Buletinet e nxjerra nga Edvini ditën e shpërndarjes së protestës
Dje në mëngjes Edvini gjeti në rrugë vetëm përfaqësuesit e administratës së bashkisë, ndaj dhe urdhëroi mbylljen e tubimit Buletini nr. 6 KQ i PSSH-së në fillim dëshiron t’u shprehë mirënjohje e tij të thellë të gjithë atyre që gatuan qofte të cilësisë së lartë në natyre. KQ hedh poshtë si të pavërteta që nga ky konsum është shkaktuar mungesë e këtij asortimenti në tregun mallrave të ngrënshëm. KQ i PSSH-së kërkon të punohet në organizatat bazë të partisë çështja e largimit pa leje nga vendi i caktuar i të gjithë personave që nuk duruan dot mbarimin e aktivitetit. Si pasojë e shkëputjes me kohë nga jeta partizane, shoqja Vali ka marrë plevitin, shoqet Erion (të dyja), Dashe, Saimo janë konsumuar keq me të ftohur nga pas. Shoqja Erion që kishte probleme oturakësh, ka dalë plotësisht nga rreziku dhe nuk tani i marrtë të keqen armiku. Po ashtu në vijim të buletinit nr.1, duhet kujtuar shokët Namik dhe Servet, të ngarkuar për mbajtjen me gajret të veteranëve, kanë braktisur çadrën dhe janë nisur në drejtim të paditur. Për shkak se disa veteranë kanë fjetur dhe nuk janë zgjuar më, KQ i PSSH-së propozon që shokëve në fjalë t’u hiqet vërejtje në kartën e komunistit. Buletini nr. 7 Ky buletin duke marrë parasysh se në shtypin fashist janë botuar buletine të mëparshme mbahet sekret vetëm për drejtuesit e lartë të partisë. Janë të lutur shokët e sekretariatit që buletinin nr.7 ta ruajnë si sytë e ballit dhe në mënyrë që ai të mos bjerë në dorë të armikut, ta grisin ose në rastin më të keq ta hanë të shoqëruar me një qofte. Shokët që vuajnë nga sëmundje të sikletshme, mund ta lagin edhe me ujë këtë ngrënie të detyruar nga armiku. Buletini nr.8 KQ i PSSH-së njofton gjithë anëtarësinë e partisë së asgjë e veçantë nuk ka ndodhur në çadrën e ngritur para Kryeministrisë ku u mblodh grupi kuvendor i PS-së nën kryesinë e sekretari të parë të KQ të PSSH-së, shokut Edvin Rama. Çdo ngjashmëri rastesh e përhapur me dashakeqësi në shtypin fashist, për analogji të çadrës socialiste me kasollen e nënë Zyrasë nga shoku ynë i paharruar Enver, është i pavërtetë. Buletini nr.9 KQ i PSSH-së se gjatë në mbarim të protestës nuk janë gjetur akoma pizhamet e Namik Dokles, guna salariote e Gramoz Ruçit dhe shkrepësja e Pandeli Majkos. Duke qenë se nuk është mirë që këto sende të bien në dorë të armikut, janë të lutur shokët t’i gjejnë ose në rastin më të keq t’ia rrëmbejnë armikut. Buletini nr.10 KQ i PSSH-së lajmëron informatorin e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Telefoni” që vazhdimisht shkruan libra për revolucionarët botërorë, të mos patrullonte aq dukshëm anash turmës. Në të ardhmen, shoku duhet të jetë më operativ, statik dhe t’i raportojë rezidentit më të afërt për çdo gjë që shkon jashtë planit. Buletini nr.11 KQ i PSSH-së dhe shtabi i propagandës i kryesuar nga goca e Aristotelit porosit të kihet kujdes me anën informative. Të merren edhe porositë e shokut Xhexhins Klosi për t’u ruajtur nga veprimtaria e agjentëve të armikut. Buletini nr.12 KQ i PSSH-së falënderon gjithë policitë bashkiake të bashkive Tiranë, Vlorë, Durrës, Korçë, Berat, Elbasan, etj për masat e marra për mbarëvajtjen e aktivitetit. KQ i PSSH-së kërkon nga të sipërmit që në vazhdim të frymës revolucionare të marrin masa për mbledhjen e oturakëve, haleve portative, çanakëve, kusive ndihmëse, garuzhdave, krevateve të lëvizshme, dyshekëve prej lecke e leshi, enëve të kuzhinës, etj pasi janë pronë socialiste e partisë. Buletini nr.13 KQ i PSSH-së gjen rastin të falënderon disa shokë që u shquan për mbledhjen në shesh. I riu komunist Erion që përfaqëson organizatën G..., për shkak se ka qenë në krye të detyrës, lavdërohet dhe shpërblehet me veprën 19 të shokun Enver si dhe me librin “Jeta ime me Enverin” të shoqes Nexhmije Hoxha. I riu Erion B..., i jepet një dhuratë me vlerë materiale, një oturak i përdorur vetëm një herë nga shoku Spartak. Shokut Këno, për shkallë të lartë të frymës revolucionare i jepet libri i shokut Ramiz “Vepra 1”. Shokut Fatmir për shkallën e lartë të vigjilencës së treguar i jepet libri i shokut Enver “Gjithmonë në vigjilencë” si dhe kolana “Heronj të heshtur”. Shokut Gramoz për ritëm të lartë në punë i jepet dekorata “Çeliku i Partisë”. Shokut Sajme i jepet dekorata “Vasil Shanto”. Shokut Ditmir Bushati” i jepet dekorata e klasit të dytë “Sulejman Bushati”. Për punë të palodhur shokut Ilir Gjoni i jepet urdhri i trimërisë “Xhelil Gjoni”. Për operativitet në veprime shokut Dashi i jepet urdhri “Poturet e babës”. Sektori i shtypit dhe agjitacionit pranë KQ të PSSH-së, i përbërë nga gazeta e Koços, goca e Aristotelit, televizioni i Lakut, si dhe emisioni “Faktori minus”, marrin titullin “Hero i Punës Socialiste”. Në ditët e ardhme do të ketë çmime të tjera në varësi të punës që kanë pikasur grupet e punës.
...