Pamje tё modernitetit nё letёrsinё shqipe
Ali ALIU
Me veprёn studimore “ Pamje tё modernitetit nё letёrsinё shqipe”, Blerina Suta vjen si zё serioz nё fushёn e shkencës sonё mbi letёrsinё. Fjala ёshtё pёr njё studim monografik tё rёndёsishёm, objekt i tё cilit janё tregimet e tre autorёve tё shquar tё letёrsisё shqipe, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli dhe Migjeni. Gjatё leximit tё këtij teksti (Onufri, 2004), jo njё herё mё shkonte nëpër mend vepra e Alfred Uçit “Pesё tё mёdhenjtё” (Vatra, Shkup, 2003), ku objekt studimi janë, pos Frashёrit, Fishtёs, Konicёs, edhe dy nga tre autorёt e veprёs sё Blerinёs (Kuteli e Migjeni). E pёrmendim pёr tё nxjerrё nё pah se, përveç që autorёt s’kanё ditur pёr veprёn e njёri-tjetrit gjatё përgatitjes pёr shtyp, edhe njё veçori tё rëndësishme tё pёrbashkёt. Pёr prozёn tregimtare tё Kutelit e të Migjenit, studimet e dy autorёve janё ndёr mё kompletet e mё tё thelluarat nё shkencёn tonё letrare, si dhe përputhen e plotësohen nё shumё pika. Natyrisht, edhe pse synimet e tyre janё perspektivash jo krjet identike, dy studiuesit vijnё nё pёrfundime tё pёrafёrta, e sidomos nё çёshtje tё poetikёs edhe nё rezultate tё njëjta. Profesor Uçi nё krye tё studimit do tё pёrcaktohet pёr tiparin themelor: krijimtaria letrare e Mitrush Kutelit dhe lidhjet e saj me folklorin, Migjeni dhe fryma moderne nё letёrsinё shqipe, ndërsa Blerina Suta, duke pёrqёndruar vёmendjen te prozat e shkurtra tё kёtyre autorёve, si objektiv synon pamjet e modernitetit nё letёrsinё shqipe.
Tё përmendim edhe njёherё: studiuesja B. Suta realizon njё kontribut, i cili pёrmban nё vete tё gjithë treguesit e njё monografie komplete shkencore. Në radhë të parë, studiuesja ёshtё shteruese nё evidentimin e shkrimeve dhe autorёve (kryesisht shqiptarё) qё janë marrë me veprёn e tre tё zgjedhurve; së dyti, ajo do tё pajtohet ose nuk do tё pajtohet me qёndrimet e tyre dhe, pёrmes njё diskrecioni elegant, do të theksojё sidomos mospajtimet; së treti, Blerina ёshtё e informuar dhe formuar me njohuri nga kjo fushё dhe, çfarë ёshtё mё me rёndёsi, di t’i shfrytëzojё përvojat teorike, veçmas ato tё fushёs narratologjike; dhe, mё nё fund, janë tё begata e tё sakta burimet e cituara, tё cilat si tekst shtrihen gati nё njё tё tretёn e librit.
* * *
Pёrveç tre kapitujve kryesorё, “Miti simbolist dhe nacional nё prozёn e shkurtёr tё Koliqit”, “Pёrralla nё tregimtarinё e shkurtёr tё Kutelit” dhe “Demistifikimi i mitit nё poetikёn e prozёs sё shkurtёr tё Migjenit”, studimi ka edhe kapitullin hyrës, me titull “Çёshtja e rindёrtimit tё njё identiteti kulutror”, ndërsa në fund “Pёrfundime”. Nё kapitullin Hyrje, qё pёrmbyllet me “Poetika e identitetit tё Koliqit, Kutelit dhe Migjenit”, autorja vё pёrballё vizionet qё dalin nga tekstet e autorёve mbi kёtё çёshtje, i vendos ato brenda konteksteve e situatave tё caktuara, tё veçanta, pёr tё sjellё pёrfundime, si: ‘Koliqi mori nё shqyrtim pikёrisht ato zona tё veçuara mes Alpesh, ku valёt e kohёve kishin kaluar pa prekur cilёsitё autentike tё shqiptarёve, tё cilat i pёrqasi me cilёsitё e Europёs perёndomore, pjesё e sё cilёs ёshtё edhe qytetёrimi shqiptar.” E mё tej: “…asnjё nga pushtimet e gjata qё kishin pёsuar shqiptarёt (romak, bizantin, turk), nuk ia kishte dalё tё ndryshonte tiparet fillestare ilire.” Me syrin prej etnologu, prej studiuesi tё kulturёs popullore, Koliqi, thotё Blerina, e paraqet realitetin shqiptar tё parё nga jashtё, nё format e tij tё kristalizuara, me qёllimin pёr tё theksuar cilёsitё e tij, dhe pёr tё ndihmuar nё kёtё mёnyrё idenё e pёrkatёsisё sё tij nё kulturёn perёndomore. Mitrush Kuteli, ndёrkaq, ёshtё mё autentiku nё mёnyrёn se si pёrballej me çёshtjen e identitetit kulturor shqiptar. Krijimtaria e tij ka rrёnjё tё thella nё kulturёn popullore, mendon autorja, duke theksuar: “Nёpёrmjet formёs narrative tё rrёfimit, ai e paraqet realitetin shqiptar si realitetin mbarёnjerёzor tё pёrallёs… njeriu kutelian ishte mё ballkanik, mё pranё raporteve historike tё bashkёjetesёs edhe me Lindjen. Kuteli pёrbёn njё shembull se si ballkaniciteti i nёnkuptuar si karakter historik i shtresёzuar mund tё bёhet objekt i kёrkimit artistik. Ai harron pozicionin prej studiusi e itelektuali dhe merr atё tё intelektualit pranё vatrёs, duke u bёrё kёshtu dёshmitar i botёs aktuale shqiptare, tё kёsaj bote qё ishte kushtёzuar nga izolimi i vendit dhe nga njё fat ndёr mё tragjikёt e Ballkanit. Kuteli e shfrytёzon kёtё mundёsi deri nё fund, pёr tё kapur nga çdo kohё vlerat e harruara dhe tё shpёrbёra nga shekujt, por gjithsesi tё nevojshme pёr Shqipёrinё e shekullit njëzet.”
Megjeni, sipas Blerina Sutajt, problemin e identitetit kulturor e pёrballon si njё nevojё vetijake, “...jo si njё problem arketipik nacional, por individual, njerёzor ashtu siç kishte ndodhur pёr shumё intelektualё evropianё pёrballё absurditetit tё periudhёs midis dy luftërave”; pёr tё vazhduar: “...njeriu migjenian ёshtё mё kozmik, mё pranё intelektualit tё kohёs, i interesuar pёr probleme mё universale se vetёqenёsia kulturore nacionale. Stereotipi i shqiptarit tretet nё dimensionin kozmik tё fatit njerёzor tё kohёs. Edhe aty, ku objekt artistik janё malёsorёt dhe jeta e tyre, arti i Migjenit shkon pёr nga bjerrja e mitit, pёr nga krijimi i parodisё sё tij pёrgjatё shekullit njёzet.”
* * *
Siç mund tё shihet qё nё kapitullin Hyrja, Blerina Suta krijon natyrshёm hapёsirё mbёshtetёse, brenda sё cilёs do të veprojё si studiuese e kёrkimtare serioze. Monografia e saj pёrjetohet edhe si njё shembull tipik, ku harku kohor e hapёsinor nё komunikim me perspektiva pozitiviste, biografike, pra me njё traditё klasike studimore, me kёtё rast krijon shtigje efikase nё ndriçimin e lёvizjeve tё fiksionit nё poetikёn e kёtyre tre shkrimtarёve. Sё kёndejmi, moderniteti nё tregimet e shkurtёra tё Koliqit, Kutelit e Migjenit vjen e ndriçohet përmes një rruge origjinale, tё veçantë do tё thoshim, me njё integritet tё fuqishёm krijues, ngjashёm krijuesve tё talentuar, çfarё nё tё vёrtetё janё tre shkrimtarët. “Simboli dhe miti, elemente tё fuqishme tё poetikёs sё Koliqit, tek Mitrush Kuteli zёvendёsohen me alegorinё dhe tё qeshurёn, komunikimin e drejtpёrdrejtё tё narracionit popullor. Nё kёtё rast “pёrallёzimi” (prirja drejt pёrallёs) e narrativës sё kultivuar ose romancizimi (prirje drejt narrativёs sё kultivuar) i pёrrallёs, nёn penёn e Kutelit na jep njё realitet tё parё mё nga brenda dhe pёr kёtё arsye mё pak tё mitizuar, mё pak tё kristalizuar, mё tё prirur ndaj ndryshimeve historike.”
Ja dhe një citim tjetër: “Realiteti njerёzor nё prozёn moderne tё Koliqit ёshtё shqetёsues, i huaj, i parё nga lart, ndёrsa e qeshura familjare dhe prania e zёrit tё narratorit nё rrёfimin e Kutelit na afron me objektin njerёzor tё pasqyruar nё vepёr dhe, pёr kёtё arsye, na shqetёson mё shumё pёr pёrmasat groteske qё merr, duke u parё nёn njё optikё tё afruar… Koliqi dhe Kuteli bёjnё zgjedhje tё ndryshme artistike pёr pasqyrimin e identitetit kulturor shqiptar. Nё kёto zgjedhje njeriu kutelian ёshtё mё autentik, domethёnё mё pranё karakterit tё shtresёzuar nё formёn e njё palimpsesti tё identitetit kulturor shqiptar, formuar nga kryqёzimet dhe periodiciteti i ngjarjeve historike.” Hapёsirё tё veçantё autorja do t’i kushtojë edhe çёshtjes nëse ёshtё Kuteli ‘realist’, siç ka qenё vlerёsuar para viteve nёntёdhjetё.
Moderniteti migjenian, sipas Blerinёs, ёshtё mё shprehёs, mё i pakontestueshmi. Nё tё shumtёn e rasteve, kritika shqiptare kyesisht e ka pёrqasur prozёn e Migjenit me lёvizjet letrare tё fillimshekullit njёzet nё Europё, por edhe me prirjen, sidomos nё letёrsitё ballkanike tё kohёs, tё frymёs sё realizmit kritik e social. Ndёrsa autorja e monografisë sikur ёshtё e prirur qё modernitetitn migjenian ta gjejё nё forcёn e tij pёr t’u shkarkuar nga tё gjitha shkollat e poetikat, meqё nga njё kёndvёshtrim ato ta kufizojnё hapёsirёn e lёvizjes krijuese. “Nё mungesё tё njё poetike tё shpallur, Migjeni nё prozё arrin dimensionin mё tё lartё tё modernitetit tё tij, duke dёshmuar njё shkёputje tёrёsore nga poetikat pararendёse.” Edhe mё tej, autorja do tё vazhdojё: “ ndryshe nga Koliqi dhe Kuteli, Migjeni nuk ka si objekt pёrkatёsinё nacionale tё identitetit, por pёrkatёsinё individuale tё vetёqenёsisё sё njeriut modern. Ai, ndryshe nga Koliqi, ёshtё mё shumё njё shkrimtar i alegorisё. Alegoria ёshtё mё pranё shpjegimit tё shoqёrisё dhe njeriut nё pёrgjithёsi.”
Tё përmbyllim kёtё vështrim tё shkurtё, duke ritheksuar se kjo studiuese arrin qё me veprёn e parё tё botuar tё hyjë denjësisht nё radhёn e studiuesve seriozё tё shkencës sonë pёr letёrsinё.
14 Korrik 2008