Vëzhgime për leximin
Enton BIDO
Është e njohur larmia dhe problemet, që solli koha moderne me kulturën e veçmas me letërsinë. Vërshoi një masë e panumërueshme botimesh. Po të shohësh në librari apo në biblioteka, lexuesit tërheqin kryesisht poezinë tradicionale (rilindase, romantike, socrealiste, etj.). Natyrisht, këtu përjashtojmë literaturën e detyruar shkollore apo universitare. Ndarja në lexues të para dhe pas viteve ’90-të, është thjesht kronologjike dhe shërben si lehtësi studimi. Po kështu, nënvizojmë se shija dhe ngjyrat nuk janë të diskutueshme.
Në bibliotekën e qytetit të Durrësit vërehet, për shembull, se mosha e mesme dhe ajo e tretë kërkon autorë klasikë, kryesisht rusë si Pushkin, Lermontov, Majakovski e më pak Shekspir, Hygo, etj. Përveç vlerës së lartë artistike, te të parët vepron fuqishëm edhe shkollimi e ndikimi i kulturës ruse, i lidhur me periudhën ’50 -’60-të.
Ndër poetët shqiptarë parapëlqehen në masë Migjeni, Poradeci, D. Agolli, etj. F.Arapin, A.Shkrelin i kërkojnë lexues më përzgjedhës. Interesante është se poetë si F. Reshpja pëlqehen edhe nga brezi më i ri. Këtu duhet patur parasysh vonesa në receptim, e cila ndodhi qoftë me autorin në fjalë, por edhe Camajn, Trebeshinën, Zhitin, etj. Pra, koha shkrimore u largua mjaft nga koha e leximit me ndërhyrjen e faktorëve jashtëletrarë, që kanë të bëjnë me jetëshkrimin e poetëve. Shkolla biografike duhet t’i vërë në rrafsh të parë të studimit këta elementë.
Një rast më i përveçuar është ai i Fishtës. Nëse faktori i parë është ndalimi zyrtar, i dyti ka të bëjë me gjuhën poetike. Meqë te Fishta shohim gegërishten ngushtësisht lokale. Po meqë ky model, sidomos pas vitit ’72, u shmang nga tekstet dhe në përdorim nuk iu trashëgua folësve të brezit pasardhës, atëherë filloi të bjerrë me shpejtësi. Kështu që, lexuesi i pas ’90-tës do të haste vështirësi në perceptimin e poetit. Mund të thuhet se edhe pengesa e dytë është gjuhësoro-politike. Edhe ndër autorë të Kosovës mundet që lexuesi, kryesisht i ri, të hasë vështirësi gjuhësore në të kuptuar, por këto janë të kapërcyeshme.
Në kohën tonë pak vëren të lexohen autorë modernë. Shija dhe horizonti i pritjes së lexuesit para ’90-tës ishte formuar me logjiken dhe racionalen. (Poetët dhe shkrimtarët “dekadentë”, domethënë treçereku i shek. XX, ishin të ndaluar. Edhe ndonjë libër që botohej, i mallkonte këta autorë. Atëherë, të njëjtëve lexues, poezia – deri diku dhe proza - e botuar me vonesë pas ’90, do t’u tingëllonte e huaj, e pakapërdishme. Shija dhe kulturimi i brumosur standard, sipas kallëpeve e vonesa, jashtëkohësia, ia vështirësuan këtë poezi lexuesit shqiptar të asokohshëm. Ky nivel lexuesi pak ose aspak e shijonte poezinë e Eliotit, Kavafisit, Ungaretit, Bretonit, etj, për të mos folur për gjysmëshekullin e dytë të 1900 –ës me O. Paz, O. Elitis, A. Ginsberg etj. Po në këtë rrafsh, lindi dhe një paragjykim që u bë shabllon : “Modernistët janë të pakuptueshëm.” Natyrisht, këtu duhet patur parasysh fakti që shumë prej këtyre poetëve kërkojnë një horizont më të gjerë pritjeje, një shije më të kultivuar.
Ndryshe qëndron çështja me lexuesin e ri pas ’90-tës. Duke nxënë dhe edukuar në kushte lirie, ai nuk e njeh çensurën dhe ka botëkuptim më të hapur. Ky lexues përzgjedh nga poezia e mëparshme shqiptare apo e huaj dhe është më i gatshëm ndaj prirjeve të reja. Në qoftë se lexuesin e parë e tërhiqte kureshtja e nxitur nga ndalimi, të dytin e tërheq formimi i ndryshëm nga ai i të parit dhe sidomos prirja ndaj larmisë artistike. Thënë ndryshe, lexuesi i ri do të ndjehej më komod me letësinë alternative. Ai kërkon, ta zemë, E. Hatibin apo M. Ahmetin, por edhe A. Podrimjen e Xh. Spahiun. Lexuesi i parë, duke marrë modernët në duar, pasi ishte dendur me poezinë e realizmit socialist, vërejti se këta ishin “të papërtypshëm”. Kështu që i la mënjanë. Natyrisht, si kudo, edhe këtu ka përjashtime të tipit P.Neruda, P.Elyar, Zh. Prever, e ndonjë tjetër. Në këto raste të veçuara është merita edhe e përkthyesve, që ditën të nuhasin përputhjen e shijes së lexuesit me poezinë e këtyre autorëve.
Problemi jashtëletrar i lexuesit të ri është se në morinë e librave e ka të vështirë të zgjedhë. Mungon pra një orientim, një udhërrëfyes. Kritika letrare është apatike, shkollarët orientohen vetëm kah autorët e programit arsimor, shtëpitë botuese i bëjnë pak jehonë poezisë, ose i largohen asaj, meqë nuk siguron fitime. Por nuk duhet anashkaluar edhe fakti i rënies së leximit në shkallë botërore.
Le të shohim shkurtazi lidhjen e artit të fjalës me median. Pak vend i lihet poezisë në televizione. Ndonjë përurim libri në lajmet, një intervistë e shkurtër me autorin, vitrina e librit dhe ndonjë emision i rrallë. Më ndryshe qëndron çështja me radion, e cila ka emisione enkas për poezinë. Gazetat dhe revistat letrare janë rralluar, aq sa numërohen më gishtat e njërës dorë. Vetëm një e përjavshme letrare në treg, shto dhe shtojcat kulturore. Edhe ato pak revista mezi mbijetojnë.Vlen të përmendet në këtë lëmë Festivali i Poezisë Poeteka
Përderisa sistemi letrar shqiptar është një sistem i hapur kundrejt letërsisë së përbotshme, doemos edhe poezia jonë moderne do të ketë ndikime e reflekse të poezisë bashkëkohore botërore. Nënvizojmë se ndikimet e reflekset janë të ndryshme dhe nuk mund të nxirret një rezultante për të pasur përfundime mbi kahjen nga aksh rrymë a shkollë botërore të poezisë së sotme shqiptare. Nuk mund të flitet për ndonjë grupim të caktuar autorësh se përfaqëson në letrat shqipe rrymën surrealiste, postmoderniste, etj. Sidoqoftë, panorama letrare, në dukje e rrëmujshme, paraqitet interesante.
Duket se arsyeja kryesore për leximin më të pakët të poezisë është elitarizmi, që kërkon vetë lloji letrar. Mirëpo, ky shkak ka ekzistuar përgjithësisht në çdo kohë. Pra, në të vërtetë shohim se shkaku i parë është vështirësia në perceptim (përkapje) e lexuesit. Siç thotë një studiues perëndimor: “Dashur pa dashur, poetët nuk po shkruajnë më veçse për poetët e tjerë, si dhe për disa kritikë letrarë.” Është e qartë se edhe në botë ka kaluar kaherë koha kur poetët botoheshin me tirazhe të mëdha, ose ribotoheshin se i kërkonte tregu, pra lexuesi. Komercializmi ka bërë që edhe botuesit, si hallkë ndërmjetëse, të anojnë fort nga proza, fenomen që zotëron edhe jashtë. Tubimet poetike, recitimet në salla apo festivalet e poezisë, veç vlerës artistike, shprehin edhe nevojën për promovim të kësaj gjinie dhe plotësimin e boshit të të lexuarit të poezisë. Duke qenë se poezia është tharmi i të gjithë arteve që në lashtësi, le të shpresojmë se do ta zërë vendin e vet edhe në epokën moderne.
14 Korrik 2008