E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama e nis diplomacinë e vet duke rikthyer tezën e Shqipërisë shumetnike

18-09-2013 / Nga Ilir Nikolla

Është një ide fikse e shumë albanofobëve në rajon që e trajtojnë Shqipërinë si tokë pushtimi dhe e rikthejnë atë si tezë zyrtare sa herë në Tiranë ndërrojnë ekuilibrat politikë. Duke hequr 40 vitet e nacionalkomunizmit enverist, i cili shpalli pamundësinë e përdorimit të kësaj teze në kufijtë e Shqipërisë londineze, në këmbim të shitjes formale të çfarëdolloj patronati ndaj mbi 3 milionë shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre në ish-Jugosllavi, kjo tezë është rikthyer rëndom më 1991, 1997 e tashmë edhe në 2013-n. Në të tre rastet, teza ka marrë formë zyrtare prej frymës internacionaliste e antinacionaliste që kanë shfaqur elitat shqiptare në pushtet. Tezat e një shteti shumetnik u frymëzuan rëndom nga teoritë e shoqërisë së hapur dhe synuan të zyrtarizonin shifra spekulative për pakica që shoqëria shqiptare nuk i njihte. Por diga kushtetuese ndaj këtyre qëndrimeve ra formalisht në qeverisjen e pas 1997, kur kryeministri socialist Fatos Nano u tha shqiptarëve të Kosovës se kryeqyteti i tyre ishte Beogradi dhe qëndrimin e shpalli pas një takimi (vini re) në Greqi me Milosheviçin, Kasapin e Ballkanit. Historiku i këtij qëndrimi dihet dhe partizanët e Shqipërisë shumetnike s’mundën të imponoheshin as kur u krye regjistrimi i 2011-s, shifra të cilat më pas u kontestuan prej tyre. Por tani, Edi Rama, një kryeministër që s’po përpiqet ta fshehë pasionin e tij për idetë që vijnë nga streha anarkiste e shoqërisë së hapur, pa shtetësi zyrtare, pa fe zyrtare e pa etni zyrtare, e riktheu dje këtë tezë, duke i dhënë mbështetje publike. Ai e shumëzoi me zero domethënien e numrave dhe peshën specifike që ato paraqesin dhe shpalli si linjë të kuqe të diplomacisë shqiptare trajtimin e shqiptarëve në Maqedoni, njësoj siç trajtohet pakica maqedonase e komunës Pustec (Liqenas) në Shqipëri. Pra 0,5 përqindëshi dhe 25 përqindëshi gëzojnë të njëjtën farë të drejtash. Kjo teori e respektimit “par excellence” të të drejtave të njeriut është ku e ku e zbatuar jangllësh, kur vjen puna për të trajtuar të drejtat e një etnie shtetformuese siç janë shqiptarët e Maqedonisë. Është një konstante që s’vjen nga injoranca në fushën e diplomacisë, por nga një voluntarizëm për të trajtuar njësoj si respektimin e të drejtave të minoriteteve, ashtu edhe të drejtat etnokulturore të romëve e po ashtu edhe të drejtat e komuniteteve fetare. Kjo konstante e tollovisë së të drejtave çon rëndom në tezat e qytetarisë evropiane, ku s’ka rëndësi përkatësia shtetërore, etnike a fetare. Bile strukturat formale të kryepeshkopit Janullatos, në dhjetëra studime rreken të mbrojnë idenë se areali ballkanik ka qenë i përbërë nga popullsi shumetnike. Ky voluntarizëm s’gjen kurrfarë mbështetjeje në terren dhe jo vetëm regjistrimi i sipërcituar i 2011-s, por edhe regjistrat e gjendjes civile në Shqipëri, apo regjistrimi i OSBE-së në Kosovë s’mbështesin teza të tilla. Atëhere, partizanëve të Shqipërisë shumetnike s’u ka mbetur gjë tjetër veçse të heqin dorë nga teoria e numrave dhe të barazojnë farat e ndryshme të të drejtave, çka sjell në barazimin e pakicës maqedonase në Shqipëri me konsistencën e 25 përqindëshit të shqiptarëve në krijesën “Fyrom”. Fakti se kryeministri i ri, dora vetë, e zyrtarizon këtë qasje të re në trajtimin e marrëdhënieve mes vendeve në rajon, rrënon jo veç Marrëveshjen e Ohrit, por ngre pikëpyetje edhe për Traktatin e Miqësisë me Greqinë. Kjo qasje jashtë numrave e jashtë kontekstit në terren i hap rrugën spekulimit të organizatave filobullgare për një numër mbi 100 mijë të pakicës në Shqipëri apo pretendimeve të shumënjohura të organizatave helenike, për mbi 400 mijë grekofonë. Kemi një tra të ngritur nga improvizimi i kryeministrit Edi Rama (në rastin më të mirë!), i cili rrezikon t’i çelë rrugën një procesi vështirësisht të administrueshëm. Të dukesh si internacionalist dhe fytyrë moderne në Bruksel është një gjë – bile ndoshta edhe kontribut në çështje të integrimit - por ta përsërisësh këtë dyfytyrësi edhe në Tiranë, pranë një presidenti, të cilin qindra mijë shqiptarë e kanë akuzuar publikisht si frymëzues të shovinizmit sllavomaqedonas, është një qëndrim voluntarist, i cili duhet ndëshkuar. Se si, mbetet për t’u parë, rast pas rasti kur Edi Rama të guxojë të avancojë axhendën e tij të shtetit shumetnik, por si fillim ai le të regjistrojë se në këtë çështje, s’i ka prapa ato 1 milionë shqiptarët që votuan për rotacionin politik.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›