E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bukuri e nëmur” flet në frëngjisht

Përmbledhja me poezi “Bukuri e nëmur” e poetit kosovar, Sali Bashota, i është ofruar edhe lexuesit zviceran. Libri, i cili në më 2006 u shpall më i miri në Mitingun e Poezisë në Gjakovë, është botuar në Cyrih. Shtëpia botuese “Xanthippe – Edition ASPASIA”, e ka botuar atë në frëngjisht. “Bukuri e nëmur”, i botuar në Kosovë në vitin 2006, është përkthyer nga Frederique Duversin. Poeti Sali Bashota është shprehur i kënaqur që libri i tij do të “flasë” edhe frëngjisht, duke shpjeguar se promovimi i “Bukur e nëmur” do të bëhet gjatë vitit të ardhshëm në Cyrih. “Është padyshim shumë e rëndësishme për mua, pasi edhe përkthyesja është shumë e njohur, por në të njëjtën kohë është edhe një afirmim për librin tim”, - ka thënë Bashota. Teksa ka thënë se “Bukuri e nëmur” deri më tani është përkthyer edhe në bullgarisht, ai ka shpjeguar se suksesi i librit është bazuar në temën që trajtohet në të.

“Interesimi për këtë libër ka qenë i madh nga botuesit e huaj, duke qenë se ka temën e dhimbjes personale, familjare, të vetmisë dhe luftën”, - ka thënë ai. Në parathënien e librit “Bukuri e nëmur” (Beauté maudite), që është shkruar nga Yvonne - Denise Kochil, thuhet se poeti përmes librit ka pasqyruar vlerat kombëtare.

“Poetët e çdo kombi synojnë t’i paraqesin vlerat e tyre kombëtare, por edhe vlerat universale të shoqërisë njerëzore. Prandaj, vlerat u takojnë të gjithë atyre që për mision e kanë humanizmin dhe lirinë e fjalës së vërtetë. Me poezitë e tij të mrekullueshme, Sali Bashota po e hap një dritare të shpirtit që e ka shkëlqimin dhe origjinalitetin e vet, duke fuqizuar fjalën poetike me dritën e tij të veçantë magjike”, - thuhet në parathënien e përmbledhjes së Bashotës botuar në frëngjisht.

Poezitë e Sali Bashotës janë përkthyer dhe botuar në anglisht, bullgarisht, frëngjisht etj. Autori është nderuar me çmime dhe shpërblime të larta letrare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›