Bukuria dhe kujtesa e thyer
Yzedin HIMA
Kur individi shqiptar u ndje i lirë, domethënë shpëtoi nga puna e detyruar në ferma, fabrika primitive, taraca e aksione, ku punonte falas për ndërtimin e ferrit kolektiv, pa rreth e rrotull tij se mos gjente punën e tij të re. Kuptohet, nuk ishte e lehtë. Tani e tutje seicili do të punonte për vete. Në atë mjerim të përgjithshëm, ky fakt ishte mjaft grishës. Individi shqiptar, në përgjithësi, nuk pa mundësitë që ekzistonin në vendin e tij, ndaj u derdh drejt Perëndimit me të gjitha mjetet, me çdo çmim. Tragjedia e shqiptarëve në malet e Jugut, në malet e Lindjes dhe sidomos tragjedia në Adriatik e Jon, do të jetë një mallkim që do ta ndjekë gjatë politikën shqiptare. Ndërsa një pjesë e shqiptarëve, duke parë rreth e rrotull, nga të gjitha burimet e këtij vendi, si punimi i tokës, mbjellja e vreshtave, kopshtaria, mekanika, peshkimi , ndërtimi, dalloi më të brishtën, më delikaten, atë që në fakt bën një kontrast të thellë me vrazhdësinë e jetës së këtushme, me terrenin, me psikologjinë e krijuar në shekuj, femrën. Delikatesa, bukuria, brishtësia u kthyen për një pjesë jo të vogël të femrave shqiptare në fatkeqësi. Nisi shfrytëzimi barbar i tyre nëpër rrugët e Perëndimit. Endrra sidoqoftë qe e bukur: Do iknin larg këtij vendi të ashpër, ku butësia, delikatesa, bukuria ose nuk viheshin gjithmonë re, ose shiheshin si një peizazh mahnitës, ku mund të vije për piknik kur të doje dhe të lije pas ambalazhet e një dite të grisur, hedhur ashtu pa kujdes. Endërronin për një botë, ku bukuria dhe butësia të mos qenë një kontrast i thellë, një lëkurë e vlefshme kunadheje, nën shënjestra gjahtarësh vulgarë. Endërronin një botë ku të kishin mundësi të punonin, ndoshta edhe shumë, por të merrnin një pagë të denjë, me të cilën të jetonin si njerëz. A mund të gjykohet njeriu pse ëndërron? A mund të dënohet njeriu pse mendon bukur për jetën e vet?
Herë-herë, në familjet shqiptare varfëria e mjedisi i mjeruar përreth ishte i tillë, sa që vajzat kanë pranuar ta ndërrojnë atë me çdo çmim, qoftë edhe me humbjen e lirisë, trajtimin kriminal dhe daljen te sheshi “Loreto” në Milano, i njohur sot si vendi ku u var Musolini dhe sheshi ku “varen” çdo ditë prostitutat shqiptare, për t’u zgjedhur nga pleqtë maniakë italianë. Kalimi nga zhveshja prej çdo lloj feminiteti gjatë viteve të diktaturës (përfytyroni femrën e turneve të treta , kominoshet, aksionet, zboret), në ekstremin “gjithçka është mall në këtë vend dhe mund të shitet e të blihet”, rezultoi traumatik për femrën shqiptare, respektivisht për shoqërinë shqiptare. Në vitet e shkollës së mesme më ra në dorë një poezi e Eugjen Jevtushenkos për gruan. E lexonim fshehur e mahniteshim me bukurinë e vargjeve dhe shenjtërimin që i bënte poeti i njohur femrës dhe gruas në përgjithësi. Ende i ruaj në kujtesë si një perlë vargjet: “Kudo mund të gjendet një sup i lakuriqtë gruaje/ ku të mbështetësh kokën tënde mëndjelehtë.” Këtë shenjtërim e quanim si një magji thjesht artistike, ose shprehje e një bote të largët, matanë yjeve që nuk kishte lidhje me mjedisin tonë.
Është i shpjegueshëm trajtimi i ashpër i femrës në Shqipërinë e diktaturës, brenda trajtimit të të gjitha vlerave në një diktaturë, por është i pafalshëm trajtimi i femrës shqiptare në postdiktaturë. Goditja e figurës së saj është goditje që i jepet shoqërisë shqiptare. Trajtimi kriminal i vajzave në trotuaret e Europës, i dha imazhit të shqiptarit formën e përbindëshit dhe një status aspak të lakmueshëm për qytetarin normal. Europa ka kohë që jeton e përpiqet të jetojë estetikisht. Në themel të punës tek europiani i sotëm është krijimi i së bukurës e përjetimi intensiv i saj. Në fakt, mesazhin e parë të të jetuarit estetik e ka dhënë gjeniu anglez, Shekspiri. Ai krijoi figurën e famshme të Hamletit, që u përpoq të jetonte estetikisht në mug të qytetërimit, në një botë që gëlonte nga e keqja e krimi. Këndvështrimi estetik i botës nga Hamleti (etja për pushtet, tradhtitë, pabesitë, vrasjet, para së gjithash për princin e famshëm qenë të shëmtuara), qe revolta dhe tragjedia e tij. Dhe Europa u bë duke menduar bukur, duke punuar bukur. Përfytyroni njeriun e dëshpëruar shqiptar tek sillet në këtë mjedis. Po nga erdhi deformimi në shoqërinë shqiptare? Natyrisht, u krijua gjatë shekujve. Vetëm mungesa e lirisë krijon deformime të tilla të genit. Mungesa e gjatë e institucioneve, e gjuhës së shkruar, e librave, e letërsisë, e artit, e filozofisë, e besimit gjithashtu. Kur vë re kujdesin prekës me të cilin trajtohet një femër në vendet e zhvilluara, adhurimin për të bukurën, dallon hendekun që ende na ndan me botën e qytetëruar…
14 Korrik 2008