Hithrou, një person me dy çanta në pistë
Gjendje alarmi maksimal në Hithrou, aeroportin më të madh londinez, pasi një burrë me dy çante është ndaluar ndërsa qëndronte në një nga pistat e aeroportit. Sipas BBC-së, personi kishte kapërcyer rrethimin dhe po vraponte përgjatë një piste, pikërisht në trajektoren e një avioni. Incidenti ka ndodhur rreth orës 15.30, me orën tonë, në pistën veriore të aeroportit. Policët e armatosur e kanë rrethuar personin ndërsa qentë kanë filluar të nuhasin çantat në brendësi të të cilave nuk është gjetur lëndë shpërthyese. Sipas disa burimeve të cituara nga mediat britanike, policia dyshonte se bëhet fjalë për një person që tentonte të protestonte kundër zgjerimit të Hithrout, në prag të inaugurimit të terminalit të pestë. Ndërkohë, trafiku ajror ka rifilluar pjesërisht në pistën veriore të aeroportit, që ishte mbyllur pas arrestimit të këtij personi. Nëse bëhet fjalë me të vërtetë për një protestues, kjo do të ishte hera e dytë, në pak ditë, që siguria e aeroportit dhunohet. Në fund të shkurtit, anëtarë të "Greenpeace" ia kishin dalë mbanë të hipnin mbi një "Boeing 777" dhe që andej të shpalosnin një banderolë kundër zgjerimit të Hithrout. Por, këtë radhë, grupi ambientalist që lufton kundër zgjerimit, ka mohuar të ketë gisht në incident. Incidenti, gjithsesi, e ka një precedent: në korrik të vitit të shkuar, në aeroportin italian të Çampinos, në Romë, një person ishte ndaluar me një çantë në dorë, në afërsi të një piste.
Incidenti i djeshëm ka rritur në maksimum gjendjen e alarmit në Hithrou, kjo edhe për shkak të frikës së përhershme për sulme të mundshme terroriste