Bukuria e thyer
Yzedin HIMA
Kur individi shqiptar u ndje i lirë, domethënë shpëtoi nga puna e detyruar në ferma, fabrika primitive, taraca e aksione, ku punonte falas për ndërtimin e ferrit kolektiv, pa rreth e rrotull tij se mos gjente punën e tij të re. Kuptohet, nuk ishte e lehtë. Tani e tutje seicili do të punonte për vete.
Në atë mjerim të përgjithshëm, ky fakt ishte mjaft grishës. Individi shqiptar, në përgjithësi, nuk pa mundësitë që ekzistonin në vendin e tij, ndaj u derdh drejt Perëndimit me të gjitha mjetet, me çdo çmim. Tragjedia e shqiptarëve në malet e Jugut, në malet e Lindjes dhe sidomos tragjedia në Adriatik e Jon, do të jetë një mallkim që do ta ndjekë gjatë politikën shqiptare..
Ndërsa një pjesë e shqiptarëve, duke parë rreth e rrotull, nga të gjitha burimet e këtij vendi, si punimi i tokës, mbjellja e vreshtave, kopshtaria, mekanika, peshkimi , ndërtimi, dalloi më të brishtën, më delikaten, atë që në fakt bën një kontrast të thellë me vrazhdësinë e jetës së këtushme, me terrenin, me psikologjinë e krijuar në shekuj, femrën. Delikatesa, bukuria, brishtësia u kthyen për një pjesë jo të vogël të femrave shqiptare në fatkeqësi. Nisi shfrytëzimi barbar i tyre nëpër rrugët e Perëndimit. Endrra sidoqoftë qe e bukur: Do iknin larg këtij vendi të ashpër, ku butësia, delikatesa, bukuria ose nuk viheshin gjithmonë re, ose shiheshin si një peizazh mahnitës, ku mund të vije për piknik kur të doje dhe të lije pas ambalazhet e një dite të grisur, hedhur ashtu pa kujdes. Endërronin për një botë, ku bukuria dhe butësia të mos qenë një kontrast i thellë, një lëkurë e vlefshme kunadheje, nën shënjestra gjahtarësh vulgarë. Endërronin një botë ku të kishin mundësi të punonin, ndoshta edhe shumë, por të merrnin një pagë të denjë, me të cilën të jetonin si njerëz. A mund të gjykohet njeriu pse ëndërron? A mund të dënohet njeriu pse mendon bukur për jetën e vet?
Herë-herë, në familjet shqiptare varfëria e mjedisi i mjeruar përreth ishte i tillë, sa që vajzat kanë pranuar ta ndërrojnë atë me çdo çmim, qoftë edhe me humbjen e lirisë, trajtimin kriminal dhe daljen te sheshi “Loreto” në Milano, i njohur sot si vendi ku u var Musolini dhe sheshi ku “varen” çdo ditë prostitutat shqiptare, për t’u zgjedhur nga pleqtë maniakë italianë. Kalimi nga zhveshja prej çdo lloj feminiteti gjatë viteve të diktaturës (përfytyroni femrën e turneve të treta , kominoshet, aksionet, zboret), në ekstremin “gjithçka është mall në këtë vend dhe mund të shitet e të blihet”, rezultoi traumatik për femrën shqiptare, respektivisht për shoqërinë shqiptare.
Në vitet e shkollës së mesme më ra në dorë një poezi e Eugjen Jevtushenkos për gruan. E lexonim fshehur e mahniteshim me bukurinë e vargjeve dhe shenjtërimin që i bënte poeti i njohur femrës dhe gruas në përgjithësi. Ende i ruaj në kujtesë si një perlë vargjet: “Kudo mund të gjendet një sup i lakuriqtë gruaje/ ku të mbështetësh kokën tënde mëndjelehtë.” Këtë shenjtërim e quanim si një magji thjesht artistike, ose shprehje e një bote të largët, matanë yjeve që nuk kishte lidhje me mjedisin tonë.
* * *
Është i shpjegueshëm trajtimi i ashpër i femrës në Shqipërinë e diktaturës, brenda trajtimit të të gjitha vlerave në një diktaturë, por është i pafalshëm trajtimi i femrës shqiptare në postdiktaturë. Goditja e figurës së saj është goditje që i jepet shoqërisë shqiptare. Trajtimi kriminal i vajzave në trotuaret e Europës, i dha imazhit të shqiptarit formën e përbindëshit dhe një status aspak të lakmueshëm për qytetarin normal.
Europa ka kohë që jeton e përpiqet të jetojë estetikisht. Në themel të punës tek europiani i sotëm është krijimi i së bukurës e përjetimi intensiv i saj. Në fakt, mesazhin e parë të të jetuarit estetik e ka dhënë gjeniu anglez, Shekspiri. Ai krijoi figurën e famshme të Hamletit, që u përpoq të jetonte estetikisht në mug të qytetërimit, në një botë që gëlonte nga e keqja e krimi. Këndvështrimi estetik i botës nga Hamleti (etja për pushtet, tradhtitë, pabesitë ,vrasjet, para së gjithash për princin e famshëm qenë të shëmtuara), qe revolta dhe tragjedia e tij.
Dhe Europa u bë duke menduar bukur, duke punuar bukur.
Përfytyroni njeriun e dëshpëruar shqiptar tek sillet në këtë mjedis. Po nga erdhi deformimi në shoqërinë shqiptare? Natyrisht, u krijua gjatë shekujve. Vetëm mungesa e lirisë krijon deformime të tilla të genit. Mungesa e gjatë e institucioneve, e gjuhës së shkruar, e librave, e letërsisë, e artit, e filozofisë, e besimit gjithashtu.
Kur vë re kujdesin prekës me të cilin trajtohet një femër në vendet e zhvilluara, adhurimin për të bukurën, dallon hendekun që ende na ndan me botën e qytetëruar. Atëherë kupton shenjtërinë me të cilën e vesh femrën poezia e madhe, kupton se sa e paemancipuar është shoqëria jonë, kupton se nuk ka emancipim të gruas (kujtoni marrëzinë e dikurshme të luftës për emancipimin e gruas) në një shoqëri të paemancipuar. Kupton se ky truall nuk mund të bëhet pjesë e Europës, derisa gruaja të konsiderohet si malli më fitimprurës nga një pjesë e shqiptarëve dhe pjesa tjetër ose nuk reagon, ose regon mjaft dobët, kurse pun onjës të institucioneve ka raste që bëhen pjesë e së keqes. Kupton se ne jetojmë në një shoqëri të dhunshme, ku e bukura dhe delikatja nuk mund të ekzistojnë normalisht, por në forma traumatike, kur adhurimi për të bukurën, të brishtën, konsiderohen si dobësi.
Kujtesa e thyer
Komandanti gjerman, në komunikimin me prefektin e asaj kohe, nuk e duroi dot marrëzinë e atij zyrtari të mjerë shqiptar, që nisi t’i jepte urdhëra në një shqipe jo letrare ushtarakut të lartë. Koloneli i tha përkthyesit: “Ky zotëria është gomar i zgjedhur apo gomar i emëruar?!” Pas ikjes së gjermanëve, pllaka u thye. Kush e theu? Komunistët e Beratit, të cilët nuk durojnë asnjë pllakë tjetër, veç atyre që flasin se ku ka fjetur e me kë ka fjetur komandanti legjendar?! Keqbërësit ordinerë?! Nuk dihet. Një gjë dihet me siguri: pllakën e kanë thyer ca shqiptarë të shpifur, të cilët, pasi kanë urinuar në natyrë si stërgjyshërit e tyre, e bënë copa...
Kur bora nis të shkrijë maleve, lumenjtë fryhen. Edhe Osumi është në ditët e tij më të mira, plot e përplot. Anës shëtitores në qendër të qytetit, ndonëse higjiena është mizerabël, nuk ndihet e fortë era e urinës, sepse rrjedha e lumit merr me vete gjithçka. Është kanali i hapur përgjatë gjithë shëtitores nga forcat gjermane, të ardhura në ndihmë të qytetit para disa viteve, që e shpëtoi qytetin edhe nga përmbytja, edhe nga ndotja e madhe. Gjermanët lanë si shenjë një pllakë të thjeshtë, të cilën e mbërthyen në një masiv guri. Këshilli i bashkisë i asaj kohe e nderoi komandantin gjerman për ndihmesën, duke i dhënë titullin “Qytetar Nderi i Beratit”, titull honorifik , të cilin e ka marrë çdo kryetar bashkie i Beratit që ka vizituar kalimthi një qytet amerikan me disa milionë banorë.
Sot qytetarët e Beratit u janë mirënjohës ushtarakëve gjermanë për punën e shkëlqyer që bënë. Ata individë, që ende kanë kujtesë, sjellin ndërmend pamjen e shëmtuar të atyre ditëve në qytetin e Beratit. Dhjetra e dhjetra qytetarë bënin sehir oficerët dhe ushtarët gjermanë hipur në skrepa, makina vetshkarkuese e buldozerë, teksa hapnin kanalin e madh. Ushtarakët bjondë, ndërsa punonin, u buzëqeshnin pa të keq ca krijesave, në shumicë esmere, që rrinin duarkryq e vështronin të ardhurit nga Veriu i Europës. Ushtarët e fuqisë më të madhe ekonomike të këtij kontinenti, po u pastronin qytetin krijesave më të varfëra të kontinentit, anëtarë të një kombi të shpërndarë në pesë shtete ballkanike, të cilët një Zot e di se kur do bëhen bashkë.
Komandanti gjerman, në komunikimin me prefektin e asaj kohe, nuk e duroi dot marrëzinë e atij zyrtari të mjerë shqiptar, që nisi t’i jepte urdhëra në një shqipe jo letrare ushtarakut të lartë gjerman. Koloneli i tha përkthyesit: “Ky zotëria është gomar i zgjedhur apo gomar i emëruar?!”
Pas ikjes së gjermanëve, pllaka u thye. Kush e theu? Komunistët e Beratit, të cilët nuk durojnë asnjë pllakë tjetër , veç atyre që flasin se ku ka fjetur e me kë ka fjetur komandanti legjendar?! Keqbërësit ordinerë?! Nuk dihet. Një gjë dihet me siguri: pllakën e kanë thyer ca shqiptarë të shpifur, të cilët, pasi kanë urinuar në natyrë si stërgjyshërit e tyre, e bënë copa...
Megjithatë, pllaka u rivu nga bashkia, por përsëri u thye. Tani qytetarët e lashtë të Beratit vazhdojnë të dhjesin buzë lumit dhe, ndërkohë, pëshpërisin fjalët e filmit të famshëm: “Po me lumin (urën) ç’patën, xhanëm ?!”
14 Korrik 2008