Gripi favorizon shfaqjen e shytave
• Virozat apo gjendjet gripale favorizojnë shfaqjen e shytave.Aida MalajDobësimi i sistemit imunitar ndikon që organizmi të infektohet më lehtë nga viruset e shumta që qarkullojnë në këtë periudhë. Në një intervistë për “Panorama”, mjekja infeksioniste Imelda Zeqo, shpjegon se si mund të parandalohet dhe kurohet kjo sëmundje:Doktoreshë, është e vërtetë që gjatë stinës së dimrit mund të hasen më shpesh shytat?Parotiti ose shytat janë një sëmundje akute me prejardhje virale, që shfaqet gati gjatë gjithë vitit. Gjithsesi është vënë re dimri i vonë dhe fillimi i pranverës shënojnë dhe periudhën me numrin më të madh të rasteve. Ditët e fundit ka pasur raste, por janë raste sporadike, nuk mund të flitet për epidemi siç është dhe natyra e sëmundjes. Shfaqja e sëmundjes favorizohet nga virozat dhe gjendjet gripale, që ulin mbrojtjen e sistemit imunitar dhe për pasojë preken më lehtë nga viruset që qarkullojnë në ajër. Një prej këtyre është virusi që shkakton parotitin, i cili i favorizuar nga virozat, shfaqet te personat e predispozuar. Si shfaqet sëmundja?Sëmundja mund të shfaqet e menjëhershme, që do të thotë se pacienti çohet në mëngjes me gjëndrat e pështymës të ënjtura ose mund të ndodhë që pas një gjendjeje të përgjithshme jo të mirë: dobësi, rrufë, etj., të shpërthejnë shenjat karakteristike të sëmundjes. Këto janë ënjtje dhe zmadhim i gjëndrave të pështymës, lëkura që mbulon gjëndrën është e kuqe dhe e tendosur, ënjtja e gjëndrës lëviz midis gishtave të pacientit ose të mjekut si diçka e ngrirë. Në shumicën e rasteve parotiti është i dyanshëm, kur fillon të ulet gjëndra e parë, enjtet ajo e anës tjetër. Temperatura arrin 38-39 gradë dhe rrallë 40. Ankesa të tjera janë dhimbja e kokës, mungesë oreksi, vështirësi gjatë përtypjes dhe në të folur.Për sa kohë i sëmuri, shërben si burim infektimi për të tjerët?Infeksioni transmetohet nëpërmjet sekrecioneve të pështymës, kjo bën që sëmundja të përhapet lehtë. Personi i infektuar është ngjitës një javë para dhe dy javë pas shfaqjes së sëmundjes, gjithsesi duhet që personat që i rrinë pranë, qoftë familjarë apo të tjerë që kanë kontakte të vazhdueshme me të, të jenë të predispozuar të preken nga parotiti.Si është ecuria e sëmundjes?Shytat janë një sëmundje që në përgjithësi trajtohet lehtë dhe mirë. Kjo është sëmundje që lë imunitet të përhershëm, që do të thotë se nëse kalohet një herë, nuk shfaqet më. Gjithsesi nëse kalohet në mosha të mëdha mund të shfaq ndërlikime, dhe te meshkujt mund të çojë deri në sterilitet. Kjo është arsyeja që te ky kontingjent, jepet antibiotikë për profilaksi. Por në përgjithësi kalohet lehtë dhe pa shumë probleme. keshillaÇfarë mund të bësh kur shfaqet sëmundja?Për trajtimin e shytave, ashtu si dhe për disa sëmundje virale, nuk ka mjekim specifik. Trajtimi është simptomatik dhe trajtohen simptomat ose komplikacionet nëse shfaqen. Kështu përdoren antipiretik (qetësues të familjes së paracetamolit) apo dhe medikamnete antiiflamatorë. Rekomandohen ushqime të buta dhe të lëngëta, sepse pacienti shfaq probleme me gëlltitjen si pasojë e ënjtjes. Këshillohen fruta dhe perime të freskëta që forcojnë sistemin imunitar. Rekomandohen regjim shtrati dhe mbajtja e të sëmurit ngrohtë. Veshja e një shalli të ngrohtë, sepse të ngrohtat ndihmojnë në uljen e zonës së ënjtur.