Gjykata gjermane: Incesti, i paligjshëm
Në pamjet e transmetuara në televizione, ata duken të kënaqur, duke shëtitur buzë një liqeni, si çdo çift i ri që kalon pak kohë të këndshme me vajzën e vogël të tyre. Por, kjo skenë romantike është krejt e ndryshme, pasi të dashuruarit, janë vëlla e motër. Gjermanët Patrik dhe Suzanë, janë rritur të ndarë dhe kanë mësuar për lidhjen e tyre kur u takuan, në vitin 2000. Tani, ata kanë katër vajza, dy prej të cilave me aftësi të kufizuara. Ata ndërkohë janë dënuar për incest nga gjykata gjermane dhe Patriku 31-vjeçar, ka kaluar edhe një periudhë kohe në burg. Dje, ata kanë dështuar edhe një herë, në një tjetër përpjekje para gjykatës për të ligjëruar marrëdhënien e tyre. Gjykata e Lartë Gjermane, vendosi se legjislacioni që e bën incestin një krim të dënueshëm, është në përputhje me Kushtetutën e vendit. Gjykatësit thanë se qëllimi është që të mbrohen familjet kundër efekteve dëmtuese të incestit dhe të mbrohet gjithashtu partneri më i dobët. Rreziqet gjenetike për fëmijët e lindur nga një marrëdhënie e tillë, janë gjithashtu të mëdha dhe duhen marrë parasysh. 31-vjeçari nga Lajpcigu i Gjermanisë, ishte adoptuar kur ishte katër vjeç dhe u takua me të motrën në vitin 2000, kur edhe kishte gjetur më në fund nënën biologjike të tij. Ai atëherë ka qenë 24 vjeç, ndërsa vajza 16. Katër fëmijët e tyre, janë të moshës nga gjashtë vjeç deri në 34 muajsh. Tre prej tyre janë vënë nën kujdesin e një institucioni të specializuar.