Bukëpjekësit, 50 për qind e kostos së një buke janë taksa
Çdo element, duke nisur që nga gruri, mielli e deri te buka, kur shitet taksohet me TVSH. Fitimi i prodhuesit për një bukë shkon nga 20 deri në 25 për qind
Ervin Koçi
Buka, edhe pse ushqimi kryesor bazë i tryezës së shqiptarëve, trajtohet nga qeveria njësoj si të gjitha mallrat e tjera që tregtohen në vend, apo që hyjnë nga importi. Ky produkt, edhe pse më i rëndësishmi për të shuar urinë e mbi 3 milionë shqiptarëve, që mendojnë çdo ditë vetëm për sigurimin e bukës, duket se më pak i intereson qeverisë, e cila takson çdo proces të prodhimit dhe tregtimit të këtij malli. Që nga porti ku hyn lënda e parë, grurë ose miell, e deri kur blihet në dyqan nga konsumatori, buka taksohet deri në 50 për qind të vlerës së saj të përgjithshme. Një gjë të tillë e pranon Edmond Liçi, pronari furrës së bukës “Shija”, i cili thotë për gazetën “Albania” se e ka mjaft të vështirë që të mos e rrisë bukën me çmimet aktuale të lëndëve të para dhe taksat. Ai sqaron se fitimi i tij në një bukë 850 gramë është vetëm 15 për qind, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes shtetit, kostos së prodhimit dhe tregtuesve të tjerë të këtij malli. “Jam i detyruar ta rris çmimin e bukës pasi nuk ia dal dot me taksat që ka çdo element që nevojitet për të prodhuar bukë. Ditët e fundit edhe kripa e zezë që ne blinim te grosistët për të gatuar brumin, na u rrit me 5 lekë për kg. Kurse majaja, vaji, mielli, gazi, nafta dhe gjithçka janë rritur që më parë”, - thotë për gazetën Edmondi. Ai thekson se “50 për qind e vlerës që ka çdo bukë masive që tregtoj me 100 lekë, janë taksa. Këtë nuk e kam llogaritur unë, por ekonomisti im i furrës, i cili na mban bilancin e firmës dhe paguhet prej meje me rrogë mujore”. Sipas Edmondit, “çdo element, duke nisur që nga gruri kur vjen në Durrës, mielli që blihet te fabrika e miellit dhe deri kur buka shitet e pjekur dhe e përfunduar te qytetari, taksohet me TVSH”. Më tej ai sqaron se, gruri apo dhe mielli janë mallra me akcizë, një tjetër taksë kjo që, sipas tij, e shton koston që në dorën e parë. Më tej ai tregon se paguan deri në 20 apo dhe 25 mijë lekë energji çdo muaj, edhe pse furra e tij i pjek bukët me gaz. Ndërkohë, edhe uji vjen çdo muaj 3-4 mijë lekë, pa llogaritur të gjitha shpenzimet e tjera, që fillojnë nga pagesat e punëtorëve e deri te qiraja e lokalit. E gjitha kjo për Mondin kap rreth 35 për qind të atyre shpenzimeve që ai i llogarit vetëm si kosto në prodhimin e bukës.
Buka ende me 60 lekë
Lorenci, pronari i një furre buke në lagjen “Tirana e Re”, është njëri prej disa subjekteve që e tregton akoma bukën me 60 lekë. Kjo gjë, sipas Lorencit, bëhet vetëm për bukën masive 850 gramëshe, të cilën ai nuk e ka ndryshuar që prej vitesh. “Nuk e kam rritur çmimin pasi unë nuk paguaj qira për ambientin sepse e kam timin. E kam pasur më parë shtëpi dhe e bëra furrë buke. Kam klientelën time të rregullt, por tani që buka u rrit me 100 lekë, klientët më janë shtuar dhe vijnë edhe nga lagje të tjera”, - thotë për gazetën Lorenci, disi i kënaqur për punën që bën. Ai shprehet më tej se “fitimin te buka e kam minimal, edhe më poshtë se 10 për qind, por ngaqë pjek dhe shes një sasi tepër të madhe në ditë, kjo më kompensohet nga xhiroja që bëj”. Sipas Lorencit, po ta mbante çmimin e bukës 100 lekë, si shumë furra të tjera, ai është koshient se nuk do të kishte më të njëjtën punë që bën aktualisht. Megjithatë, Lorenci tregon se edhe pse është një biznes i vogël, ai paguan në shtet rreth 2 milionë lekë të vjetër çdo vit taksa dhe tatime, në një kohë që shpenzimet janë akoma më të madha për shkak të kostove, ku fut energjinë, ujin dhe lëndën e parë.
Tregtimi i bukës
Pronarët e furrave të bukës, të intervistuar nga gazeta, përveç të dhënave për taksat dhe koston, na shpjegojnë edhe një sekret tjetër, atë të riciklimit të bukës. Ata pohojnë se gjatë ditës mundohen të pjekin aq sasi buke sa llogarisin se mund t’u tërhiqet nga blerësit. Po kështu, gati 90 për qind e furrave prodhuese në kryeqytet e shpërndajnë bukën e tyre edhe nëpër pika shitjesh të tjera, kryesisht në dyqanet ushqimore apo dhe markete, ku buka, sipas tyre, “tregtohet në ambiente të posaçme”. Çdo ditë kjo shpërndarje bëhet me një ose disa mjete, sipas takatit të firmës dhe pronarit, kostoja për të cilën futet në koston e prodhimit të bukës. Po kështu, për çdo pikë shpërndarjeje, çdo shitësi i lihet nga 10 lekë fitim për bukën masive 850 gramëshe, nga çmimi i saj prej 100 lekësh. Por fitimi që lë prodhuesi varion në vlerën 1.5-2 lekë (të lëna te tregtari), për një simite që mund të shitet 10-15 apo dhe 20 lekë. Të gjithë tregtarët pohojnë se te shpërndarja e bukës në pika të tjera shitjeje ushqimesh, apo dyqane ose markete, ata sigurojnë një fitim goxha të madh, që mbulon deri në 100 për qind shpenzimet e tyre të kostos së prodhimit. Por kjo gjë, sipas pronarëve të furrave, mbart me vete edhe riskun e kthimit mbrapsht të bukës të nesërmen, si pasojë e mosshitjes. Por edhe kësaj duket se i është gjetur një zgjidhje origjinale, riciklimi.
“Riciklimi” i bukës
Buka një herë e pjekur dhe e nxjerrë për tregtim nuk mund të ripërdoret më për t’u bërë brumë ose bukë përsëri. Këtë e thonë bukëpjekësit dhe pronarët e furrave, por që tregojnë edhe mënyrën se si e “riciklojnë” atë. Një pjesë e furrave private janë të lidhura me kopshte ose çerdhe fëmijësh, që përmbajnë vakte ushqimi, konvikte, mensa private ose shtetërore, apo deri tek administrata e Burgjeve, ku dërgojnë rregullisht çdo ditë bukën e mbetur ose të kthyer nga një ditë më parë (të ftohtë, por të konsumueshme). Kjo gjë bëhet duke e tregtuar bukën e mbetur deri në 30 apo 40 për qind më ulët nga çmimi i parë, gjithmonë në marrëveshje me furnitorët e mensave të institucioneve. Ndërsa për furrat që nuk kanë mundur të krijojnë një lidhje të tillë, mjaft të leverdishme, zgjidhja janë fukarenjtë. Sipas Edmond Liçit, ai çdo ditë në furrën e tij shet, së bashku me bukën e saponxjerrë nga furra, edhe atë të një dite më parë, por me gjysmën e çmimit, duke ua shitur atë varfanjakëve ose pensionistëve, që sipas tij, kohët e fundit janë shtuar.
Pastiçeritë dhe byrektoret rrisin çmimet deri në 30 për qind
Çmimi i rritur i drithërave në tregun tonë dhe atë ndërkombëtar nuk ka dhënë pasoja vetëm te furrat e bukës dhe çmimi i kësaj të fundit. Rritja e radhës është konstatuar dje nga një investigim i “Albania”-s për çmimet edhe te të tjera biznese që punojnë me miellin, vajin apo sheqerin. Bëhet fjalë për pastiçeri të ndryshme në kryeqytet, apo dhe dyqane ku tregtohen byrekë ose pica, të cilat kanë rritur çmimet gjatë këtyre ditëve nga 5 deri në 30 për qind për artikujt që tregtojnë. Kështu, rritje çmimesh është vënë re tek ëmbëlsirat që si bazë kanë miellin, p.sh. tortat e ndryshme, pastat, keket, trigonët, tollumbat, gurabijet etj. Sipas pastiçierëve, për ta është i pamundur vazhdimi i punës me çmime të pandryshuara, pasi mielli për ëmbëlsirat, vezët, vaji, sheqeri, margarina e deri te soda apo aromatikët, kanë pësuar rritje të ndryshme. Të njëjtën gjë pohojnë edhe prodhuesit dhe tregtuesit e byrekëve dhe picave, të cilët thonë se çmimi i miellit, vajit, gjalpit, gjizës apo deri te kripa, janë shtrenjtuar. Kështu, një byrek i vogël i çastit, me djathë ose gjizë, që deri disa javë më parë kushtonte 25 lekë, tani kushton 30 lekë, duke u rritur me 25 për qind. Ndërsa një byrek me mish, që kushtonte 50 lekë, tani kushton 60 lekë.
Shkurt
Mielli, rritje 34%
Rritja e çmimit të miellit është me 200 lekë, duke u vlerësuar si 34 për qind më i lartë se më parë. Çmimet e këtij produkti që në 60 për qind të tyre varen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga importi, kanë kapur majat, duke i treguar qeverisë se duhet që të rishikojë dhe prioritet e saj në fushën e bujqësisë.
Buka, rritja 25%
Rritja e fundit e çmimit të bukës në treg është rreth 25 për qind, duke reflektuar edhe pjesën më të madhe të rritjes së kostove bazë të prodhimit të këtij produkti. Rritja e çmimit të bukës, duket se ka prekur shtresat më në nevojë të shoqërisë shqiptare. Një fakt i tillë duket në radhët e gjata, të cilat janë konstatuar gjatë ditës së djeshme në të gjitha ato furra buke, ku çmimet nuk kanë pasur ende një rritje në ditët e fundit.
Makaronat, rritje 34%
Makaronat e të gjitha llojeve kanë pësuar një rritje në çmim, që fillon nga 34 për qind, ndërsa për një pjesë të tyre në treg ka pasur edhe çmime më të larta. Çmimi i këtyre produkteve varion tashmë nga 80 lekë deri në 100 lekë, duke reflektuar çmimin e lartë të miellit, që është edhe produkti kryesor në përgatitjen e tyre.
Bulmetet, rritje 10%
Bulmetet e ndryshme, të ardhura nga importi, kanë pësuar një rritje të çmimeve në treg me 10 lekë të rinj, duke reflektuar koston e lëndëve të para në rritje për sektorin e blegtorisë. Sipas specialistëve të fushës, rritja e çmimeve të këtyre produkteve do të jetë më e lartë në një periudhë të dytë, nëse çmimet e drithërave do të ruajnë këto nivele.
Vaji, rritje 12%
Vaji është edhe produkti që ka pësuar rritjen më të madhe në treg, gjatë kësaj periudhe. Rritja e çmimit për këtë produkt nga më kryesorët në të gjitha tavolinat shqiptare, rritja e çmimit shkon nga 20 lekë deri në 50 lekë. Rritja me 20 lekë për litër është e pranishme zakonisht për vajin e lulediellit të prodhuar në vend, që shitet me 220 lekë për litër, ndërsa vaji i misrit ka pësuar edhe rritjen më të madhe, duke u shitur me 250 lekë për litër.
Biletat, rritje 20%
Çmimet e biletave në autobusët dhe mjetet e tjera të shërbimit interurban (midis qyteteve), kanë pësuar një rritje me 20 për qind vetëm gjatë muajit janar. Shërbimi i transportit është përfshirë në një rritje të re çmimesh, që në harkun kohor të 6-mujorit shkon mbi 20 për qind. Rritja, sipas shoferëve të autobusëve dhe furgonëve që operojnë në linjat që realizojnë transportin midis qyteteve, ka ardhur vetëm për shkak të rritjes së çmimeve të naftës, që tashmë janë reflektuar në koston e këtij transporti. Nafta shitet me 140 lekë për litër, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të zbutur taksimin e këtij produkti.
Energjia, rritje në mars
Në datën 1 mars pritet që të futen çmimet e reja të energjisë, që veç zbrazjes në mënyrë të drejtpërdrejtë të xhepave të qytetarëve për energjinë e harxhuar, do të ngarkojnë me një kosto shtesë konsumatorët shqiptarë për të gjithë mallrat që prodhohen me energji. Ende nuk dihet nëse do të ketë një rritje të çmimit të energjisë për furrat e bukës, pasi KESH-i ka kërkuar që rritja për këtë kategori të jetë me 50 për qind. Kjo do të jetë një nga kostot e tjera që do të rëndojë më tej situatën e rënduar të çmimeve në vend, që sërish pritet të kalohet në heshtje nga ana e qeverisë.
13 Shkurt 2008