E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bukuria, nga Apolloni tek top-modeli

Kur themi “bukuria” sot, për çfarë mendojmë? Për kremrat e ditës, e natës, për antirrudhat, grimin, parfumin. Flasim për faqet e “bukurisë” duke treguar këto faqe që mbushin revistat femërore dhe propozojnë inflacion të kozmetikës. Në kohën tonë, bukuria s`ka më gjë të madhe të përbashkët me të Bukurën. Fund ideja e bukurisë absolute, e të Bukurës në vetvete, e ndonjë kanuni të përjetshëm të përkryer të gjithë bukurive individuale. Jashtë, ekuacioni platonian: e bukura = të mirën = të vërtetën! Në art, nocioni i bukurisë ia ka lëshuar vendin kuptimit. Një kuptim që jep “shikimtarin” po aq sa artistin. Në këtë kuptim nuk do të jetë detyrimisht “i bukur”. Më keq, nuk është më shumë e bukura për çfarë interesohet arti bashkëkohor se sa e shëmtuara, e neveritshmja, revoltohet Jean Clair, në mënyrë shumë të gjallë, në esenë e tij “De immundo”.

Sidoqoftë, qe një kohë ku bukuria nuk ishte degdisur në rrezen “gloss”. Nuk ishte kthyer shumë në stoli sa vetë arti. Dhe kjo bukuri e atëhershme nuk ishte e ndarë prej idesë së të bukurës. Është ky itinerar i gjatë i bukurisë – i idealit të së Bukurës greke, gozhda e kalendarit Pirelli – që tenton Historinë e të Bukurës drejtuar nga Umberto Eco. Kjo histori, e pasur me ilustrime, e shumë drejtpërdrejt e lidhur me atë të artit (të vjetër) do të kishte mundur gjithashtu të titullohej “Historia e artit”.

Simptomatike: pjesa bashkëkohore është e dobët, madje joekzistuese, dhe kuptojmë që autorët, Umberto Eco dhe Girolamo de Michele, nuk mund të ngushëllohen për zhdukjen e shkronjës së madhe në fjalën “bukuri” por megjithatë... Për sa u përket Ready-made të Dychamps, lexojmë: “[...] siç flitej për objektet e artit duke manifestuar Bukurinë e tyre të papritur”. Ose përsëri: “Këto objekte ngarkohen me një shenjëzim estetik, sikur të ishin trajtuar prej dorës së një autori”. Për një artist që ka dashur “të presë duart”, është më tepër e çuditshme. Kjo thotë, vepra (me përjashtim të ndarjes së lartpërmendur) nuk është keq dhe kujton në mënyrë sintetike fondamentet që kanë nënshtruar artin perëndimor gjatë më shumë se njëzet shekujve.

Çfarë është bukuria? Kanti përgjigjet: çka pëlqehet universalisht dhe pa koncept.

“Pa koncept”, për ta ditur pa përkufizim a priori, e kapim. Ngaqë kush, në këto kohë të relativizmit, do të guxonte çka ajo është? Por “universalisht”? Ndajfolja bën përsëri të habitesh. Jo, bukuria s`është një lopë e sakrifikuar. Ka shumë kohë që e ka braktisur qiellin e pandryshueshëm të Ideve, ku ajo mbretëronte qetësisht anash së Mirës e të Vërtetës... Nuk është më kjo gjë e përkryer, e denjë për soditje. Gjithashtu, për t`iu përgjigjur pyetjes, do të viheshim shumë kollaj në anën e një skeptiku si filozofi skocez Hume, që e reduktonte problemin e bukurisë në një çështje shije: “Bukuria s`është një cilësi e qenësishme e gjërave në vetvete, ajo ekziston vetëm në mendjen që e sodit, dhe çdo mendje dallon një bukuri të ndryshme”. Bashkëkohësi i tij francez, Volter, në Fjalorin Filozofik (1764) pohon pak a shumë të njëjtën gjë: “Pyesni një thithlop se ç’është bukuria. Ai do t’ju përgjigjet që është thithlopa e tij me dy sy të rrumbullakët të dalë prej kokës së saj të vogël, një gojë të gjatë dhe të dystë, një bark të verdhë, një shpinë brune”.

Në origjinë, fjala greke kalon nuk përfshin saktësisht pranimin klasik të fjalës “e bukur”. Ai shënjon çka tërheq shikimin sipas formës së saj. Por filozofia antike do të përqasë së shpejti në fjalë cilësi më tepër se plastike. Tek Gostia dhe Fedra, Platoni e konsideron dashurinë si një udhë fillestare: duke u nisur nga dëshira e të bukurës së veçantë të mishëruar tek e dashura e tij, i dashuruari duhet të shtjellohet drejt së Bukurës në përgjithësi. Dhe duke e dashur për ta soditur të Bukurën në vetvete, që nuk është tjetër veç e Mira supreme, e Vërteta.

Nëse bukuria është ilustrim i arsyes së gjërave, ajo nuk do të dijë të jetë tjetër veç moralit. Në Rilindje, Baldassare Castiglione, autor i Libri i oborrtarit, nuk mendon më pak për të: “Bukuria vjen prej Zotit, [...] ajo është si një rreth në të cilin mirësia është qendra [...]. Gjithashtu rrallë ndodh që një shpirt i keq banon një trup të bukur, dhe prandaj bukuria e jashtme është shenja e vërtetë e bukurisë së brendshme.”

Ky vizion do të gjejë jehonë tek moda, siç e tregon mirë Georges Vigarello tek libri i tij Historia e bukurisë. Trupi dhe arti i të zbukuruarit nga Rilindja në ditët tona (Seuil). Do të privilegjohen pjesët e sipërme e të larta të trupit: fytyra, duart.

Ku kanë shkuar këmbët? Fustanet janë sipas busteve, shikoni koshat e fëmijëve të Spanjës të pikturuara prej Velasquez. Do të duhej pritur fundi i shekullit të XVIII-të për ta parë të zbutej korseja, si statuti social i gruas. Emancipimi shoqërohet prej një ndarje mes bukurisë dhe moralit. Një personazh si Manon Lescaut simbolizon për mrekulli këtë shkëputje: heroina e atë Prevostit është njëkohësisht joshëse dhe plotësisht amorale.

Sot e zhveshur plotësisht prej përmbajtjes së saj metafizike e morale, bukuria nuk është më, e kemi parë, kanuni në art (kanun, rregull në greqisht). Por jashtë kësaj fushe, domethënë në jetën e përditshme, bukuria është gjithandej e ekspozuar.

Pierre Sansot shpreh keqardhjen për të në librin e tij, Bukuria nuk më duron, dhe këshillon një ngashënjim përtej diktateve të look-it: “Ne kemi numëruar të shpëtuarit e Luftës së Madhe, mandej ato të regjimeve totalitare. Mos duhet një ditë të bëjmë llogarinë e të shpëtuarve të disa kampeve estetike e mendore?”, pyet veten autori.

Në shoqërinë tonë të konsumit, është “body fascism” që mbretëron. S’ka një kos, një makinë, një mbathje që të mos jetë promovuar prej dikujt të bukur.

Çfarëdo që të thonë këto slogane publicitare, këto maksima bashkëkohore: “Gjej atë që ti je” etj., çka duhet të jesh, është i bukur. George Vigarello flet për “shbërje të lirë”, libri i Umberto Ecos evokon një “vizitor të së ardhmes” i mahnitur nga larmia e gjinive... Mos u ngut, ekzistojnë shumë standarde. Gra me forma të admirueshme, më tepër shtojzovalle, dhe burra me muskulaturë olimpiane – estetika “gay” është sigurisht për diçka – mbulojnë hapësirat publicitare dhe prodhimet hollivudiane.

Ekzistenca e manekinëve shumë për shtat një ideali të modelizuar nuk mungon për të çuditur. Plato’s not dead! Mos është kjo një mbijetesë e platonizmit? Një ide kockë e të bukurës të cilën nuk mundemi për ta zhbërë, gjersa utopitë tona të kenë shkuar për lesh? Do të jemi kthyer tek ideja e kanunit? Jo, kanuni ka diçka të ndryshme që i tejkalon të gjithë individët. Duke e ditur tejkalues, domethënë duke u hapur në një plan tjetër si ai i reales, ai është një esencë e pambërritshme. Një manekin apo një top-model, sado i standardizuar (ndrequr), është shumë i kësaj bote. Aktor i një realiteti tregtar, ai na shet një ëndërr bukurie, siç shitet një projekt. Kërkon të na bëjë të besojmë që bukuria mund të jetë e zotërueshme, në këtë rast duke blerë filan artikull, të filan firme. Rrëmujë e vogël mes të qenit e të paturit. Të mos mashtrohemi sot, bukuria është një produkt si një tjetër.

Përktheu nga frëngjishtja: Anila Xhekaliu

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›