Kush merr pjesë në histori
Klod SIMON
Nuk njoh rrugë të tjera krijuese, veç atyre që i çajmë hap pas hapi, pra, duke shkruar fjalë pas fjale. Para se të hedh diçka në letër, nuk kam asgjë në mendje, me përjashtim të masës së turbullt të ndjesive e kujtimeve të grumbulluara, disa të paqarta e disa të qarta, si dhe të një lloj plani të papërcaktuar. Vetëm duke shkruar ndodh diçka. Ajo që tërë kohën më magjeps, është se gjithmonë diçka tjetër është shumë më e pasur nga ajo që kam synuar të bëj. Mua më krijohet përshtypja se fletët e bardha kanë një rol pothuajse po aq të rëndësishëm, sa edhe synimet e mia... Ndryshimet e mëdha në konceptin e romanit vijnë nga Xhojsi dhe Prusti, të cilët parimin e shkakësisë, që deri atëherë ka udhëhequr renditjen në romanin tradicional, e kanë zëvendësuar me parimin e kualitetit, që vendos për sistemimin e elemneteve të ndryshme dhe vënien e tyre në lëvizje. Unë kam punuar në këtë drejtim. Nuk përpiqem ta përshkruaj mendimin, por ta paraqes atë e të nxis përshtypjen. Unë jam tërësisht realist dhe i përmbahem realizmit skrupuloz. Pak nga pak, hoqa dorë nga piktura, në mënyrë që të filloja të shkruaja, sepse m’u krijua përshtypja se do të kisha më tepër sukses në kombinimin e fjalëve, sesa të ngjyrave e të figurave.
Për mua, siç kam theksuar në Stokholm, të shkruash nuk do të thotë “të shprehesh”, por “të krijosh” (të prodhosh, të bësh) mendime. Përsa i përket ndryshimit midis të shkruarit dhe pikturës, ajo përmblidhet si më poshtë: piktura i paraqet të tëra elementet në të njëjtën kohë, kurse të shkruarit është i detyruar t’i rendisë elementet e fjalës njërin pas tjetrit. Piktura disponon sipërfaqen, kurse të shkruarit është linear. Çasti i vështrimit prezanton tërë pikturën, ndërsa libri ka vazhdimësi. Unë nuk e ngarkoj Sartrin me asgjë (do të ishte qesharake), vetëm konstatoj se ai është kufizuar te hedhja e salcës parisiene me erëza mbi konceptet e Stalinit dhe të Zhdanovit rreth letërsisë. Përsa i përket gjeneratës, e cila është betuar për të, me miliona njerëz (dhe me mijëra intelektualë) i janë betuar edhe Stalinit! Mua më duket se njeriu (këtu përfshij edhe të ashtuquajturit “drejtues”, “udhëheqës”, me përjashtim të disave shumë të rrallë gjatë historisë njerëzore) e ndjek qorrazi historinë. Por kjo nuk do të thotë se njeriu është lodër (ashtu siç nuk është i tillë as kapiteni i anijes në furtunë): ai thjsht manovron “me sy”, përafërsisht...
Çdo akt i individit, që jeton në shoqëri, detyrimisht është “politik”. Madje edhe ai që fle, merr pjesë në histori, ka thënë një filozof. Dhe po e njëjta armiqësi i kundërvihet kujtdo, që në çdolloj mënyre dhe në cilëndo sferë shqetëson rendin ekzistues. Nuk është e mjaftueshme të kundërshtosh që të përparosh. Para së gjithash, duhet të propozosh, duhet të krijosh, vetëm një parim i tillë është revolucionar.
Në dallim nga romani tradicional, i cili përfaqëson diçka e më pas teksti “e shpreh”, shkrimtarët e romanit të ri kanë menduar apo ndier, çka për mua personalisht është mjaft e paqartë, sepse është e pamundur ta ndash formën nga përmbajtja. Sipas tyre, ngjarjet, objektet dhe ideja krijohen nëpërmjet të shkruarit dhe në sajë të të shkruarit. Romani tradicional mëton të paraqesë, të riprodhojë “realitetin”, dhe të rrëfejë ndonjë ngjarje që merret si shembull në planin shoqëror e psikologjik. Por edhe kjo rrëfenjë, gjoja shembullore, është një vepër imagjinare (ky është definicioni i romanit), pra, varet vetëm nga vullneti i mirë i shkrimtarit dhe në çdo moment mund të orientohet në njërin apo në tjetrin drejtim. Me fjalë të tjera, ajo nuk ofron asnjë vërtetësi. Ajo është e fuqishme, dhe kjo është e tëra. Me të drejtë ose jo, një letërsi e tillë për mua nuk paraqet interes të madh. Si kundërpërgjigje, më duket se ka më tepër mundësi të përpunohet fjala e vërtetë, duke mos u mbështetur te motivet psikologjike apo sociologjike, por në logjikën e vetë gjuhës. Mendoj se gjuha jonë nuk është diçka e ngurtë, diçka e vdekur. Gjuha është strukturë që të jep të drejtën për njohjen e botës. Ajo na ofron dy gjëra: e para, fjalorin e të folurit (që nuk janë vetëm shenja, por “hallka kuptimore”, siç thekson Llakani), e më pas ato që quhen figura të gjuhës, kryesisht trope ose metafora, domethënë bartës të kuptimit. Prandaj m’u duk me interes ose me logjikë që të punohet për strukturën e elementeve të ndonjë romani, në sajë të lidhjeve të gjetura në vetë gjuhën që i pohon vetë të folurit, sepse ai nuk është çështje e rastit, por është rezultat i përvojës, i njohurive njerëzore, i vetë mendimit...
14 Korrik 2008