E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albi Kondi, shqiptari që zgjedh Greqinë

• Albi Kondi, mesfushori shqiptar që luan te skuadra e Panioniosit ka zgjedhur Greqinë. Ky është një tjetër futbollist shqiptar që i thotë “jo” fanellës kuqezi, duke zgjedhur ngjyrat e flamurit helen. Ai ka luajtur 60’ minuta në ndeshjen miqësore, që përfaqësuesja greke zhvilloi kundër Sllovenisë të premten. Takimi përfundoi 0-0 dhe Kondi e nisi si titullar ndeshjen. Trajneri i skuadrës, Aleksis Aleksiu, u shpreh i kënaqur për paraqitjen e lojtarit dhe tha se Kondi ka të dhëna të mira. Mesfushori shqiptar duket se ka bërë zgjedhjen e tij përfundimtare, sepse pak muaj më parë atij iu bë ftesë nga Federata Shqiptare e Futbollit për t’u grumbulluar në ndeshjen me Bjellorusinë, por ai nuk u paraqit. Më pas, Kondin e vizitoi nga afër ish-zv/trajneri i Shqipërisë, Shpëtim Duro, i cili tentoi ta bindte lojtarin të zgjidhte përfaqësuesen shqiptare, por Kondi nuk dha asnjë sinjal pozitiv. 19-vjeçari ka shanse për të luajtur me Kombëtaren shqiptare, pasi ai është i pajisur me pasaportë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›