E Diel, 1 Nëntor 2026

Pesha e turpit



(Baladë malesh)
Dritëro AGOLLI

1.

Hajrije Çeremi, me shami të zezë deri mbi vetulla dhe me cigare të trashë në dorë, rrinte pranë zjarrit e mërzitur. Dy cepat e shamisë së zezë i binin mbi supet e mëdha, si majat e krahëve të një zogu mbi një shkëmb të murrmë. Ajo kishte shtatë ditë që nuk fliste me njeri, veçse rrinte pranë oxhakut me cigare në mes dy gishtërinjve të zverdhur nga nikotina dhe me filxhanin e kafes në vatër. Nuk i besohej që djali më i dashur i saj, Sheme Çeremi, të kishte bërë një turp kaq të madh, turp që do të rëndonte tërë jetën mbi trarët e kësaj shtëpie. Ngaqë nuk i besohej, kishte dërguar njerëz në shtëpinë ku kishte ndenjur çastet e fundit kapedan Tahsin Haxhihajdari, që të merrnin vesh një për një se ç’kishte ndodhur. Këta njerëz ende nuk po ktheheshin dhe ajo priste pa lëvizur nga oxhaku me një si lëmsh të mbledhur në gjoks.
Kapedan Tahsin Haxhihajdari kishte qenë mik i ngushtë me burrin e saj të vrarë nga serbët mbi Dragobi. Shumë herë ajo e kishte pritur dhe përcjellë, ia kishte tharë rrobat dhe ia kishte qepur këmishën si vëllait të saj. Dhe kur një dimër u plagos me një plumb në gjoks, e mbajti gjashtë muaj në shtëpi, pa marrë vesh njeri. Atë dimër kapedan Tahsin Haxhihajdari kishte luftuar në Dragobi vetëm për vetëm me një serb. Serbit, tek luftonte, i kishin mbaruar fishekët dhe e kishte hedhur pushkën.
- Tani më vrave, kapedan Tahsin Haxhihajdari! - kishte thirrur ai në mes dëborës pas një pishe të vjetër.
- Nuk vras një njeri që i kanë mbaruar fishekët, - i ishte përgjigjur kapedan Tahsin Haxhihajdari nga ana tjetër dhe i kishte hedhur mbi dëborë dy krehër me fishekë.
Serbi e kishte marrë pushkën e hedhur dhe dyluftimi kishte vazhduar përsëri. Në të shtënën e pestë të dy kishin rënë përnjëherësh mbi dëborë: serbi i vrarë, kapedan Tahsin Haxhihajdari i plagosur rëndë. Atëherë e kishte marrë Hajrije Çeremi me tre djemtë e saj dhe ia kishte shëruar plagët në shtëpi.
Dhe tani Hajrije Çeremi kishte dëgjuar gjëmën më të madhe. I biri i saj, Shemja, i futur nga hasmët, i kishte zënë pritë dhe e kishte vrarë kapedan Tahsinin tek zbriste për në Valbonë. Kjo ishte një vrasje e blerë, siç thonë, prapa shkëmbenjve.
- Janë fjalë! S’është e vërtetë! - fliste me vete Hajrije Çeremi pranë zjarrit me kërcunj të trashë, duke pirë e vetmuar kafen e shtatë.
Dy njerëzit që kishte dërguar, erdhën kokulur dhe ajo e kuptoi se fjala e hapur ishte e vërtetë.
- E vërtetë? - pyeti ajo.
Të dy të dërguarit tundën kokat në heshtje. Atëherë Hajrije Çeremi thirri njërin nga djemtë e saj, Selimin e gjatë si bredh, me qeleshe të bardhë si gjysmë molle të papjekur.
- Të shkosh e të gjesh Shemen. T’i thuash që jam sëmurë. Të vini të dy... – urdhëroi ajo.

2.

Pas tri ditëve, Selimi e solli Shemen në shtëpi. Mjekra e parruar e tregonte të zbehtë dhe të dobët. Madje Hajrijes iu duk sikur i biri kishte filluar të kërrusej dhe të plakej para kohe.
- Qënke mirë! - tha ai, ndërsa e ëma i hodhi një vështrim të gjatë, të egër dhe të zymtë.
- Selim! - i tha djalit tjetër. - Shko e thirr Elezin!
Mbetën të dy vetëm për vetëm. Hajrije Çeremi ulur me cigare në mes dy gishtërinjve, Shemja më këmbë, i parruar, i zbehtë dhe i lodhur. Për një çast asnjeri nuk fliste. Dëgjoheshin vetëm frymëmarrjet dhe kërcitjet e zjarrit në oxhak.
- Jam mirë, the? - e prishi heshtjen e ëma.
- Selimi tha se ishe sëmurë! - foli me vështirësi Shemja.
E ëma psherëtiu.
- Të hapësh dy varre dhe të jesh mirë? - tha ajo.
Shemja u ul në gjunjë sikur të donte të dëgjonte më shkoqur fjalët e s’ëmës.
- Dy varre? - tha ai.
- Një për kapedan Tahsin Haxhihajdarin, mikun e kësaj shtëpie dhe një për Sheme Çeremin, djalin e këtij oxhaku... - tha Hajrije Çeremi.
Në fytyrën e të birit u duk një buzëqeshje e shtrembër. Donte të pyeste se ç’kuptim kishin fjalët e s’ëmës, por ndërkohë erdhën dy vëllezërit, Selimi dhe Elezi.
- Ngreu! - urdhëroi Hajrije Çeremi Shemen të ulur në gjunjë.
Të tre vëllezërit në këmbë, vështruan njëri-tjetrin. Selimi me Elezin mezi i hidhnin sytë në fytyrën e zbehtë të Shemes, në fytyrën si prej të sëmuri.
- Pushkën, Elez! - urdhëroi Hajrija.
Prapë nënë e bir mbetën vetëm. Në ballin e Shemes filluan të dilnin bulëza djerse. E ëma këtë edhe pa e parë, e ndiente. Shemja do të djersijë, mendonte ajo. Që i vogël djersinte shumë.
- Eh, dy varre! Pa pritur e kujtuar, dy varre! - psherëtiu ajo.
- ǒthua?-– psherëtiu ai dhe u ul përsëri në gjunjë.
- Ngreu! - urdhëroi e ëma.
Erdhën të dy djemtë me pushkë. Hajrije Çeremi ende rrinte pas oxhakut dhe pinte kafen e njëmbëdhjetë.
- Selim, dhe ti Elez i vogël!.. - foli ajo dhe për një çast heshti.
Gjithë dhoma dukej sikur ishte pa frymë. Të tre djemtë druheshin të mbushnin kraharorët, si të kishin frikë se mos mbarohej ajri.
- Selim, dhe ti Elez i vogël! E dini se vëllai juaj, Shemja, ka vrarë kapedan Tahsin Haxhihajdarin, mikun e shtëpisë dhe të babait tuaj.
Të dy vetëm sa tundën kokat në heshtje.
- Ne do ta vrasim Shemen!.. - tha ajo.
Shemja u këput dhe ra në prehërin e s’ëmës. Qeleshja i shkau nga koka dhe flokët e tij prekën mjekrën e nënës. Ajo ndjeu erën e tyre, erën më të mirë dhe u gëlltit, se një lëng i nxehtë iu ngjit gjer në gojë. Por nuk lëvizi nga vendi. Rrinte drejt me vështrim nga muri i bardhë me kokën e të birit në prehër.
- Selim, merre këtë! - i tha djalit tjetër dhe ai e ngriti të vëllanë.
Hajrije Çeremi vuri duart në gjunjë dhe u ngrit me zor. Shtati i saj i lartë e mbushi odën. Dy cepat e shamisë dukeshin si dy krahët e një zogu të zi të madh gati për fluturim. Shkoi dhe ia hodhi krahun e trashë Elezit, që ishte zbehur dhe që dridhej i tëri.
- Je burrë, Elez! Burri nuk rritet lehtë! – tha ajo dhe u bëri me kokë të tre djemve të dilnin përjashta.

3.

Buzë përroit, nja dyqind metra larg shtëpisë, Hajrije Çeremi u bëri shenjë djemve të qëndronin. Pastaj i tha Shemes të shkonte pranë lisit me gungë, që nxinte mbi dëborën e porsarënë. Dy djemtë e tjerë, Selimi dhe Elezi i vogël, qëndronin pranë saj me pushkë në dorë.
- Për gjakun e kapedan Tahsin Haxhihajdarit! – tha ajo dhe ngriti dorën drejt Shemes.
Selimi me Elezin vështruan njëri-tjetrin me grykat e pushkëve të ulura mbi dëborë. E ëma përsëriti:
- Për gjakun e kapedan Tahsin Haxhihajdarit!..
Ndërkohë i biri i saj, Elezi i vogël, papritur e hodhi pushkën dhe ajo u fundos në dëborë. Mbeti vetëm një gjurmë e gjatë pushke. Pastaj mbuloi me të dy duart fytyrën dhe ia dha vrapit drejt shtëpisë, duke lëshuar ulërima pa kuptim. Hajrije Çeremi, për çudi, nuk ktheu kokën nga Elezi i vogël. Dukej sikur nuk kishte ndodhur asgjë, sikur të mos ishte fare një Elez. Ajo as djalit tjetër, Selimit, nuk ia hodhi vështrimin. Vetëm thirri me dorë e sy nga Shemja:
- Për gjakun e...
Atëherë Selimi ngriti pushkën. Mori shenjë mbi të vëllanë, Shemen. Pastaj e uli dhe ktheu kokën nga e ëma pa asnjë fjalë. E ëma nuk lëvizi nga vendi. Të tre qëndronin në heshtje: nëna, Selimi, Shemja. Nga larg vinin ulërimat e Elezit të vogël. Sakaq, Hajrije Çeremi hodhi një hap të gjatë mbi dëborë drejt Selimit. Pastaj shtriu dorën nga ai, duke i kërkuar pushkën. Selimi u drodh i tëri. Nofulla e tij e poshtme u shtrembërua dhe thirri:
- Joooo!
Kjo ishte një “jo” shpelle, nga ato që tremben lakuriqtë e natës, kur oshtijnë në faqet e guvës. Dhe pas “jo”-së plot llahtarë, Selimi i mori të gjitha vetë përsipër. Nuk donte t’ia linte barrën e rëndë nënës. E ngriti pushkën. Shënoi dhe u drodh kur i vëllai ra me kurriz mbi dëborë. Nga dora e madhe i shpëtoi pushka dhe i ra mbi dëborë, edhe ajo e vrarë. “U vra” – tha ai me vete. Dhe as vetë nuk e kuptoi se kush u vra, i vëllai apo pushka. Mandej ktheu krahët dhe iku duke u lëkundur mbi këmbët e gjata.
Hajrije Çeremi vazhdonte të qëndronte me vështrim nga Shemja i shtrirë në mes të dëborës. Pastaj ajo u ul mbi dëborën e butë fillikate. Zuri të dy faqet me duar dhe e përhumbur i hodhi sytë nga i biri i shtrirë. Era fërshëllente dhe ia ngrinte dy cepat e shamisë së zezë. Mbi fytyrën e verdhë të të birit përhapej hiri i dëborës. (1984)

14 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›