E Diel, 1 Nëntor 2026

Qesh Rafa, Torres i gatshëm kundër Interit

Fernando Torres mund të rikuperohet nga dëmtimi përpara kohës së parashikuar dhe të jetë gati për ndeshjen e Kupës së Anglisë kundër Barnslej të programuar për ditën e shtunë. Supersulmuesi spanjoll i Liverpulit, i cili u dëmtua gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare miqësore, mungoi kundër Çelsit në barazimin pa gola. Torres, 23 vjeç, është një nga armët më të fuqishme të trajnerit Rafa Benitez për ndeshjen e rëndësishme të Ligës së Kampioneve kundër Interit. Sulmuesi i ardhur nga Atletiko e Madridit verën e kaluar ka shënuar në total 18 gola në të gjitha kompeticionet ku është angazhuar skuadra e tij.

Trap firmos për 2 milionë euro

Xhovani Trapatoni është shumë afër punësimit si trajner i Irlandës, një vend i refuzuar nga ana teknikut aktual të kuqezinjve shqiptarë, holandezit Ari Han. Mediat irlandeze bënë të ditur se italiani do të firmosë brenda javës me Kombëtaren e “tërfilave”. Trapatoni, i cili për momentin drejton Salzburgun në Austri, do të përfitojë 2 milionë euro në vit.

Irani zgjedh. Bie Maradona, Klemente trajner

U rrëzuan përfundimisht mundësitë që Diego Armando Maradona të stërvitë Kombëtaren iraniane. Tekniku i ri i Iranit do të jetë spanjolli Havier Klemente. Ish-tekniku i Spanjës dhe i Serbisë pranoi ofertën, edhe pse ditët e fundit ai la përshtypjen se nuk do të pranonte të qenit në Kombëtaren e atdheut të Ahmadinexhadit. Pikërisht kështu lindi edhe hipoteza që Maradona, një figurë mjaft popullorë në Iran, mund të bëhej trajneri i vendit islamik.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›