Buka, Qeveria bën gati skemën e kompensimit
• Qeveria do të kompensojë rritjen e çmimeve në treg, duke përfshirë këtu edhe bukën.Adi ShkëmbiKëtë e bëri të ditur dje kryeministri Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp, pas vizitës katër ditore në Japoni. Duke iu përgjigjur interesimit të medias, se cilat do të jenë masat e qeverisë, pas rritjes së çmimit të bukës, kreu i qeverisë, bëri të ditur se, ky hap do të jetë pikërisht kompensimi i plotë i kësaj rritje. "Qeveria po e ndjek me vëmendje të plotë këtë çështje. Ajo i siguron qytetarët se do të kompensojë qindarkë për qindarkë rritjen e çmimit. Në një vend të lirë, qeveria nuk përcakton çmimet, por ajo merr përsipër të indeksojë plotësisht dhe tërësisht lëvizjen e tyre. Së dyti, unë po flas për indeksim, që në fakt, nuk ka qenë asnjëherë indeksim, por ka qenë disa herë indeksim. Nëse marrim parasysh lëvizjet që kemi bërë me pensionet, pensionet e invaliditetit, pensionet e pleqërisë, ndihmën ekonomike, pagat, të gjitha së bashku janë shumë herë më tepër se indeksim. Unë po flas për detyrimin ligjor e moral të qeverisë, i cili qëndron në kompensimin e plotë e total të lëvizjes së çmimeve", theksoi kryeministri gjatë konferencës së djeshme për shtyp.Spekulimet në tregPor ndërsa bëri të ditur, se qeveria do të kompensojë të gjithë rritjen e çmimeve në treg, kreu i qeverisë bëri të ditur se do të merren të gjitha masat që të mos ketë spekulime. Sipas Berishës të gjitha spekulatorët do të përgjigjen ligjërisht për rritjen abuzive të çmimeve në treg. "Së treti, duke respektuar plotësisht tregun, unë ju garantoj se qeveria do t'i japë përgjigjen e merituar ligjore spekulimit. Çdo vend i lirë i jep përgjigjen ligjore spekulimit dhe ne nuk tërhiqemi. Ndonëse na rritet fatura, ne do ta përballojmë atë, me indeksim të plotë", theksoi më tej kryeministri Berisha. "Nga ana tjetër, nuk mund të na marrin kurrë përpara spekulantët, nuk do të mund ta na imponojnë të shkelim interesat e 400 mijë fermerëve shqiptarë, për të mbushur xhepat një grusht njerëzish. Ne pranojmë fitimin, çmimet dhe rregullat e tregut. Ne do ta kompensojmë në çdo qindarkë, në përputhje me indeksin e çmimeve, por natyrisht nuk përkulemi para spekulimit", vijoi më tej Kryeministri Berisha. Që prej datës 4 shkurt në shumicën e furrave të bukës, çmimi ka shkuar 100 lek për 800 gr bukë. Një javë më parë, Kryeministri Berisha nuk dha asnjë zgjidhje lidhur me këtë çështje, duke thënë vetëm se qeveria, po e ndjek situatën nga afër. "Përsa i përket qëndrimit të qeverisë, ajo do të shqyrtojë problemin, por qeveria nuk ndërhyn dot në kushte tregu. Unë u bëj thirrje prodhuesve të bukës të mbajnë një qëndrim objektiv në këtë drejtim. Eshtë e vërtetë që ka rritje çmimi të grurit dhe ky është realitet, një ton grurë që kushtonte 73 euro në vitin 2006, ka shkuar në vitin 2007 në 340 euro. Gjithsesi, ne po e ndjekim situatën", theksoi kryeministri Berisha një javë më parë.Reagimi i PDRPartia Demokrate e re reagoi dje lidhur me rritjen e çmimit të bukës në treg. "Eshtë momenti për të marrë masa që të lehtësohet situata deri në korrjet e drithërave në mes të këtij viti. Përveç financimit të akcizës së naftës, duhet shqyrtuar me urgjencë heqja e taksës së importit të grurit si dhe pezullimi i përkohshëm i TVSH-së për grurin dhe nënproduktet e tij deri tek buka si masë emergjente për të trajtuar një situatë emergjente", thuhet në një njoftim të PDR-së.