E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia, në 4 të mëngjesit

• Kosova do të shpallë pavarësinë në orët e para të 18 shkurtit, pak para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel. Kështu citojnë burime nga diplomacia perëndimore për mediat e mëdha amerikane. Në kushte anonimiteti diplomatët perëndimorë janë shprehur për gazetën amerikanë “New York Times” se pavarësia do të shpallet më 18 shkurt, ndërsa ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel për të diskutuar për misionin e tyre. Sipas diplomatëve perëndimorë, Parlamenti i Kosovës do të mblidhet në 4:00 të mëngjesit për të shpallur pavarësinë, duke mos i lënë kohë Rusisë të thërrasë një sesion të menjëhershëm të Këshillit të Sigurimit për ta bllokuar këtë akt. Kryeministri i Kosovës nuk ka dhënë asnjë reagim pas deklaratës së ministrit serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, se ka burime të brendshme që konfirmojnë se Kosova do ta shpallë pavarësinë më 17 shkurt. Ai as nuk i ka pohuar dhe as nuk i ka mohuar këto deklarata. I vetmi koment nga Thaçi dhënë për gazetarët ishte se ndarja e Kosovës nga Serbia është një punë e kryer tashmë dhe se ka konfirmimin e 100 vendeve që do ta njohin Kosovën e pavarur që në orët e para pas shpalljes së saj. Kjo deklaratë përputhet me një të ngjashme dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit se pas shpalljes nga ana e kosovarëve, pavarësinë do ta njohin një numër i konsiderueshëm vendesh. pas orë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Bruksel do të mblidhen Ministrat e Jashtëm të bllokut evropian për të aprovuar misionin e BE-së në Kosovë, i cili do të zëvendësojë misionin e kombeve të bashkuara, të cilat kanë administruar tashmë këtë ish provincë serbe prej më se tetë vitesh, që në vitin 1999. Misioni  i BE-se ka synim sigurimin e një tranzicioni të qetë të Kosovës nga pjesë e Serbisë në një shtet të pavarur. Diplomatët evropianë kanë komentuar më parë se pavarësia e Kosovës duhet të ndodhë përpara 1 Marsit, kur Moska merr presidencën e Këshillit të Sigurimit. Rusia ka paralajmëruar se do të përdorë të gjithë fuqitë e vetos së saj për të bllokuar pavarësinë e Kosovës.Flamuri Ndërkohë për Kosovën nuk ka më kthim prapa, me gjithë kundërshtimin e Rusisë dhe Serbisë, javën e ardhshme Kosova do të “zgjohet” e pavarur. Parlamenti i Kosovës po punon tashmë edhe për simbolet, të cilat pritet të shpallen zyrtarisht në fillim të muajit mars. Aktualisht po bëhet një përzgjedhje e flamurit dhe mes gjithë varianteve të propozuara duket se më i pëlqyeri është një me fushë blu dhe një hartë të bardhë të Kosovës, të rrethuar nga pesë yje me masa të ndryshme, që përfaqësojnë grupet e ndryshme etnike në Kosovë; një trengjyrësh vertikal Zi-bardh-e kuq; dhe një vertikal trengjyrësh Zi-bardh-e kuq, por me një simbol spiral në qendër të së bardhës. DokumentiPritet se që sot në Prishtinë do të zhvillohet një takim mes liderëve të lartë politik të vendit, por të nisur hartimin e dokumentit që do të deklarojë pavarësinë. Sipas “Koha ditore”, në takim do të marrin pjesë Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi. Liderët kosovarë kanë lënë mesazhin se dokumenti do të përgatitet në koordinim me diplomatët e huaj në Kosovë, por nuk kanë dhënë detaje. Dokumenti do të përfshijë dhe ftesën për misionin e BE-së, i cili zëvendëson UNMIK-un dhe detyrimin për të zbatuar planin e Ahtisarit. Rusi-Gjeorgji, “sherr” në Mynih për njohjen e Kosovës Presidenti gjeorgjian dhe përfaqësuesi rus janë përballur në konferencën ndërkombëtare të Mynihut për Kosovën. Presidenti Sakashvilli i devijoi pyetjes së përfaqësuesve rusë në këtë konferencë, se si do të vepronte Tbilisi në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do ta njihte atë apo jo. Sakashvill u përgjigj se qëndrimi i Tbilisit nuk do të ndryshonte asgjë në këtë çështje. Gjeorgjia ka 2 rajone separatiste, megjithatë në deklaratat zyrtare të presidentit të vendit, me pikëpamje pro perëndimore, Kosova dhe pavarësia e saj qoftë edhe e njëanshme nuk janë precedent për vendin e tij pasi çështjet e rajoneve janë shumë të ndryshme. Deputeti rus, Aleksey Ostrovsky e akuzoi Gjeorgjinë për standarde, duke komentuar se ndërkohë që Tbilisi po përpiqet të ruante integritetin e tij territorial nga njëra anë, nga ana tjetër është bërë partner në vendet që do të njohin pavarësinë e Kosovës edhe pse prek integritetin territorial të një vendi tjetër. Sakashvilli u përgjigj se “pavarësia e Kosovës është e qartë se do të ndodhë, le të jemi të hapur në këtë pikë, dhe dihet se kjo do të ndodhë këtë muaj. Dhe kjo çështje nuk është në duart e Gjeorgjisë, vetëm se edhe ne kemi rajone separatiste brenda vendit. Këtë nuk e ka diskutuar askush tjetër përveç Rusisë. Nëse ka një vend që ka diskutuar seriozisht për njohjen e separatistëve të Gjeorgjisë dhe mbështetjen e tyre, ky është Rusia. Kjo nuk është një pyetje për mua, kjo është një pyetje për ju. Unë po ju pyes: A do t’i njihni ju rajonet separatiste të Gjeorgjisë pasi Kosova të shpallë pavarësinë dhe të njihet nga perëndimi? A do ta bëni këtë hap në dy javë, sepse pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj ndodhin tani”. Kutia e PandorësNë të njëjtën konferencë dhe në diskutimin për Kosovën, përsëri rusët ishin të vetmit që nxorën pengesa për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj, edhe pse tashmë duket një çështje e kryer.  “Njohja e pavarësisë së Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar do të shënonte një precedent ndërkombëtar”, tha zëvendëskryeministri i Rusisë, Sergei Ivanov në konferencën ndërkombëtare të Sigurisë në Mynih. Rusia kundërshton fort idenë se pavarësia e Kosovës duhet njohur nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit, dhe sipas Ivanov, kjo jo vetëm se Rusia mbështet serbët si aleatë. “Rusia kërkon që të respektohen ligjet ndërkombëtare dhe të shmangen precedentët. Njohja e Kosovës do të hapte “kutinë e Pandorës” për rajone të tjera separatiste”, tha Ivanov duke përmendur kështu edhe Qipron e Veriut. Thaçi dhuron traktor për një familje serbe në Lipjan Kryeministri i Kosovës, Hashim Thacci, për të siguruar se do të bashkëpunojë me etninë serbe pas shpalljes së pavarësisë dhe për t’i treguar atyre se do të jenë pjesë e njëjtë e shoqërisë ashtu si edhe etnia shqiptare në Kosovë, i ka dhuruar një familjeje serbe një traktor. “Jemi në çastet vendimtare për fatin e Kosovës dhe se duhet t’i kalojmë së bashku me bashkë-përgjegjësi sepse perspektiva do të jetë e përbashkët”, është shprehur dje kryeministri Thaçi gjatë vizitës që u bëri familjes Sllavkoviç në Rubovc të Lipjanit, ku i dhuroi një traktor. Thaçi u përkushtua se do të punojë me vullnet të mirë dhe përgjegjësi pozitive për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallime etnike.  “Do të punoj për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallime etnike”, tha kryeministri Thaçi në fshatin Rubovc të Lipjanit. Kreu i qeverisë së Kosovës shtoi se “Kosova po krijon realitetin e ri të perspektivës së përbashkët për të cilën ekziston edhe ndihma dhe mbështetja e të gjithë miqve ndërkombëtarë. Ju kam premtuar një traktor të ri dhe ja ku e keni, po ju premtoi edhe për status të ri të Kosovës, të cilin gjithashtu do ta keni së shpejti dhe i cili do të jetë i favorshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ai duke shtuar se “Sot ndodhem në një familje të nderuar e cila e ka dërguar mesazhin e qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kosova do të jetë vend i mundësive të barabarta me të drejta të afirmuara për komunitetin serb. Janë ditë të shpresës dhe optimizmit dhe assesi të panikut dhe apo frikës. Prandaj ne do të kemi status të ri ashti siç e kam përmend edhe para një jave edhe traktor të ri, kështu që e gëzofshi” tha ai. Për Sllavisha Sllavkoviçin, dhurata e kryeministrit Thaçi është e mirëpritur dhe njëherësh shprehu besimin e tij në Qeverinë e Kosovës.Gates Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates ka deklaruar në Mynih se Rusia do të reagojë me maturi nëse Kosova shpall pavarësinë. Këto komente sekretari amerikan i Mbrojtjes i ka bërë në Konferencën Ndërkombëtare për Politikat e Sigurisë që po mbahet në Mynih, ku me sa duket Kosova ka qenë një nga pikat e forta të diskutimit. I pyetur nga gazetarët se nëse kjo do të thotë se Rusia nuk do të bëjë zhurmë të madhe, Gates ka replikuar se “këtë nuk e kishte thënë dhe se kishte pohuar vetëm se Rusia do të reagojë me maturi”.Masakra Pse duhet të jetë Kosova e pavarur? “Masakra e 44 shqiptarëve të Kosovës nga forcat e sigurisë së Serbisë para nëntë vitesh është ngjarje që përkujton se përse Kosova e meriton pavarësinë, tha ish-diplomati amerikan”, William Walker, që ka kryesuar Misionin Verifikues të atëhershëm në Kosovë. “Raçaku sigurisht nuk ishte një incident i izoluar”, tha Walker dhe shtoi se gjërat e këtilla “ndodhnin në mbarë Kosovën”. Walker shtoi për “Reuters” se “pas asaj që kam parë në 6 apo 7 muajt e qëndrimit në Kosovë, nuk mund ta imagjinoj se si populli i Kosovës do të mund të pranonte çfarëdo shkalle të kontrollit nga Beogradi”. Kosova, një fjalë para pavarësisë në filmDy regjisorë nga Italia, prej mëse dy javësh ndodhen në Kosovën e para pavarësisë. Për të pritur ditën e madhe të shpalljes së shtetit të pavarur Tomaso Bertani si dhe ai shqiptar, që jeton prej vitesh në Itali, Erion Kadilli janë duke fokusuar çaste të ndryshme nga Kosova e këtyre ditëve. Projekti i tyre që i ka bërë të enden rrugëve të Kosovës këto ditë më kamera ndër duar, është ai me titull “Pranvera në Kosovë”. Eshtë një film dokumentar, xhirimet e të cilit kanë ditë që kanë nisur dhe do të vazhdojnë deri në ditën e shpalljes së pavarësisë. Ideja për këtë film ka qenë e vetë regjisorëve. “Kemi qenë të interesuar shumë gjatë kësaj kohe që Kosova si vend i vogël ka qenë shumë i frekuentuar nga mediat ndërkombëtare, të cilat ne i kemi përcjellë me shumë vëmendje dhe kemi vendosur të vijmë këtu”, thotë njëri nga regjisorët, Erion Kadilli. Ai thotë se, gjithnjë na ka bezdisur fakti që është shtyrë statusi përfundimtar i Kosovës dhe mendoj tani më nuk do ketë shtyrje. Të dy këta regjisorë kanë xhiruar edhe një film në Shqipëri, por mendojnë se Kosova në një pikëpamje dhe historia e saj është më interesante se Shqipëria. Të dy regjisorët krahasojnë vendin në të cilin janë shkolluar dhe veprojnë, Italinë dhe Kosovën. “Eshtë shumë interesant këtu për ne sepse në Itali, shtet që është krijuar shumë më parë po bie një qeveri, ndërsa këtu po bëhet një shtet”, shprehen regjisorët.  Filmi, pas përfundimit, do të jetë pjesëmarrës në shumë festivale si: Torino, Genova, Milano, Tirana Film Festival, në Oterdam por edhe në ndonjë festival kosovar. Ai do të jetë reportazh si një fjalë para pavarësisë. “Jemi frymëzuar nga “Gjermania e vitit 0” e Roberto Rosellinit”, shprehet regjisori Kadilli. Filmi do të ketë edhe intervista me figura të Kosovës, prej atyre që kanë pozita në vend e deri te fëmijët. Filmi nuk do të ketë protagonistë. Protagonist i filmit do jetë Kosova, nuk është ndonjë individ i veçantë. “Përveç informacioneve të shumta që ne kemi për Kosovën, për t’i plotësuar ato na ka ndihmuar edhe prof. Muhamet Kelmendi”, thotë Besnik Binjakaj, ndihmës i regjisorëve. “Ajo ç’ka më së shumti na intereson është që të pasqyrojmë një jetë të përditshme të kosovarëve deri te dita e madhe që ata kanë pritur me dekada”, shprehet Kadilli.Solana: Vendimi është marrë, misioni në Kosovë do kryhetHavier Solana ka deklaruar për mediat serbe, pas një debati në konferencën e 44-ët të Mynihut se misioni i BE-së është i papranueshëm, se tashmë Beogradi e ka të qartë qëndrimin e Bashkimit Evropian, se unioni do të bëjë çdo gjë në të mirë të stabilitetit të rajonit. Duke pohuar qëndrimin se misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë do të ndodhë me gjithë kundërshtimin e Serbisë dhe Rusisë, kreu i lartë i BE-së tha se tashmë kanë mbetur për t’u diskutuar disa hapa praktikë, plani i veprimit. Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve B92, Solana tha se vendimi për planin e veprimit për misionin në Kosovë do të merret së shpejti. “Liderët e Serbisë duhet të zgjidhin problemet e tyre të brendshme në koalicionin qeverisës, pasi kanë detyrimin për ta bërë këtë”, komentoi Solana pas trazirave të nisura brenda koalicionit qeverisës në Beograd javën e kaluar. “Liderët serbë, presidenti dhe kryeministri, e njohin shumë mirë pozicionin tonë. Ne mendojmë se Bashkimi Evropian ka detyrimin të vazhdojë të ndihmojë procesin e stabilizimit të rajonit. Ky është pozicioni ynë dhe drejtimi që ne do të ndjekim”, shtoi ai. Solana komentoi se misioni i kundërshtuar nga Rusia dhe Serbia, është përgatitur në detaje dhe analizuar mirë. “Plani për këtë mision tashmë është aprovuar në BE dhe mbase do të duhet vetëm faza finale për planin e veprimit, në rastin e nevojës për zbatim të tij. Kjo do të ndodhë, por unë nuk mund të jap data. Po diskutojmë tashmë me anëtarët e Këshillit të Sigurimit”, tha Solana. Ndërkohë RTK ka njoftuar se burime brenda Bashkimit Evropian në zyrat qendrore kanë pohuar se Kuvendi i Kosovës do ta shpallë pavarësinë më 17 shkurt, ndërsa BE do ta njohë këtë deklaratë në fillim të marsit. Zyra e shefit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, Havier Solana, nuk ka pranuar të komentojë hapur mbi këtë njoftim. RTK ka shtuar se në periudhën nga 17 shkurti deri në fillim të marsit, Kuvendi i Kosovës do të miratojë një paketë me ligje të përfshira në propozimet e Marti Ahtisarit, si dhe kushtetutën e vendit. Simbolet, himni dhe flamuri do të përcaktohen në po këtë periudhë. “Disa vende të BE do ta shpallin qëndrimin tyre pro pavarësisë edhe para se të shpallet pavarësia, ndërsa në fazën e parë ajo do të njihet nga 20 vende brenda unionit me 27 vende të BE-së”, citon RTK.Apeli i fundit: Mos e njihni pavarësinë  Presidenti serb, Boris Tadiç ka bërë dje një apel të fundit përpara liderëve ndërkombëtarë duke i kërkuar atyre të mos ta njohin pavarësinë e Kosovës, të kenë kujdes nga një plan i orkestruar për të marrë një pjesë të territorit serb. Tadiç ka deklaruar se njohja zyrtare e pavarësisë nga 100 vende, sipas sinjaleve të ardhura nga Kosova, ishte prerja e krahëve në mes të negociatave të vështira dhe eliminimi i mundësisë për të arritur një marrëveshje mes palëve, gjithashtu edhe riaktivizimi i konflikteve të ngjashme separatiste. Ai tha se e vetmja mënyrë për të gjetur zgjidhjen e duhur ishte Këshilli i Sigurimit, i cili do të miratonte vetëm një marrëveshje që do të ishte e pranueshme nga të dyja palët dhe nuk do të dëmtonte interesat e asnjërës prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›