Kukull-kënga
Zhuljana JORGANXHI
E shtrenjta ime, ç’bëra me ty,
o këngë e brishtë e zemrës sime!
Akull në zemër,
xham në sy,
të bëra kukull të një vitrine.
Kukull ditën, njeri natën.
Kukull të bëja prap çdo mëngjes.
Oh, ç’ësht’ murimi i Rozafës,
kur këngën kukull bën çdo brez?!
Fshehur njeri të bëja unë...
Ish kohë e marrë, kohë e shtirë.
Foshnjën e djepit e donte burrë,
burrin e thinjur donte fëmijë!
E shtrenjta ime, ç’bëra me ty,
o këngë e brishtë e zemrës sime!
Akull në zemër,
xham në sy,
të bëra kukull të një vitrine!
1990
Mos u çudit!
(Kur ngriheshin më lart muret e ambasadave në Tiranë)
Mos u çudit,
as mos vdis nga dhembja për të më parë gjallë.
Kaq vjet, s’ditëm ç’morëm,
s’ditëm ç’lamë.
KufiMuri sot u shemb.
Të duhet të shembësh mure brenda vetes.
Pa shih!
Atë çka bota shembi “dikë” fort e tremb,
mure më lart ngre,
në front të mbetet.
Mos i beso as sot, as nesër!
Nesër më shumë do të gënjejë.
ǒështë kështu?! Kufi e vërteta s’ka,
kufijtë e gënjeshtrës
kush na ndihmon t’i gjejmë?!
Ngri mure, kur bota Mure shemb...
Oh, kush ngujon një popull,
e ngujoftë vetmia!
Ej, ti!
Kërkove të t’besoja më shumë se çdo shenjt,
në më dënofsh me vdekje,
të dënoftë me harresë HISTORIA!
Qershor 1990
Maskat
Më hëngrën sytë nën maska fshehur.
Rrudha mbi buzë,
buzëqeshje – ngjalë.
Nuk i gjej grackat,
ku m’i kanë ngrehur,
ku ta vë këmbën të mbetem gjallë?!
1990
Pasaporta shqiptare
Ja kufiri me gjuhë të huaj,
në dorë mbaj një pasaportë.
Identitetin tim mban shkruar
si gjithë banorët e tu, o Botë.
Po pse në dorë e mban kaq gjatë?
A s’jam dhe unë frymori yt?
Shtetas të tjerë shkojnë kryelartë,
kur dhembja mua sa nuk më mbyt.
Njeriu yt jam, o moj Botë!
Shpirtcoptuar dal nga Ferri,
me sy plot shpresë, ku fshihen lot,
me plagë zemre, që ende therrin!
Të them unë ty, jam shqiptar,
me gjuhë të lashtë sa Europa,
në shpirtin tim kam një thesar,
do vijë një ditë ta çmojë Bota!
1996
Klithmë kohe
(Mbi motiv të vjetër popullor)
Me shami si gjeth ulliri,
flokët atë dit’ m’i lidhi,
zemra s’foli, po sa s’klithi:
Në më do ashtu si thua,
mos më humb në dhé të huaj,
zjarrin vatrës mos ia shuaj!
Oh, tri hënë dhe ca muaj,
Un’ pa ty dhe ti pa mua,
dhimbjen time vetë e vuaj!
Tri herë hëna sipër nesh,
ndërroi fytyrë sa herë desh,
zemër, sy pa ty s’më qesh!
Mos ma nxi shamin’e kokës!
Mos ia ndryshk parmendën tokës!
O kurbet, o kithm’i kohës, oh!
1989
Krahë pulëbardhe
Krahëhapur nëna – pulëbardha.
Një krah prek detin – djemtë,
tjetri,
qiellin do të çikë –
larg,
ne vajzat!
Trieste, 1993
Ikja klandestine
Ku të qëndroj, mos më thuaj!
Vdes nga dëshira për jetën jetë.
Në vendin tim ndihem i huaj,
ikja – mallkim, pas do më ndjekë.
Bota thotë: “Jashtë!”
Un’ prapë i hyj.
Trupsakatosur, me shpirt të nxjerrë.
Vdekjen sa herë mora në sy,
zemërgjakosur nga terri çjerrë.
Gjah njerëzor, përherë në ndjekje,
i fshihem botës, sa herë thotë: “Ik!”
Kjo mospërfillje – dënim me vdekje,
sa ndez një shpresë,
vjen shpejt ma fik...
Trieste, 14 shtator 1994
“Ufficio Stranieri”
(Kur mora lejeqëndrimin në Itali)
Presin kombet e njerëzimit te kjo portë...
Kush Afrikë,
kush Azi,
un’ – Europë!
Pasaporta brenda xhepit dridhet gjeth.
Do më mbajë a do më “nisë” sot ky shtet?!
S’di çfarë stinë bën pas porte, aty brenda...
Ngrirë akull, rëndon gjoksit, peshon zemra.
“Ti më ike, thotë Atdheu, të ndjek pas...
Nëpër botë, në çdo portë,
me ty trokas!”
Po pse dridhesh shpirt i ngratë, pa një faj?!
Botë, pas “porte”,
portat mbyllur mos m’i mbaj!
Hapet porta tek “Ufficio Stranieri”
Zemra thotë: “Itali, faleminderit.”
Trieste, mars 1996
Zëri yt – frymë hyjnore
(Akrostish)
I veshur me ar diellor,
Nga shpirti del e prek kupën qiellore.
Vjen pastaj bie si një pikë lot.
A është zë apo frymë hyjnore?
Me diellin derdhet përmbi det,
U la në argjend çdo valë e tij...
Lartohet ky zë, botës i përket.
Ajo prej tij merr veç dashuri.
Trieste, qershor 2006
Koloseu
Nën hijen tënde u ndjeva skllave,
n’arenën tënde – gladiator,
lavdi përgjakur kjo e Qezarëve,
ngrihet mbi skllevër, bërë theror.
Gur mbi gur – kujtesë dhembje,
si mrekulli ngrihesh mbi dhé!
Tek ti më ndjekin, porsi hije,
skllevër të kohërave, o Kolose!
Romë, korrik 1995
14 Korrik 2008