E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitila zgjatues të mitit



Për Ajnshtajnin thuhet se mohonte ekistencën e Zotit dhe një letër e tij mbi këtë çështje, kohët e fundit, u shit afro 250 mijë dollarë. Por shpesh, pak rëndësi ka se çfarë thuhet, sepse me idenë e tij Ajnshtajni ndihmoi për të provuar se drita është edhe materie. Mirëpo, nisur nga një arsyetim i ngjashëm i përmbysuar, del se bota është jo vetëm fizike, është gjithashtu edhe shpirtërore. Ajnshtajni ishte hebre dhe Talmudi (libri i shenjtë hebraik) përmban edhe një bisedë midis Zotit e Abrahamit: “Po të mos isha Unë, ti nuk do të ekzistoje.” - “Po, Zot, është e vërtetë dhe të jam mirënjohës. Por po të mos isha unë, Ju nuk do të njiheshit.” Ky dialog bëhet midis natyrës dhe njeriut, trupit e shpirtit, kohës dhe hapësirës, mitit e krijimit, bëhet te njeriu në vetvete midis pjesës së djathtë e të majtë të trurit. Gjithashtu, dialogu tregon se njeriut gjithmonë i është dashur të besojë dhe, njëkohësisht, të shohë me dyshim atë që beson.

Astrit LULUSHI (SHBA)

Mitet janë krijimtari dhe art. Ato përbëhen nga përralla, legjenda e folklor. Sot qarkullojnë shume hipoteza se si arti gjithmonë i ka paraprirë shkencës dhe shembuj sillen krijues, shkrimtarë, piktorë, skulptorë si da Vinçi, Mikelanxhelo, Verne, H. G. Wells, e të tjerë.
Eshtë thënë se pyetjes se si e fillonte punën për një skulpturë të re, Mikelanxhelo iu përgjigj se, së pari, e imagjinonte statujën brenda gurit të mermertë që do të gdhendte dhe pastaj i vinte detyrë vetës që ta pastronte atë nga pjesët, të cilat mbulonin pamjen e imagjinuar. Duke zëvendësuar pjesët e tepërta (+) me hapësira boshe (-), ai lejonte daljen e skulpturës në dritë.
Më vonë, Njutoni do ta përdorte këtë koncept artistik për parashrimin dhe zgjidhjen e problemeve algjebrike në librin e tij “Universal Arithmetick”.
Nuk ka shkencë pa zbukurime, dhe jo art pa fakte, do të thoshte V. Nabokov. Por artisti a krijuesi trajton jo vetëm pamjen e jashtme te realitetit, por edhe të brendëshmen që përbehet nga fantazi, mite, endërra, ndjenja, shpirt. Deri para një shekulli, shkencëtarët merreshin vetëm me anën e jashtme të lëndës, duke studiuar formën, lëvizjet, përbërjen fizike, forcën. Në vitin 1905, Ajnshtajni doli me idenë se drita mund të jetë objekt fizik i përbërë nga grimca shumë të vogla, të quajtura fotone. Kjo ide tronditi qarqet shkencore të kohës dhe shumë shkencëtarë u distancuan prej saj. A nuk ishte provuar për qindra vjet me eksperimente se drita ishte thjesht një valë, ndërsa tani Ajnshtajni, i ri në moshë e në shkencë, thyente çdo ligj shkencor duke thënë se drita përbëhej nga grimca fizike?! Më 1926, Niels Bohr hodhi hapin e guximshëm për t’i pajtuar këto dy rryma, duke paraqitur sintezën se drita nuk ishte as valë e as grimcë, por përbëhej nga të dyja; njohja e këtyre dy aspekteve krejt të ndryshme ishte e nevojëshme për përcaktimin e dritës; njëra pa tjetrën ishte jo e plotë, thoshte Bohr. Dhe, kështu, lindi fizika kuantike.
Për Ajnshtajnin thuhet se mohonte ekistencën e Zotit dhe një letër e tij mbi këtë çështje, kohët e fundit, u shit afro 250 mijë dollarë. Por shpesh, pak rëndësi ka se çfarë thuhet, sepse me idenë e tij Ajnshtajni ndihmoi për të provuar se drita është edhe materie. Mirëpo, nisur nga një arsyetim i ngjashëm i përmbysuar, del se bota është jo vetëm fizike, është gjithashtu edhe shpirtërore. Ajnshtajni ishte hebre dhe Talmudi (libri i shenjtë hebraik) përmban edhe një bisedë midis Zotit e Abrahamit: “Po të mos isha Unë, ti nuk do të ekzistoje.” - “Po, Zot, është e vërtetë dhe të jam mirënjohës. Por po të mos isha unë, Ju nuk do të njiheshit.”
Ky dialog bëhet midis natyrës dhe njeriut, trupit e shpirtit, kohës dhe hapësirës, mitit e krijimit, bëhet te njeriu në vetvete midis pjesës së djathtë e të majtë të trurit. Gjithashtu, dialogu tregon se njeriut gjithmonë i është dashur të besojë dhe, njëkohësisht, të shohë me dyshim atë që beson.
Pra, kjo ndarje dy pjesëshe ka ekzistuar që në fillim, prandaj edhe miti duhet parë e shihet si mjet alegorik, i cili tregon një histori të ndërlikuar e me shumë kuptime.
Dionisi e Apolloni ishin vëllezër, bij të Zeusit. Sipas mitologjisë, Dionisi ishte Perendi e qejfit, dhimbjes, vuajtjes, bukurisë, çmendurisë, terrorit. Apolloni ishte Perëndi e arsyes, shkencës, mjekësisë, ligjit e dijes. Thuhet se ai i fitoi këto veti kur pushtoi orakullin e Delfit, që deri atëherë mbahej nga perëndia Pan, i cili për nga karakteri ngjante shumë me Dionisin. Gjithashtu, Apolloni vrau edhe gjarpërin gjigand Python, që ruante këtë tempull. Python ishte i shenjtë për Dionisin. Duke iu referuar legjendës, Herodoti thotë se në lashtësi,Tempulli i Delfit u pushtua nga enkelenjtë > “ngjalë”, që ishin ilirë < hit. “Illurjanka” > “gjarpër”, të cilët më pas u zhduken ose u shpërndanë. Duket se Apolloni shënon tërheqjen e ilirëve nga zona e Delfit dhe ardhjen e helenëve. Miti thotë se Apolloni e arriti këtë, duke përdorur një armë të re: harkun dhe shigjetën, që mund të merret si metaforë e fitores së të resë mbi të vjetrën, popullsisë së ardhur ndaj asaj autoktone. Gjithashtu, ky mit i ngjan edhe tregimit të Biblës mbi Adamin, Evën, gjarpërin dhe mollën në kopshtin e Edenit. Apollo > greq. “mollë”.
Megjithëse Dionisi e Apolloni ishin krejtesisht të kundërt për nga karakteri, ata kishin një gjë të përbashkët, të dy ishin perëndi të muzikës. Dionisi trashëgoi nga Pani flautin, pararadhës i instrumenteve të sotëm frymorë, si trompa, saksofoni, klarineta. Ndërsa Apolloni, i cili ishte më serioz dhe i përmbajtur, mori përsipër lirën, pararadhëse e harpës, violës e violinës. Sipas mitit, lira e Apollonit kishte gjithmonë shtatë tela, një për çdo zanore. Thuhet se Platoni, përkrahës i muzikës apolloniane, e cila krijonte një atmosferë të qetë e menduese, ishte kundër muzikës dionisiane, plot zhurmë e ritëm, dhe shpalli se në “Republikën” e tij do të lejohej vetëm muzika apolloniane.
Këto dy forma të ndryshme muzike janë ende të pranishme; njëra e thellë e serioze, tjetra e lehtë dhe shfrenuese. Kështu, nuk është as e rastit që në të gjitha orkestrat simfonike në rreshtin e parë vendosen instrumentet me tela, pasardhese të lirës së Apollonit, ndërsa veglat frymore vendosen pas. Dhe e kundërta ndodh në xhaz, një formë dionesiane e muzikës, ku saksofoni, trompa, klarineta dhe veglat e tjera frymore dalin në ballë, ndërsa pas tyre vijnë instrumentat me tela.

14 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›