e municioneve në Kosovë. Dyshohet se firmat private tregtonin "me leje" armë në Kosovë, kryesisht tritol. Organi i akuzës dyshon te sasia e municioneve e tregtuar në Kosovë, duke dyshuar se një pjesë e mirë e tritolit përdorej për qëllime të tjera. Gjithsesi, burime nga Task-Forca thanë se hetimet e mëvonshme do të zbulojnë të gjitha dyshimet, ku disa persona të tjerë dyshohen se kanë marrë ryshfet në këmbim të lejimit të municioneve. Një tjetër masë e organit të akuzës është edhe verifikimi i subjekteve private të kontraktuara nga Ministria e Mbrojtjes për tregtimin te civilët e sasisë së municionit. Është zbuluar fakti se dy pronarët e arrestuar të firmave private, në këmbim të procedurave të përshpejtuara nga Ministria e Mbrojtjes, jepnin ryshfet prej 2 mijë eurosh zyrtarëve. Organi i akuzës tha dje se nga hetimet paraprake janë zbuluar rreth 10 raste, ku dyshimet janë vërtetuar nëpërmjet vëzhgimeve dhe përgjimeve të policisë dhe prokurorisë për të dyshuarit.

Municionet nga ushtria

Municionet e shitura për shërbime civile në Kosovë dhe subjekteve private në Shqipëri janë marrë nga depot e ushtrisë. Dyshimi vjen nga Prokuroria e Tiranës, e cila bën me dije se drejtori i Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve, Shkëlzen Madani, bashkëpunonte me Kadri Sulin, me detyrë komandant i Brigadës së Furnizimit në Strukturat e Forcave të Armatosura, me gradë kolonel. Bashkë me dy zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës urdhëroi arrestimin e Aurela Çotës, përfaqësuese e shoqërisë "Nitromak Albania" sh.p.k., dhe Ferdinand Hodo, administrator i shoqërisë "Geoconsult" sh.p.k. organi i akuzës dyshon se Hodo dhe Çote kanë paguar ryshfetin prej 2 mijë eurosh ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa ka të tjera dyshimet se shoqëria "Geoconsult" ka kryer shitje të municioneve në Kosovë. Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës filloi

hetimet katër muaj më parë, ndërsa operacioni është finalizuar vetëm dy ditë më parë. Gjatë hetimeve janë provuar disa raste kur zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, kanë dhënë licenca për kompani të ndryshme për trajtimin, transportimin dhe magazinimin e mallrave ushtarake, konkretisht lëndë eksplozive tritol.

Prokuroria

Janë skualifikuar firma pa të drejtë

Gjatë hetimeve janë dokumentuar raste kur të arrestuarit kanë dhënë licenca për firma të caktuara kundrejt përfitimeve financiare të paguara në formën e ryshfetit. Hetimi ka zbuluar edhe raste të tjera kur firmat që kishin kërkuar të pajiseshin me licencë nuk e kanë përfituar padrejtësisht një gjë të tillë, edhe pse përmbushnin kërkesat dhe kushtet ligjore të përcaktuara", thanë burimet e Prokurorisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›